Futboll

Nga Partizani te titulli në Itali, Amir Rrahmani modeli më i mirë për çdo të ri

Gazeta Si – Rinovimi i Amir Rrahmanit me Napolin është një formalitet. Mbrojtësi kosovar është një pikë kyçe në formacionin e trajnerit Luçiano Spaleti dhe klubi napoletan nuk do të privohet nga një futbollist i tillë.

Ish-lojtari i Partizanit është shembulli më i mirë për të gjithë të rinjtë se si me punë dhe vetëm me punë mund të bëhesh kampion në Serinë A, një nga kampionatet më të forta europiane. Rrahmani e ka rritur vazhdimisht nivelin e tij. Pasi u largua nga Shqipëria, ai luajti në Kroaci, më pas te Verona bashkë me Kumbullën dhe tani me Napolin, ku po shijon ndoshta pikun e karrierës.

Amir Rrahmani feston nje gol me Napolin. Gazeta Si, 14 prill 2023

Në fillim pati vështirësi, por asnjëherë nuk u dorëzua dhe këtë sezon Spaleti i ka besuar ‘çelësat’ e mbrojtjes, bashkë me koreanin Min. Për lojën që ka zhvilluar këtë sezon, mbrojtësi shtatlartë e meriton rinovimin. Me Spaletin ka arritur të shprehet më mirë dhe të japë një kontribut të çmuar në fitimin e titullit kampion në Itali, që është vetëm çështje kohe.

Rrahmani është po ashtu një titullar shumë i rëndësishëm edhe te Kosova. Me punë, shumë punë, dhe me ambicje e profesionalizëm mbrojtësi ia ka dalë të kalojë çdo vështirësi, nga Partizani te kampion i Italisë. Nuk u pezmatua as kur De Biazi, ish-trajneri i Kombëtares, e skartoi nga Shqipëria para Europianit të 2016-tës.

Për çdo të ri që synon të bëjë karrierë në Europë, rrugën mund t’ia tregojë më mirë se kushdo Amir Rrahmani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë