Treg

Zhvlerësimi i euros, eksportet bien me 22%. Humbja më e madhe që nga pandemia

Nga Gazeta ‘SI’ - Muaji gusht ka rezultuar mjaft negativ për eksportet shqiptare të cilat kanë shënuar një rënie vjetore me 22% vetëm në muajin gusht. Krahasuar me korrikun, rënia llogaritet 27.4%. Në vlerë nominale, eksportet arritën 27 mld lekë. Kjo është rënia më e fortë që nga koha e pandemisë.

Ky është efekt i drejtëpërdrejtë i zhvlerësimit të euros, siç përmend dhe vetë Instat, i paralajmëruar prej kohësh nga eksportuesit. Që nga muaji korrik, kur euro preku nivelet minimale kundrejt lekut, shoqatat e eksportuesve në vend iu drejtuan qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë për ndihmë, pasi “rënia e euros po i falimentonte”.

Edhe importet e mallrave nga ana tjetër ranë, por më ritme më të ngadalta. Nga gushti 2022 në gushtin 2023 rënia ishte 15% ndërsa nga korriku në gusht 4%. Importet e mallrave arritën vlerën 68 mld lekë.

Për shkak të humbjeve, sidomos në import, hendeku midis dy treguesve është zvogëluar dhe deficiti tregtar është ulur me 9.5% ,në 40 mld lekë. nga korriku rezulton me rritje 23%.

Instat përmend se ky është efekt i drejtëpërdrejtë i zhvlerësimit të euros në tregun vendas, por edhe rënia e çmimeve në tregjet botërore të produkteve kryesore.

Për të gjithë 2023-shin deri në gusht, eksportet rezultojnë po me rënie, rreth 9%, në një vlerë 300 mld lekë. Ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 577 mld lekë, duke u ulur me -5%. Deficiti tregtar arriti vlerën 277 mld lekë, duke u ulur me -0.8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022.

Sipas sektorit, ndërtimi dhe fasoneria duket të jenë aktivitetet më të prekura nga kjo rënie, respektivisht me -14.3% dhe -3.8%. Prodhimet e drurit dhe letrës kanë rënë me 1.3%.

Në muajin Gusht 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Gusht 2022 janë: Italia (15.5 %), Spanja (64.4 %) dhe Gjermania (42%). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritje më të madhe, janë: Kosova (27.9 %) dhe Greqia (32.2 %). Gjatë këtij tetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (11%), Gjermania (28.3 %) dhe Kina (23.2 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, janë: Kosova (10%), Greqia (17.1 %) dhe Spanja (9.9 %).


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë