Politike

Nga korrupsioni, Drejtësia deri te lideri ‘Non Grata’ e protesta e 8 janarit për të rimarrë PD-në. Raporti i DASH për Klimën e Investimeve në Shqipëri

Gazeta Si - Shqipëria është një vend i vështirë për të bërë biznes, ku korrupsioni endemik nuk i lë vend konkurrencës së lirë.

Raporti i fundit i DASH për Klimën e Investimeve 2022, fshikullon Shqipërinë dhe e cilëson si një vend jo miqësor, ku vijojnë të jenë një problem korrupsioni, konkurrenca dhe pronat.

Mes reshtave të saj në raport, DASH kujton vrasjet në 21 janar 2011 në bulevard dhe shprehet se përpjekjet për dhunë politike së fundmi janë të rralla.

Duke iu referuar protestave të Partisë Demokratike në 8 janar 2022, DASH shton se ato u udhëhoqën nga një ish-lider shqiptar i shpallur “non grata”, duke iu referuar ish-kryeministrit Berisha, por pa ia përmendur emrin.

Ambient jo miqësor për investitorët

DASH thotë se pavarësisht një kuadri ligjor të shëndoshë, investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes.

Këtu përmendet korrupsioni endemik, përfshirë në gjyqësor dhe prokurimet publike, konkurrenca e pandershme, ekonomia informale, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal dhe zbatimi i dobët i kontratave, si sfida të vazhdueshme për investimet dhe biznesin në Shqipëri.

“Shqipëria ka një legjislacion shumë të mirë për biznesin por perceptimi i të huajve nuk është ai që duhet. Ata radhisin problemet me korrupsionin, sidomos atë në drejtësi, çështjet e pronësisë por edhe konkurrencën e pabarabartë si problematike kryesore”, - thuhet në raportin e DASH-it

Departamenti i Shtetit nënvizon se si një vend në zhvillim, Shqipëria ofron potencial të madh të pashfrytëzuar për investime të huaja në shumë sektorë duke përfshirë energjinë, turizmin, kujdesin shëndetësor, bujqësinë, naftën dhe minierat, dhe teknologjinë e informacionit dhe komunikimit (TIK).

Gjyqësor i korruptuar

Sipas DASH-it, endi ka një kuadër ligjor të shëndoshë për të parandaluar konfliktin e interesit dhe për të luftuar korrupsionin e zyrtarëve publikë dhe politikanëve, përfshirë anëtarët e familjeve të tyre. Megjithatë, zbatimi i ligjit është i rrezikuar nga një sistem gjyqësor shumë i korruptuar.

Shqipëria vijon të ketë rezultate të dobëta në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, sipas DASH.

Në vitin 2021, Shqipëria ra në vendin e 110-të nga 180 vende, një rënie prej gjashtë vendesh nga viti 2020. Shqipëria vazhdon të renditet e ulët në Indeksin Global të Inovacionit, duke u renditur në 84 nga 132 vende.

Pjesë nga raporti i DASH ku përmendet dhuna e Berishës

Dhuna politika dhe 21 janari 2011

Duke u ndalur në aspektin politik, DASH shprehet se dhuna politike në vend është e rrallë, ndërsa sjell në vëmendje zhvillimet e fundit në PD, ku ish kryeministri Sali Berisha tentoi të rimarrë Partinë Demokratike me protesta, edhe pse në raport nuk përmendet me emër.

“Dhuna politike është e rrallë, rastet më të fundit janë një përpjekje e udhëhequr nga një ish-lider shqiptar i shpallur non grata për korrupsion, për të shkelur selinë e partisë në janar 2022 që kërkonte ndërhyrjen e policisë dhe protestat politike në 2019 që përfshinin raste të mosbindjes civile, të ulëta niveli i dhunës dhe dëmtimi i pronës, si dhe përdorimi i gazit lotsjellës nga policia”, citohet në raport.

DASH vëren se “zgjedhjet në Shqipëri të prillit 2021 dhe kalimi në një qeveri të re ishin paqësore, ashtu si edhe zgjedhjet lokale të qershorit 2019”.

Por duke u kthyer më shumë 11 vjet më parë, DASH thekson në raport se “më 21 janar 2011, forcat e sigurisë qëlluan dhe vranë katër protestues gjatë një demonstrate të dhunshme politike”, shkruhet ndër të tjera në raport.

Më 8 janar 2022, mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha sulmuan Partinë Demokratike.

U desh ndërhyrja e policisë, që situata të vihej nën kontroll në pak minuta, pasi po rrezikohej seriozisht jeta e deputetëve që ndodheshin brenda selisë si dhe e kreut të atëhershëm të PD-së, Lulzim Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë