Edhe këtë të enjte, opozita hyri në sallën e Kuvendit me bindjen që Qeveria, jo vetëm po mbron krimin, por është edhe e lidhur me të. Skenari ishte i njëjtë, bllokimi i foltores dhe shpalosja e atyre që Lulzim Basha i quajti fakte e prova për ministrat e kabinetit dhe Kryeministrin Rama.
I pari që mori fjalën nga Partia Demokratike ishte kreu i Grupit Parlamentar, Edmond Spaho. Duke vënë re mungesën e Kryeministrit dhe të ministrit të Brendshëm në sallë, nga vendi ai tha se seanca nuk mund të vijojë pa praninë e tyre. Arsyen se përse ata duhej të ishin aty e dha Lulzim Basha pak më vonë kur iu drejtua Gramoz Ruçit.
“Thirru që të vijnë këtu dhe të përballen me provat dhe faktet. Të vijnë këtu dhe të mos fshihen”, deklaroi ai.
Mazhoranca vendosi që të replikojë pak më fort se në dy seancat paraardhëse, kur punimet ishin një monolog i Lulzim Bashës dhe drejtuesve të tjerë të opozitës. Nga vendi e mori fjalën kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, që i kujtoi kryetarit të demokratëve vizitën e fillimjavës në Berlin.
“Pavarësisht përpjekjeve të kësaj fillimjave të kryetarit të opozitës për të qenë fshehurazi në korridoret e Bundestagut gjerman, jam shumë i sigurtë që brenda Bundestagut gjerman kemi mbështetjen e nevojshme për të vijuar këtë proces”, tha ai.
Basha pranoi që kishte qenë në Berlin, por refuzoi mënyrën dhe arsyen se përse kishte udhëtuar në Bundestag. U shpreh i bindur se me kushtet aktuale, ligjvënësit gjermanë nuk do të hapin dritën jeshile për negociatat e anëtarësimit.
“Po, kam qenë në Berlin këtë të hënë e të martë, jo në vizitë klandestine siç thoni ju, as të paguar me milionat e drogës, por i ftuar nga autoritetet më të larta gjermane për të diskutuar shqetësimin e tyre se situata politike në vend, 6 javë pas largimit të Ramës nga Berlini, jo vetëm që nuk ka shkuar drejt përmirësimit, por drejt përkeqësimit, që u lirua Saimir Tahiri dhe e njëjta skemë po ndiqet për të shpëtuar vëllezërit Xhafaj. Në këto kushte është e paimagjinueshme që Bundestagu të rekomandojë hapjen e negociatave", deklaroi ai.
Gramoz Ruçi e ftoi që të mos ishte kaq i sigurtë, pasi nga burimet e veta i rezulton ndryshe.
“Mos flisni në emër të kancelarive të ndryshme europiane se flisni në emër të Gjermanisë, por në dijeninë time, dje qeveria gjermane ka vendosur të mbështesë hapjen e negociatave për Shqipërinë”, deklaroi kreu i Kuvendit.
Debati për negociatat nuk zgjati shumë dhe PD iu rikthye çështjes “Xhafaj”. Lulzim Basha bllokoi foltoren dhe kërkoi me ngulm praninë e ministrit të Brendshëm në sallë. Përpjekjet e Gramoz Ruçit për të zhbllokuar foltoren dështuan njëra pas tjetrës, edhe kur i tha Bashës se ministri i Brendshëm dhe Kryeministri ishin në takime të rëndësishme me partnerë ndërkombëtarë.
Për Kryeministrin Edi Rama nuk pati një takim të tillë dhe ai u shfaq në Kuvend pak pas këtij pohimi të Gramoz Ruçit dhe nuk replikoi me opozitë. Por, Fatmir Xhafaj, rreth mesditës priti në zyrën e ministrit të Brendshëm ambasadorin amerikan, Donald Lu. Nuk pati deklarata të menjëhershmë pas takimit, por përmes një komunikate Ministria e Brendshme tha se ishte diskutuar për “luftën kundër krimit dhe forcimin e shtetit ligjor”.
Që temë e diskutimit mund të kenë qenë edhe akuzat e opozitës ndaj vëllait të Fatmir Xhafajt, Agronit e sinjalizoi Ambasada Amerikane. Përmes një deklarate në rrjetet sociale, Ambasada përcjell një koment të shkurtër të Donald Lu.
"Po i ndjek me vëmendje akuzat kundër Ministrit Xhafaj dhe vëllait të tij Agron Xhafaj. Faktet dhe provat, përfshirë edhe vërtetësinë dhe rrethanat rreth regjistrimit audio të raportuar, meritojnë të hetohen në mënyrë të pavarur. Por kjo nuk mund të jetë arsye për të ndërprerë punën e policisë dhe prokurorëve për të arrestuar drejtues të rrezikshëm të krimit të organizuar. Koha që Shqipëria të përfundojë punën që ka nisur është tani", citohet Ambasadori Donald Lu.
Ndërkohë në sallën e Kuvendit protagonist u bë edhe Sali Berisha, por për një temë surprizë. Ai akuzoi Kryeministrin Edi Rama për tradhti në negociatat me Greqinë për kufirin detar. Përgjigjen e mori nga Taulant Balla.
“Makthi yt Sali për marrëveshjen e detit me Greqinë nuk të shpëton dot! I vetmi tradhtar për marrëveshjen me Greqinë, je vetëm ti Sali!”, tha ai.
Atë që tha në sallë pa mikrofon, ish-Kryeministri e përsëriti jashtë saj para gazetarëve. Flet për dy spiunë brenda grupit negociator shqiptar.
“Pala greke, në mënyrën më arrogante dhe prepotente i kanë dorëzuar palës shqiptare marrëveshjen përfundimtare dhe i kanë thënë: Merreni se për këtë s’ka asnjë koment, asnjë diskutim. Pra, që s’mund ta komentojmë e diskutojmë.Disa anëtarë të delegacionit kanë shprehur refuzimin e plotë, kanë bërë letra për shefat e tyre ku i njoftojnë për imponimin që kërkon të bëjë pala greke. Skapi famoz dhe agjenti Muçollari arrinin që të falsifikojnë edhe minutat e diskutimeve, të bindin për të firmosur letra pasi janë hequr gjërat nga aty. Dy persona secili më i zi se tjetri, Skapi famoz dhe spiuni Muçollari, i njohur se punon në çdo rast kundër Shqipërisë. Nga Edi Rama, anëtarët kanë marrë kërcënime për largime imediate nga Athina dhe bisedimet”, deklaroi Sali Berisha.
Pak kohë pas deklaratës së Berishës në oborrin e Kuvendit, brenda në sallë mazhoranca votonte nën foltoren e bllokuar nga opozita projektligjet e rendit të ditës. Njëri prej tyre ishte ai për krijimin e Fondit për Diasporën. Taulant Balla doli para mediave jashtë për të shpjeguar sesa i vonuar ishte ky ligj dhe sesa u detyrohej Shqipëria emigrantëve.
Ai përsëriti kërkesën që t’u mundësohet shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë e drejta për të votuar e vendosur për vendlindjen e tyre. Shpjegimi para mediave mori kohë dhe kohën, në dukje nuk e kishte Monika Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së në distancë iu drejtua kreut të Grupit Parlamentar Socialist që të lironte mediat. Kaq mjaftoi që mes tyre të reflektoheshin edhe jashtë tensionet brenda sallës.
Monika Kryemadhi: Të flasim edhe ne?!
Taulant Balla: Patjetër që do të flasësh se atje brenda ta zuri Luli vendin. Më vjen shumë keq që bashkëshortja e Presidentit të Republikës ka filluar të bëjë zhurmuesen, por ky është fati i keq i opozitës.
Monika Kryemadhi: Taulant, s’jam marrë as me motrën tëndë, as me gruan tënde.
Taulant Balla: Kjo është edukata juaj!
Monika Kryemadhi: Edukata ime është shumë e mirë, po mos u merr me çështje familjare, se nuk i dihet se ku mund të dalim. Harroje që do të bëhesh ministër i Brendshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.