Futboll

Nga Kavani te Gëce, sa shumë opsione për blerje me parametra zero!

Me futbollin e luajtur në “stand-by” për shkak të emergjencës së koronavirusit, klubet po planifikojnë merkaton për sezonin e ardhshëm. Dhe në listën e lojtarëve, të cilëve u skadon kontrata në fundit të qershorit, spikasin emra mjaft interesantë. Do të ishin blerje me parametër zero dhe klubet që do t’i merrnin do të ishin me fat.

Nga Kavani e Uillian, për të vazhduar me Zhiru, Vertongen, Tiago Silva, Munier, Kurzava e Gëce. Shumë kampionë mund të ndryshojnë fanellë për të nisur një aventurë të re dhe konkurrenca mes klubeve pritet të jetë e fortë në merkaton e verës. Bilancet e klubeve janë rënduar nga bllokimi i futbollit nga koronavirusi, kështu që lojtarët në skadencë kontrate do të jenë protagonistët e mëdhenj të merkatos verore.

Edinson Kavani, sulmuesi uruguaian i PSG-së. Gazeta Si, 7 prill 2020

Zhiru dhe Kavani janë dy sulmuese race, dy bomber që kërkojnë sfida të reja. Në merkaton e janarit, Interi dhe Lacio luftuan fort për sulmuesin francez, por në fund Çelsi bllokoi gjithçka. Në qershor këto dy skuadra mund të rifillojnë garën, kuptohet edhe nëse futbollisti ul pak pretendimet e tij për të ardhmen. Në merkaton e dimrit, Zhiru kërkonte një kontratë dyvjeçare me 5 milionë euro në vit. I njëjti diskutim edhe për Kavanin, që në janar u kërkua nga Atletiko Madrid dhe marrëveshja nuk u mbyll për pak. Për uruguaianin janë të interesuar edhe disa klube të Amerikës së Jugut, si Boka Zhuniors, Flamengo, Palmeiras dhe Internacional.

Opsione që në qershor do të tërheqin vëmendjen janë edhe Uillian e disa lojtarë të PSG-së. Uillian e ka ndarë mendjen të largohet nga Çelsi dhe me parametra zero ai mund të jetë një goditje e madhe për çdo klub. Juventusi po e monitoron. PSG-ja, veç Kavanit, mund të humbë edhe Tiago Silvën, që mund të kthehet te Milani ose në Brazil, mbrojtësin e krahut Tomas Munier, i cili është në shënjestrën e Borusia Dortmund, Inter, Totenhem dhe Mançester Junajtid, si dhe Kurzavën, që pëlqehet shumë nga Barcelona.

Pedro, sulmuesi spanjoll i Çelsit. Gazeta Si, 7 prill 2020

Të tjera goditje me parametra zero mund të jenë Pedro, sulmuesi spanjoll i Çelsit, që po ndiqet nga Roma dhe Lazio, Vertongen që mund të kthehet te Totenhemi, por edhe gjermani Gëce. Kampionit të botës me Gjermaninë në 2014-ën i përfundon kontrata me Borusian dhe ai është gati t’i japë lamtumirën Bundesligës. I është propozuar Romës dhe Milanit, por për momentin asnjë nga këta dy klube nuk e kanë në plane futbollistin gjerman.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë