Ngjarje

Rikthehen kamerat e trupit te një pjesë e policëve. Por pse dështuan dhe sa çështje do të kishin zgjidhur ato?!

Gazeta Si - Pas disa ngjarjeve të përsëritura, kur qytetarët i “mbesin në dorë” policisë - rasti më i fundit ai i të riut Lear Kurti – Ministria e Brendshme njoftoi këtë të enjte rikthimin e kamerave të trupit për një pjesë të policisë. Konfirmimin e ka dhënë ministri Bledi Çuçi, teksa po prezantonte në Komisionin për Sigurinë Kombëtare buxhetin e vitit 2023.

“Unë kam marrë një angazhim që do të rifusim sistemin e kamerave në një pjesë të madhe të trupës së policisë që është në terren, kamerat e trupit, sepse besoj se do të jetë një garanci për këtë gjë dhe padiskutim që i kemi burimet dhe në këtë buxhet nëse do të avancojmë me përshtatjen e sistemit ekzistues për ta bërë efikas”, tha ai. Sipas Çuçit gjithashtu do të avancohet me përshtatjen e sistemit ekzistues për ta bërë atë efikas.

“Kamerat e trupit e kanë sistemin e ngritur dhe fondi nuk është shumë i madh, por tërësisht i përballueshëm brenda buxhetit të vitit 2023. Është në nivelin e 60 milionë lekëve në vit, një shumë që mund të përballohet nga buxheti i shtetit”, tha Ministri i Brendshëm. Sipas tij, në 2023 investimet në Policinë e Shtetit do të jenë 56% më tepër se viti aktual, me fokus kryesor teknologjinë, sistemet digjitale dhe rritjen e sigurisë përballë sulmeve kibernetike.

Ngjarje të (pa)zbardhura

Vdekja e Lear Kurtit, e cila ende zyrtarisht mbështillet nga shumë mistere apo mospërputhje detajesh, do të kalohej në heshtje dhe pa vënien përpara përgjegjësisë të policisë, nëse media nuk do të kishte publikuar pamjet nga kamerat e sigurisë në zonën ku ndodhi ngjarja. Vdekja e të riut është ende nën hetim, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka deklaruar se Kurti nuk ka pasur shenja dhune dhe se mund të ketë gjetur vdekjen nga një qese në stomak, e cila kishte mbetje lëndë narkotike. Versioni i formësuar nga autoritetet ka qenë ky: Policia i ka bërë thirrje Lear Kurtit të identifikohet, ai është larguar me vrap dhe në vrap e sipër ka gëlltitur qesen me lëndë të dyshuar narkotike. Ekspertë të pavarur të sigurisë, ish-punonjës të policisë, kanë theksuar se nëse patrulla do të ishte e pajisur me kamera trupi, gjithçka tashmë do të ishte e qartë si drita e diellit.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila drejtohet nga ish-kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, shpesh në disa ngjarje të ngjashme ka dhënë deklarata të shpejta, të cilat nuk janë mbështetur më pas në prova fizike apo dëshmi. Të paktën në tre ngjarje ku Ardi Veliu ka qenë në krye të institucioneve policore, kamerat e trupit do të kishin bërë një punë të madhe si për policinë, ashtu edhe për vendosjen e drejtësisë në vend.

Aktivisti i Partisë Socialiste, Pjerin Xhuvani u vra 4 ditë para zgjedhjeve të prillit 2021, pas një konflikti me disa simpatizantë të PD-së. Policia e cila ndodhej në vendngjarje, mori më vonë pamjet filmike nga bizneset aty pranë, por po të kishte pasur kamera trupi, ngjarja e bujshme politike do të ishte sqaruar.

Një ngjarje tjetër, vrasja e Klodian Rashës, do të ishte zbardhur pa ekuivoke nëse do të ishin kamerat trupore të policisë. I riu u vra nga efektivi Nevaldo Hajdaraj, pas një ndjekjeje policore, në rrugën “Dritan Hoxha” në Tiranë, në 8 dhjetor 2020. Në Tiranë u mbajtën protesta, gjykata dënoi pas gjykimit të shkurtuar efektivin Hajdaraj. Por ende sot e kësaj dite ende mbetet jetim faji se kush e la pistoletën në vendngjarje.

Ekspertë të sigurisë kanë theksuar se kamera e trupit nuk mbron vetëm qytetarin, pasi bën transparencë, por në radhë të parë mbron punën e policisë. Kamera e trupit - sipas tyre - krijon një integritet shumë të madh të performancës së Policisë së Shtetit në zbatim të legjislacionit, të procedurave e standardeve që duhet të ndjekë policia.

Një nga rastet që lidhet me këtë ishte ngjarja e 28 shtatorit 2021, kur oficeri i Krimeve në Komisariatin e Policisë së Lezhës, Saimir Hoxha (44 vjeç), mbeti i vrarë me armë zjarri në Ishull Lezhë. Ai ishte pjesë e patrullës që kontrollonte për kultivimin e kanabisit në zonë, kur u qëllua për vdekje nga autori i ngjarjes, 21-vjeçari Aldi Rama, i cili pas disa orë ndjekjeje policore, vrau veten (të paktën sipas versionit zyrtar të policisë). Kamerat e sigurisë së një biznesi aty pranë bënë të njohur për publikun ngjarjen, por nëse efektivët do të kishin kamera trupi, ngjarja do të ishte zbardhur në kohë reale.

Projekti i bujshëm i Sajmir Tahirit

Kamerat e trupit për policinë e Shtetit, u bënë publike bujshëm nga ish-ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri dhe kryeministri Edi Rama 6 vjet më parë, duke nisur me Tiranën. Më 2 shkurt 2016, projekti prej 5,7 milionë eurosh u prezantua si “pjesë e programit ambicioz për transformimin rrënjësor të Policisë së Shtetit”. Por vetëm pas gjashtë javësh nga ky prezantim, ato kamera nuk arrinin të transmetonin on-line, në kohë reale, regjistrimet e tyre, nga trupat e policëve mbajtës të tyre.

Shkaku ishte i thjeshtë: Rrjeti i kompanisë celulare që kishte marrë përsipër pjesën e transmetimit të pamjeve on-line, të këtij projekti, nuk arrinte të suportonte shumë usera të cilat të mundësojnë transmetimin njëkohësisht, por vetëm një numër të caktuar userash. Kësisoj, efektivët që i dispononin këto kamera trupi, pamjet e regjistruara i “shkarkonin” në mbyllje të çdo turni shërbimi në serverat respektivë të komisariateve, pa pasur as mundësinë t’i transferonin në databazën qendrore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Më pas, edhe ata pak policë që ishin bartës të kamerave të trupit, ia arritën t’i nxirrnin jashtë loje kamerat e trupit. Gjithçka është lënë në harresë gjatë këtyre viteve, anipse në kontratën që Ministria e Brendshme ka pasur për kamerat në 2014, nuk ka qenë i përfshirë vetëm përdorimi i tyre, por ka qenë edhe mirëmbajtja. Pra, ajo firmë që ka kontraktuar kamerat duhet të bënte edhe mirëmbajtjen e tyre nëse ato prishen (qëllimisht apo jo) me kalimin e kohës.

Dhe aktualisht këto kamera janë vetëm te disa policë të qarkullimit rrugor dhe jo te patrullat bazë të policisë në ndalimet e automjeteve apo verifikimet e personave. Një arsye se përse nuk mbahet te forcat operacionale është përfolur të jetë edhe dekonspirimi i aksioneve policore për kapjen e personave të kërkuar.

Ekspertët e sigurisë ndërkohë pohojnë se në disa aksione të forcave operacionale kamerat e trupit vendosen, por thjesht për efekt “reklamimi” apo marrëdhënieve me publikun, për të treguar në kohë të ndryshme se policia është e përgatitur dhe e sofistikuar në pajimet e saj. Atëherë pse nuk bëhet e mundur që ato të vendosen edhe në trupat e policëve të patrullave bazë, kur në shumë raste mungesa e tyre ka goditur seriozisht integritetin e policisë së shtetit?! Duket se nuk ka qenë çështje fondesh. Të paktën kështu la të kuptohej sot edhe vetë Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë