Politike

Nga takimi me eksponentë të Agimit të Artë te ndjekja penale, Kushtetuesja ‘dogji’ akuzat e Kuvendit ndaj Metës

Presidenti Ilir Meta e bazoi mbrojtjen e vet para Gjykatës Kushtetuese te procedura e ndjekur nga Kuvendi për ta shkarkuar atë, por nga aq sa është bërë publike dhe mësuar nga Gjykata Kushtetuese, procedura e ndjekur nga Kuvendi vlerësohet përgjithësisht korrekte.

Sipas raportimeve jozyrtare, Kushtetuesja ka vendosur 6 me 1 në favor të Presidentit se ai nuk ka shkelur rëndë Kushtetutën, siç pretendonin socialistët në raportin e miratuar në qershor të vitit të kaluar.

Pas më shumë se tre orë mbledhje, më 28 maj 2021, Komisioni Hetimor Parlamentar “Meta 2” i udhëhequr nga ish-deputeti Alket Hyseni përmbylli punën hetimore brenda një kohe rekord prej 3 javësh dhe në raportin përfundimtar prej 96 faqesh arriti në përfundimin se Meta ka shkelur një mori nenesh të Kushtetutës, që i klasifikon si të rënda dhe unanimisht iu propozua Kuvendit në seancë plenare shkarkimi i tij.

“Është një dokument gjithpërfshirës që do të shërbejë për punë studimore në të ardhmen. Është shterues brenda objektit të hetimit të caktuar në kërkesën e 49 deputetëve të Kuvendit”, deklaronte në atë Komision, Vasilika Hysi.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese tregon se dokumenti mund të shërbejë si punë studimore në të ardhmen, por si punë studimore për të treguar se si “nuk shkarkohet Presidenti”. Gjithsesi, raporti, sipas socialistëve u hartua mbi bazën provave fizike e virtuale, ku janë të pasqyruar të gjitha deklaratat e Presidentit para, gjatë dhe pas 25 prillit, që në vlerësimin e 49 deputetëve nismëtarë për shkarkimin e Metës bien ndesh me rolin e tij mbi palët.

Raporti thotë se Presidenti bëri fushatë hapur kundër partisë në pushtet dhe roli i tij nuk perceptohet në popull si unifikues, rrezikoi marrëdhëniet me ndërkombëtarët me akuzat për korrupsion për diplomatët e huaj, nxiti dhunën dhe urrejtjen, madje për këtë të fundit, Komisioni kërkon edhe ndjekjen penale.

“Thirrjet që nxisin dhunë janë subjekt i ndjekjes penale nga organet kompetente”, thotë raporti.

Veç tyre, Komisioni ka administruar si prova edhe postime me foto, video dhe tekst të Presidentit në rrjetet sociale. Prova tjetër është korrespondenca e Presidentit me Gjykatën Kushtetuese, që anëtarë të Komisionit Hetimor Parlamentar e interpretojnë si shantazh të tij ndaj kësaj gjykate.

Komisioni akuzoi Presidentin se jo vetëm ka shkelur Kushtetutën dhe ligjet e vendit, por e ka bërë këtë në mënyrë të përsëritur. “Bëhet fjalë për shkelje të përsëritura në 19 intervista televizive, 9 deklarata për mediat dhe 45 postime në rrjetet sociale”, deklaronte Alket Hyseni.

Si prova u administruan edhe të dhënat e mbledhura nga Prokuroria e Përgjithshme dhe nga SPAK në lidhje me kallëzimet për krimet zgjedhore. Komisioni tha se ka administruar edhe informacione nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe një informacion të klasifikuar si sekret nga ana e Policisë së Shtetit, nën dyshimet se Presidenti Ilir Meta mund të jetë takuar me eksponentë të Agimit të Artë.

Informacion u mor edhe nga Bashkia e Tiranës në lidhje me procedurat e ndjekura prej kësaj të fundit për përplasjen në lidhje me zyrat e Frymës së Re Demokratike, si dhe raste të shkarkimit të Presidentit në Letoni dhe vende të tjera europiane. Si provë janë administruar gjithashtu dhënia e titujve, dekoratave, procedurave dhe dekreteve të shtetësisë së dhëna nga ana e Presidentit Meta para, gjatë dhe pas zgjedhjeve. Raporti u bazuar edhe te dy mendimet e dhëna nga ekspertët Artan Spahiu dhe Erind Mërkuri.

Të gjitha këto informacione që Kuvendi i mëparshëm i vlerësonte si të mjaftueshme për të shkarkuar Ilir Metën u rrëzuan, sipas News24, 6 me 1 në Kushtetuese. I vetmi anëtar i Gjykatës që ka votuar pro shkarkimit ka qenë ish-prokurori Altin Binaj, zgjedhur nga Kuvendi.

Gjashtë emrat e tjerë, Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Përparim Kalo dhe Sonila Bejtja kanë votuar kundër shkarkimit. Lista përfshin edhe gjyqtaren Fiona Papajorgjin, që Meta e ka paditur në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për shkelje të rënda të ligjit të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese për rolin e luajtur gjatë relatimit të dosjes për zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, kanë votuar kundër raportit të Kuvendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë