Ne rrjet

Nga këmbimi i të burgosurve te “vijat e kuqe”, ç’pritet të ndodhë në takimin Biden-Putin

Ndoshta nuk do të ketë ndonjë marrëveshje konkrete, por samiti i të mërkurës në Gjenevë (nesër, në 16 qershor) midis presidentit të SHBA-ve Joe Biden dhe presidentit rus, Vladimir Putin, do të jetë ende i dobishëm.

Kjo u deklarua edhe nga Yurij Ushakov, këshilltar diplomatik i udhëheqësit të Kremlinit, në prag të takimit të parë SHBA-Rusi që kur Biden mbërriti në Shtëpinë e Bardhë.

"Nuk jam i sigurt se do të arrihet ndonjë marrëveshje, por ne i shikojmë bisedimet me optimizëm praktik", - tha Ushakov, i cili pranoi gjendjen e dobët të marrëdhënieve midis Moskës dhe Uashingtonit, të përcaktuar si "në një ngërç".

"Situata, - shtoi ai, - është afër të qenit kritike dhe është e qartë se diçka duhet bërë në këtë kontekst". Për diplomatin, tashmë do të ishte një sukses nëse ambasadorët përkatës do të ktheheshin në punë në kushte normale.

Një patrullë detare e policisë zvicerane pranë hotelit "Intercontinental" në Gjenevë, ku Joe Biden dhe Vladimir Putin do të takohen në 16 qershor

Ushakov zbuloi se të dy udhëheqësit do të diskutojnë gjithashtu për një shkëmbim të mundshëm të të burgosurve: dy ish-marinsa të ndaluar aktualisht në Rusi, për disa rusë në burg në Amerikë, përfshirë tregtarin e armëve, Viktor Bout.

Do të ishte një masë klasike e "ndërtimit të besimit", domethënë një mënyrë për të rifilluar fillin e dialogut, duke rindërtuar një minimum besimi të ndërsjellë.

Zëvendës-kryeministri rus, Sergey Ryabkov, në një intervistë me “Izvestia”, gjithashtu shpresonte që amerikanët të ndienin përgjegjësinë e samitit të 16 qershorit, duke evokuar simbolikën e një vendi si Gjeneva, një nga kryeqytetet diplomatike të botës dhe skena e samiteve SHBA-BRSS gjatë Luftës së Ftohtë dhe bisedimet historike të paqes: "Shpresoj se kjo ndihmon në krijimin e atmosferës së duhur".

Në qytetin e Liqenit të Gjenevës, Eisenhoweri dhe Hrushovi, u takuan në vitin 1955, një samit i rëndësishëm që prodhoi Marrëveshjen e famshme të Qiejve të Hapur, nën të cilën SHBA dhe BRSS filluan të shkëmbenin harta gjeografike dhe rrugë për të shmangur aksidentet dhe për të ulur nivelin e tensionit.

Nga ajo marrëveshje, në vitin 1992, lindi traktati që autorizonte të dy vendet për të kryer fluturime zbulimi mbi territorin e tjetrit.

Por samiti më i famshëm i Gjenevës, mbetet ai i vitit 1985, midis Ronald Reagan dhe Michail Gorbachov, prologu i sezonit që do të kishte çuar në marrëveshjen për eliminimin e euro-raketave dhe më pas fundin e  Luftës së Ftohtë. Sipas shumë analistëve, takimi nuk mund të rezultojë efikas.

Një fotografi të datës 10 mars 2011, atëherë zv.presidenti amerikan Joe Biden, shtrëngonte duart me kryeministrin rus, Vladimir Putin në Moskë, Rusi

Biden ka një listë të gjatë të kërkesave dhe "vijave të kuqe" që Putini nuk duhet t’i kalojë. Nga Ukraina, te fati i disidentit Navalni. Por presidenti amerikan ka pak ose asgjë për të ofruar në këmbim.

Vetëm një shembull: amerikanët nuk kanë ndërmend të përfshijnë rusë dhe kinezë në komitetet teknike për ndryshimin e klimës. Mosbesim reciprok i mbështetur edhe nga Moska.

Ka shumë diskutime në lidhje me zgjedhjen e Biden për të mos mbajtur një konferencë të përbashkët shtypi me Putinin. Një shenjë e pasigurisë? Këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë preferojnë të flasin për kujdes. Në thelb, ata nuk i besojnë paparashikueshmërisë së Putinit para kamerave. Biden mund ta gjente veten në telashe para audiencës botërore.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë