Menaxhim

Nga kriza kibernetike tek sektorët e riskuar, qeveria shkrin AKCESK dhe krijon agjencinë e sigurisë në varësi të kryeministrit

Nga Gazeta 'SI' - Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik, AKCESK, është shkrirë përfundimisht, me dekretin e presidentit të vendit.

Agjencia do të quhet Autoriteti i Sigurisë Kibernetike me varësi të drejtpërdrejtë të kryeministrit dhe ka për detyrë hartimin e një raporti kombëtar për nivelin e sigurisë kibernetike në vend, rrezikut, kapaciteteve etj dhe një strategji. Strategjia do të jetë me efekt 5-vjeçar dhe parashikohet të shkojë rreth 5 mld lekë vetëm për këtë autoritet.

Qeveria përcakton në dokument sektorët kritikë më të cënuar ndaj sulmeve kibernetike, atë të energjisë, transportit, sistemin bankar, sektorët e mbrojtjes publike si policia etj dhe shërbimet postare.

Sipas ligjit të ri, një incident kibernetik konsiderohet i rëndësishëm, nëse ka shkaktuar ose është në gjendje të shkaktojë ndërprerje të rëndë operacionale të shërbimeve ose humbje financiare për operatorin e  prekur. Ka ndikuar ose është në gjendje të prekë persona të tjerë fizikë ose juridikë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale ose jomateriale.

Qeveria parashikon në draftin e ri edhe skenarin më të keq të mundshëm, atë të krizës kibernetike, kur kërcënimi është i pashmangshëm edhe nga autoriteti i sigurisë kibernetike. 

Gjendja e krizës kibernetike shpallet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Kryeministrit. Vendimi për shpalljen e gjendjes së krizës kibernetike njoftohet në media. Ajo mund të zgjasë 7 deri në 30 ditë.

Në projektligj parashikohet ngritja e disa mikroorganizmave, ndër të cilat me më shumë detyra është CSIRT, ekipi i Përgjigjes ndaj Incidenteve të Sigurisë Kibernetike, pranë Autoritetit. CSIRT do të shërbejë si pikë lidhëse për institucionet shtetërore dhe private me Autoritetin. Ky ekip do të ketë dhe detyrën e informimit publik në rast sulmesh.

Ligji shpjegon edhe masat që duhet të marrin subjektet private dhe publike për të garantuar sigurinë kibernetike dhe në të kundërt do të gjobiten në vlera deri 10 milionë lekë. Me miratimin e këtij ligji shfuqizohet ligji paraardhës i sigurisë kibernetike dhe ai i nënshkrimit elektronik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë