Financa Personale

Nga maji, Kosova dhe Shqipëria heqin tarifat e Roaming-ut

Një nga vendimet më të rëndësishme të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Pejë , heqjen e Roaming, duket se do të hyjë në fuqi në maj të këtij viti.

Lajmi u konfirmua nga koordinatori kombëtar i të dy qeverive, Fatmir Limaj, i cili ka konfirmuar për media në Kosohvë se heqja e tarifave dhe shumë marrëveshje tjera të arritura mes Kosovës dhe Shqipërisë, janë drejt zbatimit.

“Ne, si Kosovë jemi gati të heqim menjëherë Roaming por besoj se edhe Tirana shumë shpejt do të marrë një vendim dhe në maj nuk do të kemi më probleme. Me pas do të zbatohet njohja e patentave që është drejt përfundimit. Ndërsa për qarkullimin e lirë të qytetarëve, duhet të jemi të kujdesshëm dhe të respektojmë obligimet që kemi me Bashkimin Evropian”, thotë Limaj.
Heqja e tarifave të Roaming ka qenë një nga marrëveshjet e firmosura nga kryeministrat Rama-Haradinaj pasi këto tarifa janë dyfish më të larta sesa ato që përdoren për telekomunikim brenda vendit.

Ajo vjen pasi edhe Bashkimi Evropian u ka kërkuar të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që ta heqin këtë tarifë, si formë lehtësimi për komunikimet ndërmjet qytetarëve.
Agron Dida, ekspert për çështje të telekomunikacionit thotë se se heqja e kësaj tarife është në dobi të qytetarëve dhe bizneseve.

“Duhet bërë çmos që diplomacia jonë të veprojë me partnerët e tyre në Shqipëri dhe të ecim përpara. Kosova ka nevojë për komunikime me botën, veçanërisht me Shqipërinë”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë