Biznes

“Nga mungesa e ndihmës së qeverisë falimentuan 40 mijë biznese dhe u humbën 120 mijë vende pune”

Shoqata thkeson në analizën e saj se viti 2020 uli fuqinë blerëse me 45-50 % dhe rriti informalitetin më tej përtej 45%.

Shoqata e Biznesit të Vogël dhe  të Mesëm në analizën që ka bërë për vitin 2020, tregon për gazetën “Si”, se biznesi i vogël dhe i mesëm e punëtorët gjithashtu vujatën më së shumti pasojat e krizës së COVID-19.

Për shoqatën, në fakt pasojat e krizës që përjetuan këto biznese dhe punonjësit, e ka fajin qeveria që nuk dha  ndihmën e duhur, ashtu siç bënë vendet fqinje si Maqedonia, Kosova dhe vendet europiane.

Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm e nis analizën e vitit të keq ekonomik që në fund të 2019-ës kur disa qarqe të vendit përjetuan pasojat e tërmetit të rëndë që shkaktoi 50 të vdekur, dhjetra të tjerë të plagosur dhe shkatërrimin e shtëpive dhe bizneseve të shumë syresh.

“Ndikim shumë negativ pati biznesi me rënien e tërmetit  të nëntorit 2019, në qarkun e Durrësit, Lezhës, Tiranës dhe Krujes ku si pasojë u mbyllën mbi 8000 biznese  dhe pësuan dëme  të pallogaritura financiare materiale. Edhe mbas një viti  shumë biznese mbyllën qepenat dhe nuk i hapën më. Pandemia e Virusit COVID- 19 e cila në muajin mars me urdhër të qeverisë u bllokua aktiviteti  i 85 mijë bizneseve, masat e karantinës totale që zgjatën afërsisht 3 muaj  rënduan më tej biznesin e vogël dhe  të madh. Por u dha ndihmë e pamjaftueshme për dëmet që pësoi biznesi dhe të punësuarit në të zezë”- shprehet Albert Nasto, kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm për gazetën “Si”.

Prej mungesës së ndihmës nga ana e qeverisë si për biznesin dhe të punësuarit në Tiranë, thotë ai, në vitin 2020 u mbyllën dhe falimentuan rreth 38-40 mijë biznese kryesisht të vogla dhe të mesme dhe humbën vendin e punës mbi 120 mijë qytetarë dhe pronarë biznesesh.

Shoqata thkeson në analizën e saj se viti 2020 uli fuqinë blerëse me 45-50 % dhe rriti informalitetin më tej përtej 45%.

Shoqata vëren se  “Qeveria e Shqipërisë nuk pati një plan të detajuar i cili duhet të ishte trasparent dhe afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë për të ndihmuar realisht si me ndihmë direkte financiare por dhe me lehtësira të taksave dhe tarifave lokale. Sipas nesh viti 2020 ishte nga vitet më të vështira të 30 viteve të fundit për biznesin, por edhe për Shtetin Shqiptar. Kjo pandemi nuk u menaxhua siç duhet të menaxhohej, nuk ishte dëshira për të ndihmuar biznesin, por për ta shkatëruar atë .”

Maqedonia e Veriut, por dhe Kosova, thotë Nasto, dhanë ndihma financiare në 4 paketa të ndryshme që secili shtet financoi mbi 600 milion € por dhe bënë shumë lehtësira fiskale.

Ndërsa në vendin tonë, shprehet ai, u dhanë ndihme 105 milion €, “ shifër tallëse dhe qesharake e cila nuk quhet ndihmë por lemoshë .”

“Kjo lloj qeverisjeje ka qenë dhe është dajak dhe falimentim ose zhdukje e bizneseve të vogla dhe të mesme dhe lulëzim për oligargët dhe monopolet  si asnjëherë tjetër. Situata është tragjike përa i përket mbylljeve masive të bizneseve, por dhe të ekonomisë qendrore dhe lokale, e cila sot është në kolaps total dhe ku mbi 40 bashki janë në prag falimenti”- thotë shoqata në analizën e saj duke vijuar “Qeveria nuk ka ndihmuar biznesin pavaresisht se gjatë vitit 2020 u morën borxh mbi 1.2 miliard € të cilat e çuan borxhin publik në 83%  pa marr parasysh dhe borxhin e fshehur. Jo se nuk i ka pasur mundësitë për të ndihmuar biznesin por nuk ka dashur.”

Shoqata gjykon se pasojat e dëmit të shkaktuar për ekonominë, qytetarët  dhe biznesin do të jetë i madh dhe i pariparueshëm ndër vite.

“Ekonomia është gati në fundin e humnerës”- thotë shoqata, teksa qeveria vijon të pasurojë bizneset tek të cilat ka interesa. Shoqata shprehet se po mendon forma proteste që të jenë conform ligjit dhe rregullave anti COVID-19.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë