Taksa

Nga ‘ngrirja’ akcizës tek taksa e karbonit dhe gjobat për biznesin / Çfarë sjell Paketa Fiskale 2024

Nga Gazeta ‘SI’ - Ndryshime të reja janë propozuar nga qeveria për disa nga taksat në vend, në kuadër të Paketës Fiskale 2024.

Fillimisht, ministria e Financave ka depozituar në Kuvend kërkesën për të hequr indeksimin e akcizës për produktet që taksohen me të, për shkak të inflacionit të lartë gjatë vitit.

Kur u miratua Paketa e fundit fiskale, u vendos që akciza të indeksohej çdo 2 vite me shkallën e inflacionit të dy viteve paraardhëse.

Kështu më 1 janar 2024, të gjitha produktet subjekt i akcizës, karburantet, nafta, duhani, kafeja etj do të shtrenjtohen me 1.5%, normën e vjetër.

Sipas MFE, kjo do të kufizojë efektin e barrës fiskale duke shmangur rritjen e çmimeve për këto mallra, veçanërisht karburanteve që kanë dhe nivelin më të lartë të akcizës.

Një tjetër ndryshim është ai i lidhur me agjendën europiane, mbi taksën e karbonit. Qeveria parashikon rritjen e taksës e taksës së karbonit për qymyrin, si dhe përfshirja në taksën e karbonit edhe e disa nënprodukteve dhe e formave të tjera të qymyrit. Niveli minimal i taksës, sipas metodologjisë së FMN-së, do të jetë të paktën 15.3 lekë/kg qymyr nga 3 lekë/kg qymyr që ishte.

Pas vitit 2026, kjo do të nisë të paguhet nga të gjithë eksportuesit shqiptarë të çimentos, çelikut dhe industri të tjera, të cilat çlirojnë karbon në natyrë gjatë procesit prodhues. MFE parashikon një rritje të ardhurash me 170 mln euro.

“Ministria e Financave dhe Ekonomisë, bazuar në të dhënat e marra nga subjektet, ka analizuar ndikimin që ndryshimi në rritje i taksës së karbonit do të ketë në rritjen e kostove të produktit të këtyre kompanive. Sipas analizave, rezulton se do të sjellë një rritje të kostos së plotë të prodhimit të çimentos me 0.5%. Por, duke pasur parasysh se aplikimi i taksave të karbonit do të jetë një fenomen global, rritje të kostove do të kenë të gjithë operatorët e tjerë ekonomikë në rajon dhe në Europë” shpjegon ministria.

Edhe këtë herë, shteti është treguar i ashpër me bizneset lidhur me penalitetet që mund të marrin. Specifikisht, bëhet fjalë për bizneset që nuk kanë paguar këstet e tatim-fitimit korporativ dhe TAP,  të cilat tashmë nuk do të gjobiten me një vlerë fikse, por në bazë të dëmit që i kanë shkaktuar shtetit.

Penaliteti do të llogaritet si për të gjitha detyrimet e tjera tatimore të papaguara, në masën 0,06 për qind të shumës së detyrimit të papaguar për çdo ditë gjatë së cilës pagesa nuk është kryer, për një periudhë jo më të gjatë se 365 ditë kalendarike.

E njëjta gjë do të ndodhë edhe me bizneset që nuk lëshojnë fatura apo kanë deklarime fiktive.

Në kuadër të zbatimit të dispozitave të marrëveshjeve për shmangien e tatimit të dyfishtë parashikohet vendosja e dënimeve përkatëse lidhur me mosdërgimin në kohë të dokumentacionit për zbatimin e këtyre marrëveshjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë