Financa Personale

Nga riskedulimi i radhës i kredive përfitojnë vetëm klientët e bankave tregtare

30 mijë klientët e institucioneve financiare duhet të vazhdojnë pagesat e kësteve të kredive

Shoqata Mikrofinanca Shqiptare thotë se nga marrëveshja e re mes Qeverisë Shqiptare, Bankës së Shqipërisë dhe Bankave të Nivelit të Dytë për shtyrjen e pagesave të kësteve  të kredive edhe me tre muaj deri në 31 gusht, përfitojnë vetëm klinetët e bankave tregtare, jo ata të institucionove financiare jo bankare.

“Në kuadrin e Moratoriumit të Kredive të mandatuar nga Qeveria Shqiptare dhe Banka e Shqipërisë, për shtyrjen e ripagimeve të kredive deri më 31 maj 2020, institucionet financiare Anëtare të Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare, kanë shqyrtuar dhe procesuar më shumë se 30 mijë kërkesa për shtyrje me një vlerë totale prej afërsisht 70 milionë Euro. Pavarësisht goditjes në likuiditet dhe pamundësisë së rikuperimit të tyre me ndonjë mbështetje nga Qeveria Shqiptare në formë garancie apo financimi me kushte të favorshme, mikrofinanca ja doli të qëndrojë pranë klientëve të saj në këtë situatë të paprecedentë” thotë shoqata duke bërë me dije se vendimi i radhës nuk i prek klientët e institucioneve financiare jo bankare.

“Thënë kjo, i ftojmë gjithë klientët që të rifillojnë pagesat e kësteve pranë sporteleve të institucioneve ose nëpërmjet kanaleve alternative të pagesave dhe rrjeteve të agjentëve”.

Shoqata garanton klientët se do t’u gjendet gjithmonë afër në këtë situatë të vështirë.

“Brenda mundësive dhe kapaciteteve tona, do të shqyrtojmë rasti pas rasti kërkesat për shtyrje të kredive për klientët që ndodhen në vështirësi, për t’u dhënë asistencën e nevojshme. Dera e mikrofinancës mbetet e hapur për fermerët, bizneset e vogla dhe individët, qofshin këta klientë ekzistues apo potencialë, me qëllim kalimin së bashku të kësaj sprove ekonomiko-financiare të krijuar nga pandemia Covid19”- thotë shoqata.

Shoqata Mikrofinanca Shqiptare është një organizatë sektoriale e themeluar në vitin 2006, e cila bashkon institucionet mikrofinanciare në vend. ©Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë