Rend dhe Ligj

Nga “nada”, me Prada. Vettingu, “shpërblim” për Mirela Fanën

Ish-gjyqtarja e lartë Mirela Fana do të mbahet mend si një nga gjyqaret që vishej me firmat më të njohura të modës, por edhe si një nga ish-gjyqtaret e para që dha dorëheqjen nga sistemi për t’i shpëtuar kontrollit të trefishtë të vettingut.

52-vjeçarja, e cila mban mbiemrin bashkëshortit Neshat Fana, një avokat i njohur krysisht për lidhjet e tij me politikën dhe shumë pranë të djathtës, e ka nisur karrierën sapo është diplomuar në 1988 duke shërbyer dy vitet e fundit të diktaturës si hetuese në Mirditë. Por, gjatë kësaj kohe arkivat nuk tregojnë asnjë hetim të dyshimtë.

Me ndryshimin e sistemeve politike në vend, pas vitit 1990, Mirela Fana Gjylameti, vazhdoi karrierën në drejtësi, deri në 1999 si inspektore gjyqësore. Nga ky vit dhe gjatë më tepër se 25 viteve në vazhdim në sistemin e drejtësisë ajo mbajti veshur tunikën e gjyqtares.

Mirela Fana dha dorëheqjen nga sistemi pikërisht ditën e fundit të caktuar si afat kohor për dorëzimin e formularëve të vetëdeklarimit. Më 30 janar 2017, kur edhe u mbyll dera e ILDKPI për deklaratat e pasurive, u njoftua se gjyqtari kushtetues Vladimir Kristo kishte dhënë dorëheqjen nga vettingu për shkak të moshës së pensionit, ndërkohë që anëtarja e Gjykatës së Lartë, Mirela Fana nuk dorëzoi formularët, duke u dorëhequr pranë Presidentit me argumentimin se në vazhdim "do t’i përkushtohej vetëm jetës akademike".

Të dy këta gjyqtarë hapën rrugën për njerëzit e drejtësisë që më pas u vetëlarguan, ashtu siç veproi më pas edhe ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Të gjitha këto dorëheqje në lexim të ligjit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve sjellin ndërprerje të procesit të vettingut, por edhe largimin e të dorëhequrve për 15 vjet nga sistemi.

Mirela Fanës, e dekretuar në 2009, i përfundonte mandati si anëtare e Gjykatës së lartë në prill 2018. Ajo ishte katapultuar në shkallën e tretë të gjyqësorit, në Gjykatën e Lartë, nga gjykata e Shkallës së Parë, në të cilën ishte emëruar si gjyqtare kryesisht të çështjeve civile dhe familjare, një karrierë paksa e pazakontë për një gjyqëtar të lartë.
Dorëheqja e gjyqtares së lartë erdhi pak javë pasi ishte zgjedhur përmes shortit elektronik si anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, një nga organizmat e reja të reformës, e cila aktualisht gjendet në ngërç për shkak të shkarkimit nga KPK të kryetarit të saj, Artan Broci.

Trupa e KPK-së që vendosi ndërprerjen e vettingut për ish-gjyqtaren, Mirela Fana

Pavarësisht dorëheqjes së saj nga Gjykata e Lartë, do të duhej që shkalla e parë e vettingut (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit) të vendoste ndërprerjen e kontrollit të trefishtë si edhe përjashtimin e ish-gjyqtares për 15 vjet nga e drejta për të qenë pjesë e drejtësisë.

Trupa e KPA-së që konfirmoi vendimin e dhënë nga KPK për ish-gjyqtaren Fana

Ky vendim u la në fuqi nga KPA që është shkalla e formës së prerë, çka do të thotë se pavarësisht qëndrimit të komisionerit publik, asnjë nga institucionet e vettingut nuk do jetë në gjendje të kontrollojë pasuritë e ish-gjyqtares së lartë, profesionalizmin dhe pastërtinë e figurës, përderisa ajo me vullnetin e saj ka vendosur t’i përkushtohet jetës akademike, në një universitet privat, ku përgatit brezat e juristëve të rinj.

Por, ish-gjyqtarja e lartë njihet gjithashtu si bashkëshortja e avokatit Neshat Fana, gjithashtu ish-drejtor i Shkollës së Magjistratures, anëtar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, por që shpesh ështe etiketuar si avokati i Sali Berishës, nuk do të mbahet mend për (vetë)përjashtimin 15-vjeçar nga drejtësia, vetëpërjashtim që më shumë se dënim, ngjan me shpërblim për gjyqtaren që e filloi karrieren nga hiçi dhe hoqi dorë vetë kur ishte në majë të piramidës gjyqësore në fund të saj, aty ku hyri me "nada" (asgjë) dhe doli me Prada…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë