Lajme

Nga doganat te patentat, çfarë u firmos mes Kosovës e Shqipërisë

Mbledhja e përbashkët ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe kabinetit qeveritar të Shqipërisë duket se ka sjellë një sërë deklaratash të forta kundër Serbisë dhe BE-së dhe firmosjen e një sërë marrëveshjesh dypalëshe.

Ministrat e dy qeverive nënshkruam ndër të tjera marrëveshjen për heqjen e çmimeve të shërbimeve roaming dhe një protokoll për kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë.

Kryeministrat Ramush Haradinaj dhe Edi Rama mbajtën një fjalim me tone të forta para mediave, duke deklaruar se dy qeveritë kishin një vullnet të fortë për të ecur krah për krah përpara dhe për të përballuar së bashku sfidat rajonale, sidomos ato që lidhen me Serbinë.   

Marrëveshjet e nënshkruara:

Kosova dhe Shqipëria nënshkruan një marrëveshje për heqjen e çmimeve të shërbimeve Roaming për rrjetet publike të komunikimeve të lëvizshme ndërmjet ministrive përgjegjëse për fushën e komunikimeve elektronike.

Prishtina dhe Tirana nënshkruan po ashtu një protokoll për kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë. Rama deklaroi se nuk do të ketë asnjë barrierë tarifore mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Sot morën hapin e parë për unifikimin e doganave. Nga një janari, Kosova do të ketë pikën e saj të tranzitit në Durrës. E përmendi Haradinaj pikën kufitare të Morinës, e cila do të kthehet në një pikë fluide të kontrollit ët përbashkët, ku të dyja policinë dhe doganat do të punojnë në një pikë. Është e papranueshme dhe e pajustifikueshme që shqiptarët e Kosovës vazhdojnë të mbahen peng i zgjedhjeve të brendshme të BE-së”, deklaroi kryeministri shqiptar.

Shqipëria dhe Kosova nënshkruan po ashtu një protokollit ndërmjet ministrive të bujqësisë së dy qeverive për njohjen bilaterale dhe unifikimin e modeleve të certifikatave shëndetësore, veterinare dhe fito sanitare që do të shoqërojnë ngarkesat e kafshëve të gjalla, produkteve me origjinë shtazore dhe produktet bimore gjatë importit, eksportit dhe transitit.

Edi Rama & Ramush Haradinaj

Lidhur me këtë marrëveshje, Rama deklaroi se: 42 certifikata dhe dokumente qe lidhen me gjënë e gjallë dhe produkteve bujqësore do te hiqen, që në pikat e kontrollit kufitar të njihen vetëm dokumentet e njërës palë. Ky është një hap i madh, një hap shembullor për gjithë rajonit. E ardhmja kërkon që mos të ketë barriera tarifore dhe jo tarifore.

Po ashtu në Pejë u nënshkrua një marrëveshjeje për bashkëpunimin në fushën e borxhit publik, financimeve të huaja dhe marrëdhëniet me institucionet Financiare Ndërkombëtare dhe memorandum mirëkuptimit për pronësinë industriale.   

Rama-Haradinaj

Dy kryeministrat nënshkruajnë mbi flamur

Gepostet von Gazeta Si am Montag, 26. November 2018

Dy qeveritë nënshkruan edhe një marrëveshje për bashkëpunim në fushën e rinisë, për të rritjen e aktiviteteve kulturore mes nxënësve të të dyja vendeve.

Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës nënshkruan po ashtu një marrëveshje për bashkëpunim, nxitjen e biznesit dhe të informimit të diasporës. Po ashtu u nënshkrua edhe marrëveshja reciproke për njohjen e patentave dhe një memorandum për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë.

Pas ceremonia solemne të nënshkrimit të marrëveshjeve mes dy qeverive, Rama i bëri thirrje Serbisë të zbresë me këmbë në tokë dhe Bashkimit Europian mos të tregonte përralla

Taksat ndaj mallrave serbë nuk është një vendim ekonomik por politik, një ftesë që Serbia të zbresë me këmbë në tokë dhe të kuptojë se dialogu nuk mund të bëhet me thika pas shpinës ndaj shqiptarëve. Rasti i fundit ishte Interpoli, kur Serbia bllokoi edhe njëherë anëtarësimin e Kosovës”, deklaroi ai. “Na e bëmë kokën dhallë, kaloni demarkacionin, kaloni demarkacionin, ndërkohë që Serbia pa njohur Kosovën po hap kapitujt e anëtarësimit . Ne jemi të vegjël, krahasuar me vendet e tjera, por jemi gjallë nuk kemi vdekur akoma.    

Rama theksoi se Shqipëria është e vendosur të ketë një bashkëpunim strategjik me Serbinë, por se është e papranueshme që të hyjnë në Kosovë me dokumentet “Kosovë-Metohie”.

“Metohinë ta mbajnë për vete, kjo është republika e Kosovës. Mos të na tregojë përralla miqtë tanë europianë, mos të na kërkojnë më shumë seç na mbajnë gjunjët, ndërkohë që Serbinë vazhdojnë ta përkëdhelin në një mënyrë të papranueshme. Serbia nuk është viktima, Kosova është viktimë”, deklaroi Rama. “Për ne pavarësia e Kosovës është e padiskutueshme, nëse ata duan ta diskutojnë le ta diskutojnë, por ne nuk do të na kenë në krah”. 

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e dy qeverive Shqipëri-Kosovë, në Pejë:

Dje përkujtuam në Prizren, për të dytën herë brenda këtij viti, amanetet dhe urdhëresat e Lidhjes Shqiptare, të cilat koha nuk i ka zbehur aspak por i ka në rendin e ditës. Sot dua të sjell këtu pasazhet e një letre që shqiptari i madh prej Kosove, At Shtjefën Gjeçovi, i dërgonte prej Pejës Faik Konicës, 120 vjet më parë, më 1898: “Zemra e nji shqiptari t’vërtet do të lakmonte bashkimin nder vedi; Gegë, Toskë të jemi njimendjet e një zemret, mos të degatohemi (ndahemi) ndër erë për në dashtshnim këtë Shqypni, kaq të mirë e të hijshme”.E pra, për Shqipërinë, Kosova është një shtet i pavarur, sovran, i barabartë me të ngjashmit e tij, nën një regjim kushtetues demokratik dhe liberal, garancia dhe qenësia e normalizuar e të cilit është çelësi i stabilizimit përfundimtar dhe i ndërlidhjes rajonale në një pikëpamje afatgjatë. Për Kosovën, përveç së qenuri sentimentalisht shëmbëlltyra referencë e kombndërtimit të saj, Shqipëria është shteti natyralisht më i prirur për bashkëpunim dhe më i interesuar për suksesin e Kosovës, pas lindjes se saj si shprehje e një drejtësie të munguar. Kjo drejtësi, është në të vërtetë, e drejta ndërkombëtare dhe sot është dita për ta thënë me forcë se ajo e drejtë, e drejta ndërkombëtare, nuk njeh gjysmë-shtete, apo shtete në letër të zhveshur nga prerogativat dhe tagret e vetëqeverimit të tyre. Kjo drejtësi, e drejta ndërkombëtare, është ajo e të drejtave të njeriut, që nuk njeh gjysmë-njerëz dhe nuk i vlerëson të drejtat themelore të lëvizjeve dhe shkëmbimeve të individëve dhe të mallrave, me gjysmë çmimi. Ne i kemi mirëpritur dhe i mirëpresim në çdo çast të gjitha dinamikat dypalëshe e shumëpalëshe që çojnë drejt plotësimit kuadrin ende artificialisht të gjymtuar të sovranitetit të Republikës së Kosovës dhe dinjitetit të popullit dhe lëvizjes së tij të lirë. Ja pse kemi qenë dhe mbetemi të zhgënjye nga qasja e Bashkimit Europian dhe e të gjithë atyre shteteve që janë në themel të Pavarësisë së Kosovës në raport me të drejtën për lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj. Dhe ja pse themelimi i forcave të rregullta të armatosura të Republikës së Kosovës, ishte hapi i duhur, hapi domethënës dhe kuptimplotë ne drejtim të plotësimi të kuadrit të një shteti që nuk mund të jetë dhe nuk mund të konsiderohet nga askush një gjysmë shtet. Por, nga ana tjetër, vonesat në procese si Interpoli, më së fundi janë shfaqje dekurajuese për qasjen e partnerëve potencialë në këtë rajon, që mjerisht ende gdhihen dhe ngrysen me mendësi dhe instrumente konfliktualiteti, por edhe me skema frikërash dhe makthesh të sforcuara, për tu viktimizuar në sytë e botës, ndërkohë që viktima, Kosova, ka shfaqur qysh në krye të herës vullnetin për ta kapërcyer të shkuarën përmes një dialogu të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë, dialog, i cili, hiri i të vërtetës e do të thuhet, nuk është gjithmonë i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë nga ana tjetër. Republika e Shqipërisë, përmbushjen e kuadrit të sovranitetit të Republikës së Kosovës e sheh si një kusht që të reshtë përdorimi i Ballkanit Perëndimor si një zonë ku konfliktet janë gjithmonë kërcënim potencial. Ofiçinave të tyre, gjymtimi i këtij sovraniteti u jep dorë dhe gojë që të shpallin brishtësinë e Kosovës, si një vend që iu vjen për shtat ta mbajnë në kllapa, duke e shfaqur si kloakun e Ballkanit, herë si barkun e butë të krimit të organizuar, herë si mjekrën e fshehur të islamizmit radikal, herë si luftënxitësin e përhershëm ndëretnik. Ndërkohë që, Kosova është as më shumë e as më pak në të gjithë këto vite, shëmbëlltyra më kuptimplotë e dëshirës për paqe, shprehja më rrezatuese e respektit për minoritetet dhe nga ana tjetër, mishërimi më domethënës i vullnetit për bashkëpunim, dialog dhe ndërveprim të sinqertë. Republika e Shqipërisë ka bindjen, që, fort e ndryshme nga ajo e aleatëve dhe shteteve më demokratike të rruzullit, nuk është se udha për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit kalon nga pranimi prej të gjithëve dhe pa kushte paralizuese dhe zvetënuese, të Kosovës, në besëlidhjen e shteteve të qytetëruara. Kjo është domosdoshmëri dhe jo një nga misionet.
Republika e Shqipërisë është tërësisht e angazhuar të ndihmojë në këtë proces, duke i qëndruar larg çdo veprimi që do të nënkuptonte një tutelë, apo një shoqërim të sforcuar. Kosova ka treguar se është absolutisht në gjendje të luajë rolin e saj ndërkombëtar, qoftë edhe në negociata, qoftë edhe me vende që dakordësitë drejt konsensusit i nënshkruajnë me dorën e djathtë, për t’i grisur më pas me të majtën, pa u tharë ende boja. Kosova ka bërë përparim thelbësor në rrafshin rajonal, duke marrë presidencën e radhës në Fondin e Ballkanit Perëndimor dhe në Procesin Bashkëpunimit për Evropën Juglindore (SEECP). Po ashtu, roli i saj është dëshmuar të jetë substancial edhe në angazhimet të tjera rajonale. Sigurisht dhe këtu duhet thënë hapur dhe drejtpërdrejtë, ne nuk mund veç të konstatojmë se në dialogun me Serbinë, Republika e Kosovës ka përparuar, duke ditur të bëjë lëshimet që i gjykon të nevojshme, duke iu përmbajtur parimeve të reciprocitetit dhe sovranitetit, por duke mos e marrë mbrapsht atë që i takon. Janë bërë përparime në shumë drejtime dhe një draft dakordësimi është në përgatitje e sipër nën mbikëqyrjen e Bashkimit Europian, për shembull. Ama, frenezia me të cilën Serbia po bllokon pranimin e Kosovës në instanca rajonale dhe ndërkombëtare, e deri tek kurajoja e pashpjegueshme për të kërkuar tërheqjet e njohjeve të Kosovës si Republikë, nuk është thjesht shqetësuese, është sfiduese deri ne dekurajimin e vete procesit të dialogut dhe është provokuese deri në nevojën për reagime proporcionale.Asnjë presje nuk i hiqet përfundimeve të një ish ministri britanik, sipas të cilit, “bllokimi i njohjes së Kosovës, është inkurajimi më cinik ndaj enklavave kriminale, ku bashkëpunojnë mafie po aq multietnike sa vetë popullsia e Kosovës. Përpjekjet e Serbisë” – shkruan ish ministri britanik – “kanë cenuar ekonomikisht të gjithë komunitetet pa përjashtim. Fermerët kosovarë nuk shesin dot prodhimet e tyre në Serbinë e jugut. Konteinerët, apo vagonë të tërë me frutat dhe perimet dhe prodhime të një klime të favorshme, të kërkuara në tregjet e Europës Veriore, duhet të dilnin përditë nga Kosova. Por edhe këtu, si kudo gjetkë, Serbia bllokon. Tatimet në Serbi pajisin me certifikata firmat serbe në Kosovë, gjë që i lejon, me përjashtim të atyre të kosovarëve shqiptarë, të shesin prodhime në Serbi. Sipas Bashkimit Europian, sistemi paralel i dokumentacionit përkatës bie ndesh me konceptin e Kosovës si një zonë e vetme tregtare doganore në të cilin vetëm autoriteti kosovar ka të drejtë të lëshojë të tillë certifikata”.
Spektri i bllokimit të marrëveshjes së Energjisë dhe ndërprerjes së linjës 400kv midis Shqipërisë dhe Kosovës për këtë shkak, dëshmon se ndërlidhja rajonal është peng, jo i paaftësisë së rajonit për ta konkretizuar, por i një filozofie të tërë, i një strategjie të tërë, i një qasjeje të tërë bllokuese, regresive të njërit prej vendeve rrugëtimi historik natyral i të cilit duhet ta bënte të ndihej lokomotivë e integrimit.
Po Romingu dhe lënia e Kosovës jashtë tij?
E pra, ja se si në këtë kontekst kaq te posaçëm goditjesh te vazhdueshme pas shpine ndaj Kosovës nga ana e fqinjit të madh, merr edhe shpjegimin tarifa 100% për produktet serbe. Një vendim irracional në kushte normale, por krejt normal në kushte irracionaliteti, si ato që përvijon vijimisht qasja e dyfytyrtë e Serbisë.
Kush e sheh tarifën 100% si vendim ekonomik, gabon. Jo, tarifa 100% është reagim politik. Reagim politik ndaj ekseseve të vazhdueshme të një sjelljeje suprematiste të Serbisë ndaj Kosovës.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale i qeverisë së Kosovës më tregonte mbrëmë se si në Beograd, deri në 2 të natës, me anë të të dërguarve të Europës i kërkonin të hiqte fjalën Republika e Kosovës nga fjalimi që do mbante të nesërmen në një mbledhje të përbashkët ku edhe Kosova ishte e pranishme me vullnetin e mirë për të nënshkruar një deklaratë të përbashkët në rrugën e paqtimit dhe të bashkëpunimit rajonal.
“What the fuck!” – do thuhej në gjuhën e Parlamentit Europian.
Ne nuk mund të mohojmë se marrëdhëniet dypalëshe nuk janë gjithmonë pa vështirësi. Mjafton dhe shembulli mes Shqipërisë dhe Kosovës për të kuptuar se në ecurinë e këtyre marrëdhënieve ka vështirësi dhe lëre më pastaj mes Kosovës dhe Serbisë, por ama këto vështirësi janë të kapërcyeshme kur ka vullnet të mirë për të shkuar drejt një horizonti të përbashkët dhe partneriteti Shqipëri – Kosovë, në shumë aspekte, në shumë prej mangësive apo potencialeve të tij e dëshmon këtë.
Sot, ne jemi në fazën kur duhet të konkludojmë duke pasur parasysh edhe çfarë thashë më lartë.
Zero tarifa dhe zero barriera jotarifore brenda gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës. Nëse jemi këtu, jemi këtu për të bërë këtë e duhet ta bëjmë e nuk kemi nevojë të mblidhemi edhe njëherë. Jemi mbledhur 5 herë, sot është koha për të vënë tarifa 100% në veri dhe për të pasur tarifa zero në jug të Kosovës.
Së dyti, duhet të shkojmë drejt bashkimit doganor. Tranzit në 1 janar në Portin e Durrësit për Kosovën dhe hapa të tjerë brenda 6 mujorit të ardhshëm drejt bashkimit doganor. Kush e konsideron këtë si kërcënim, qoftë në Beograd, qoftë në Bruksel, është i mirëpritur të vijë, të ulet në tavolinë, t’i shpjegojmë që nuk është kërcënim, por është një ftesë që të gjithë të tjerët të marrin shembull nga ky bashkëpunim dhe Serbia e para të ndjekë shembullin e këtij bashkëpunimi.
Njohje e plotë e gjithë dokumenteve brenda gjashtëmujorit. Boll u bënë vite të tëra pavarësi, u bënë vite të tëra mbledhje dhe shprehje qëllimesh të mira dhe sot vazdhojnë kërkohen dy palë dokumente për lopët, për viçat, për delet andej e këtej. Një palë dokumente dhe brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm, çfarë jepet në Kosovë si dokument, duhet të konsiderohet dokument i nxjerrë në Shqipëri. Çfarë jepet në Shqipëri si dokument duhet të konsiderohet dokument i nxjerrë në Kosovë dhe sipërmarrësit shqiptarë të Kosovës apo të Shqipërisë mjafton të shkojnë në një derë dhe jo të shkojnë në dy dyer. Ne nuk jemi shqiptarët dhe serbët, ne jemi shqiptarët dhe shqiptarët.
Marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të patentave. Patentat mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë patentat mes Shqipërisë dhe Greqisë që na janë dashur gati 30 vjet negociata për të arritur në një njohje reciproke. Patentat mes Kosovës dhe Shqipërisë janë patenta mes shqiptarëve dhe shqiptarëve.
E tillë është edhe e gjithë lista e dokumenteve. Meqë ata nuk duan që ne të jemi pjesë e marrëveshjes së tyre të roaming, ne bëjmë marrëveshjen tonë të roaming dhe brenda 6 muajit të parë të vitit të ardhshëm, Shqipëria dhe Kosova kanë marrëveshjen e tyre dhe nuk ka më roaming mes nesh. Shëndet dhe mirupafshim!
Pika e unifikuar kufitare e Morinës dhe lehtësimi total i qarkullimit të njerëzve e mallrave mes dy shteteve është hapi që ne do ta hedhim. Unifikimi i gjithë të dhënave të sistemeve tona të përbashkëta për hyrjen në kufijtë e Kosovës dhe në kufijtë e Shqipërisë, në funksion të kufirit të Kosovës dhe të Shqipërisë, është detyra që duhet ta marrin dhe ta kryejnë të dy Ministritë e Brendshme. Të dhënat për të gjithë personat që hyjnë e dalin, duhet të jenë të dhëna në perimetrin e jashtëm të Kosovës dhe të Shqipërisë. Brenda perimetrit duhet të funksionojmë si një kufi pa kufi. Shëndet dhe jemi gati t’i presim të gjithë ata që janë të shqetësuar t’ua shpjegojmë si është kjo punë.
Të gjitha këto do t’i japin një impuls jo të neglizhueshëm shkëmbimeve tregtare, por do të jenë, mendoj unë, një mesazh domethënës për të gjithë partnerët, për Serbinë në radhë të parë. Unë e kam thënë dhe i qëndroj edhe sot. Marrëdhënia jonë me Serbinë eshët strategjike për afat të gjatë, por, nëse Serbia e shikon këtë si shprehje të një nevoje të njëanshme, gabon. Jo, është një nevojë e dyanshme dhe për këtë nevojë të dyanshme, Serbia duhet të jetë e gatshme të ulet në tavolinë me një fytyrë, jo me dy fytyra. Madje me tre në fakt, një fytyrë për Kosovën, një për Shqipërinë dhe një tjetër për komunitetin ndërkombëtar. Të zgjedhë cilën fytyrë do të përdori në marrëdhënie me shqiptarët dhe ne jemi të gatshëm t’i rrimë përballë me të njëjtën fytyrë që do të zgjedhë Serbia.
Dhe e fundit fare, unë ftoj Kryeministrin Haradinaj që të bashkohet me mua në nevojën që të vendosim një fond për dy Ministritë e Jashtme dhe dy Ministritë e Jashtme të fillojnë punën për të bërë një dokument analitik dhe strategjik; Shqipëria, Kosova dhe rruga e bashkimit të shqiptarëve në horizontin e vitit 2025.
Një dokument demografik, ekonomik, social i sistemeve politike dhe të gjitha këto sëbashku. Natyrisht, e di se çfarë do të thonë menjëherë në Beograd, apo kudo qoftë tjetër, por unë kam parasysh bashkimin e shqiptarëve si një domosdoshmëri në rrugën e bashkimit europian dhe Bashkimi Europian duhet t’i japi fund qasjes së dyfytyrtë. Një fytyrë për Shqipërinë, një fytyrë për Kosovën. Shqipërisë i thotë do hapim negociatat sot, do hapim negociatat nesër. Kosovës i thotë do liberalizohemi sot, do liberalizohemi nesër dhe ndërkohë, ajo që ndodh, është që Serbia vazhdon hap kapituj dhe po ia del duke përdorur tre fytyra, ndërkohë ne kemi një fytyrë.
Fytyra jonë është kuq e zi dhe me fytyrën tonë kuq e zi, ne jemi gati t’i qëndrojmë përballë të gjitha sfidave kuqezi që janë sfida të përbashkëta për të rritur ekonominë, prosperitetin e për të garantuar ardhmërinë e kombit tonë, e kombit tonë shqiptar me dy shtete. Dy shtet që i duam të integruara në Bashkimin Europian, dy shtete që i qëndrojnë të gjitha parimeve të të drejtës ndërkombëtare dhe i qëndrojnë të gjitha amaneteve të të parëve tanë. Të parët tanë i kemi të përbashkët, dy shtete që nuk kanë ndërmend të mbeten si vrima e fundit e kavallit në historinë e lodhshme të muzikës së këtij kontinenti, qoftë në Bruksel, qoftë në Beograd.

Edi Rama
 

Më Shumë