Samiti i NATO-s i mbajtur në Londër i ka shërbyer kryeministrit Edi Rama, si dhe ministrave të Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe ministrit të Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj të lobojnë mbi nevojën e një ndihmë financiare për të përballuar pasojat katastrofike nga tërmeti i 26 nëntorit. Në fund të samitit të NATO-s, kryeministri Edi Rama në një prononcim për median theksoi se e ka shfrytëzuar këtë takim për t’i kërkuar ndihmë konkrete liderëve botërorë. “Bëra bisedë të gjatë me presidentin e Francës, kancelaren gjermane, kryeministrin e Holandës dhe me një sërë liderësh të tjerë, kryeministrja e Danimarkës ka qenë jashtëzakonisht e përfshirë dhe e interesuar, padiskutim kryeministri Conte. Po kështu edhe kryeministri i Kanadasë, me presidentin Erdogan, me presidentin Trump kemi folur, por qëllimi është të organizojmë një konference të madhe donatorësh dhe kjo ka qenë ajo që kam kërkuar. Reagimet e para kanë pozitive, të shikojmë më tutje por do të vazhdojmë punën intensive”, deklaroi kryeministri.

Kreu i qeverisë e pranoi që pjesë e diskutimeve ka qenë edhe dokumenti i Francës për çështjen e zgjerimit të BE-së, por që sipas tij, në kushtet aktuale nuk i ka kushtuar shumë vëmendje. Për të kryesorja në këtë takim ka qenë sigurimi i ndihmave dhe mbështetjes nga ndërkombëtarët për të përballuar këto pasoja.
“U kemi vënë në dispozicion dokumente dhe shumë informacione që mund të kenë një pamje shumë të qartë, sepse natyrisht në nivelin e ministrave të jashtëm, apo nivelin e burokracive shtetërore apo dhe në Bruksel, informacioni ka mbërritur. Them se ia kam arritur që të përfshij drejtpërdrejt liderët emocionalisht, ata që në fund të fundit janë shumë të rëndësishëm në këtë proces, sepse një fjalë e tyre është shumë më e rëndësishme se sa një dosje voluminoze e përgatitur në nivelet më të ulëta”, theksoi kryeministri.
Më tej ai përsëriti edhe një herë kërkesën ndaj rivalit politik, kryedemokratit Lulzim Basha, për të bashkëpunuar, duke e cilësuar këtë si diçka normale në botë.
“Nuk ka asnjë sens që të vazhdojë historia me deklarata ne distancë kur ne të gjithë jemi jo vetëm të goditur nga e njëjta tragjedi, por nga ana tjetër të gjithë jemi në nevojë për të ndërtuar çatinë e një shtëpie më të madhe se shtëpia e politikës, që është shtëpia e Shqipërisë”, theksoi Rama.

Më herët kryeministri postoi edhe foto nga takimi me homologun holandez. Ai theksoi se me kryeministrin Rutte ndau të njëjtin mendim për domosdoshmërinë e solidaritetit me Shqipërinë, në këto momente dramatike të jetës së vendit.
“Me kryeministrin e Mbretërisë së Holandës, Mark Rutte, krejt në një mendje për domosdoshmërinë e solidaritetit me Shqipërinë, në këto momente dramatike të jetës së vendit”, tha Rama, duke informuar mbi këtë takim. Në këtë takim ishin të pranishëm Gent Cakaj dhe Olta Xhaçka, ndërsa pala holandeze përfaqësohej me Kryeministrin e Holandës, Mark Rutte dhe Ministrin e Jashtëm, Stef Blok.
Në fokus të takimit ishin diskutime, të cilat lidhen me çështje të interesit të përbashkët që ndikojnë në shtimin e bashkëpunimit dypalësh dhe rëndësinë e perspektivës evropiane të Shqipërisë.
Në një status në profilin e tij në Facebook mbi këtë takim, Ministri në Detyrë Cakaj theksoi: “Sidoqoftë, më e rëndësishmja nga të gjitha mbetet solidarizimi i plotë i Holandës me Shqipërinë në këto momente të vështira dhe gatishmëria e saj e plotë për të na mbështetur fuqishëm në përpjekjen për riparimin e rindërtimin e hapësirave të prekura nga tërmeti në gjithë vendin!”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.