Muzike

Nga fëmijëria e trazuar tek sfida ndaj kishës katolike, jeta e shkurtër e Sinead O’Connor, këngëtarja që vuajtjet i hodhi në këngë

Këngëtarja dhe aktivistja irlandeze Sinéad O'Connor ka vdekur në moshën 56-vjeçare.

Lajmin e bëri të ditur familja e saj ndërkohë që shkaku i vdekjes nuk është bërë ende publik. Ajo kishte folur hapur për probleme të shëndetit mendor, duke thënë se ishte diagnostikuar me çrregullim bipolar.

Ajo ishte e njohur për këngën e saj ‘Nothing Compares 2 U’, e lëshuar në vitin 1990, që u emërua si kënga numër një botërore në vitin 1990 nga Billboard Music Awards dhe i dha këngëtares famë botërore.

Lindur në Dublin, në dhjetor 1966, këngëtarja pati një fëmijëri të vështirë.

Adoleshente, ajo u vendos në Qendrën e Trajnimit ‘An Grianan’ të Dublinit, dikur e krijuar fillimisht për të burgosur vajza të reja që konsideroheshin të shthurura.

Një murgeshë i bleu asaj një kitarë dhe e lidhi me një mësues muzike, gjë që çoi në fillimin e karrierës muzikore të O'Connor.

Ajo publikoi albumin e saj të parë ‘The Lion And The Cobra’ në 1987, i cili hyri në top 40 në Britani dhe SHBA.

Vazhdimi i saj ishte me Nothing Compares 2 U. E shkruar nga Prince, kënga arriti numrin një në mbarë botën. O'Connor, ka lëshuar në treg 10 albume prej 1987 deri në 2014.

Në vitin 1991, ajo u shpall artistja e vitit nga revista Rolling Stone dhe mori çmimin Brit si artiste solo ndërkombëtare.

Vitin e ardhshëm, një nga ngjarjet më të mëdha të karrierës së saj ndodhi kur ajo hodhi një fotografi të Papa Gjon Palit II në shfaqjen televizive amerikane Saturday Night Live, ku ajo ishte interpretuesja e ftuar.

Pas performancës, ajo shikoi kamerën dhe tha "luftoni armikun e vërtetë", një protestë kundër abuzimit seksual të fëmijëve në Kishën Katolike.

Veprimet e saj rezultuan në ndalimin e saj të përjetshëm nga transmetuesi NBC dhe protesta kundër saj në SHBA, ku u shkatërruan kopjet e regjistrimeve të saj në Times Square të Nju Jorkut.

"Nuk më vjen keq që e bëra. Ishte e shkëlqyer," tha ajo në një intervistë me New York Times në 2021.

Albumi i fundit në studio i O'Connor, ‘I'm Not Bossy, I'm The Boss’, u publikua në vitin 2014.

Duke u konvertuar në fenë Islame në vitin 2018, këngëtarja ndryshoi emrin e saj në Shuhada' Sadaqat, por vazhdoi të performojë me emrin e saj të lindjes.

Në janar 2022, djali i saj 17-vjeçar Shane u gjet i vdekur pasi u raportua i zhdukur dy ditë më parë.

Duke shkruar në mediat sociale pas vdekjes së tij, ajo tha se ai "kishte vendosur t'i jepte fund luftës së tij tokësore" dhe kërkoi që "askush të mos e ndjekë shembullin e tij".

Këngëtarja më vonë anuloi të gjitha shfaqjet live për pjesën tjetër të vitit 2022 për shkak të dhimbjes së saj të vazhdueshme pas vdekjes së djalit të saj.

O'Connor e nderoi Shane në një nga postimet e saj të fundit në Twitter, duke e quajtur atë "dashuria e jetës sime, llamba e shpirtit tim, ne ishim një shpirt në dy gjysma".

Regjisorja e Belfast-it, Kathryn Ferguson, një nga njerëzit e fundit që foli me O'Connor para vdekjes së saj, tha se ishte e shkatërruar nga lajmi.

Ferguson kishte punuar në një film dokumentar për O'Connor, të titulluar Nothing Compares, i cili do të dalë tani shpejt.

“Ajo është një nga muzikantet më radikale dhe të pabesueshme që kemi pasur. Dhe ne ishim shumë, shumë me fat që e patëm”.

Të shumtë ishin të tjerë të famshëm që reaguan pas vdekjes së saj.

Këngëtarja Alison Moyet tha se O'Connor kishte një prezencë befasuese dhe një zë që "plasi gurin me forcë”.

Komediani irlandez Dara O'Briain tha se "Ky është një lajm shumë i trishtuar. Shpresoj që ajo ta ketë kuptuar se sa shumë e donin”.

Autorja irlandeze Marian Keyes e përshkroi vdekjen e O'Connor si "zemërthyese".

“Si vuajti ajo. E gjora, e gjora Sinead. Pusho në paqe, o mrekulli, trime, e bukur, unike”.

Këngëtari Bryan Adams, i cili ka bashkëpunuar me O'Connor, shkroi: "RIP Sinead O'Connor, më pëlqeu të punoja me ty duke bërë foto dhe koncerte në Irlandë së bashku”.

Të gjitha ato që këngëtarja përjetoi në fëmijëri i hodhi në këngë.

“I Am Stretched On Your Grave” është një këngë jashtëzakonisht e bukur për dashurinë dhe humbjen, ndërsa “Three Babies”, nga albumi i saj i dytë, tregoi dhimbjen e saj pasi kishte pësuar disa aborte.

Edhe pse ishte një figurë kontroverse, protestat e saj kishin gjithmonë një butësi. Kur ajo grisi një foto të Papës në televizionin amerikan, ajo po mendonte për viktimat e abuzimit, jo për imazhin e saj.

Nothing Compares 2 U ishte kënga më e rëndësishme e saj. Një këngë që e bëri atë të famshme kundër asaj që ajo priste. Në zemër, ajo ishte një këngëtare që donte të protestonte, me një zë që kërkonte të dëgjohej. Kështu duhet ta kujtojmë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë