Biznes

Nga Tommy Hilfiger, Hugo Boss e Adidas, veshjet imitime pushtojnë tregun shqiptar

Nga Gazeta 'SI' - Veshjet false me logon e markave të shtrenjta kanë pushtuar tregun shqiptar.

Një raport nga drejtoria e Doganave tregon se këto produkte janë shtuar me 570% nga 2022-shi në 2023-shin, përkthyer në mbi 33 mijë produkte. Shifrat i referohen vetëm sasisë së kapur nga autoritetet doganore dhe jo totalit që ka hyrë në Shqipëri.

Mbi 24 mijë produkte janë atlete dhe pjesa tjetër veshje, thotë Dogana.

Sipas të dhënave, prodhimet imitim të markës “Tommy Hilfiger” janë ato më të lakmuara, ndjekur nga Hugo Boss, Armani dhe disa firma sportive, Nike, Adidas etj.

Përballë përhapjes masive të biznesit të imitimeve, pak muaj më parë qeveria shqiptare, propozoi të forcojë masat kundër falsifikimit, duke parashikuar edhe padinë.  

“Këto përpjekje negative përveçse dëmtojnë interesat ekonomike të pronarëve të markave me reputacion në treg, ato dëmtojnë dhe deformojnë gjithashtu tregun dhe interesat e konsumatorëve”, thuhet në relacion e ligjit “Për markat tregtare”.

Në rastet kur gjykata vendos në favor të markës origjinale, kërkohet edhe dëmshpërblim i tyre nga abuzuesi. Konkretisht projektligji parashikon edhe dëmshpërblimin e pronarëve të markave nga shkelësit, dhe dëmi do të përllogaritet duke marrë në konsideratë, dëmin efektiv dhe atë real, fitimin e munguar të pagës së dëmtuar për shkak të përfitimit të padrejtë të shkelësit, si dhe vlerësohet edhe dëmi moral, cenimi i emrit apo dëmi reputacional tregtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë