Kombetarja

Nga diplomacia e Bulkut, te kërkesa e Hysajt dhe festa me Dukën

Fitorja 0-3 në Andorrë e ka ndryshuar sadopak atmosferën në kampin kuqezi, edhe pse ishte diçka që pritej nga të gjithë. Si kurrë më parë, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka shkuar të festojë në dhomat e zhveshjes me futbollistët dhe të gjithë bashkë kanë bërë një video të shkurtër, të shpërndarë më pas në rrjetet sociale.

Pse ky entuziazëm publik? Për të dhënë mesazhin se Kombëtarja është e bashkuar dhe me tri pikët e marra në Andorrë është në garën e kualifikimit për në Europian. Por më shumë duket një festë e sajuar dhe buzqeshje të sforcuara nga ana e stafit dhe futbollistëve. Mungojnë pikët me Turqinë. Nëse do të ishte marrë qoftë edhe një barazim në ndeshjen e parë të grupit në Shkodër, situata do të ishte shumë më ndryshe dhe festa do të ishte shumë më e ndjerë. Pas fitores me Andorrën, trajneri provizor i Shqipërisë, Ervin Bulku, foli me diplomaci për ish-trajnerin Panuçi. “Nuk duhet t’i hedhim poshtë njerëzit për punën që kanë bërë. Ndoshta edhe Panuçi do të kishte bërë këtë zgjedhje që bëra unë. Kishte rëndësi të madhe ta fitonim këtë ndeshje dhe ia dolëm”, - tha Bulku.

Lojtarët e Kombëtares, stafi dhe presidenti Duka, duke festuar në dhomat e zhveshjes fitoren me Andorrën

Një pjesë e mirë e titullarëve ka folur me optimizëm pas kësaj fitoreje. Mesfushori Taulant Xhaka lavdëroi trajnerin Bulku dhe u shpreh plot besim se Shqipëria ka shanse për të shkuar në Europian. Bekim Balaj nuk preferoi të festonte te goli dhe këtë veprim e shpjegoi me faktin se bëri vetëm detyrën, ndërsa sulmuesi tjetër, Armando Sadiku u shpreh: “Ishte një fitore shumë e rëndësishme për moralin, duke pasur parasysh momentin që pom kalonim. Tani duhet të mendojmë me qetësi për të ardhmen”. Migjen Basha, një nga lojtarët me më shumë përvojë, theksoi se ish-trajneri Panuçi duhej të tregonte më shumë respekt në deklaratën e tij pas humbjes me Turqinë, që e justififikoi me nivelin e ekipit që drejtonte.

Kapiteni i skuadrës, Elseid Hysaj, ka pohuar pas fitores në Andorrë se do të dëshironte që trajneri i ri i Shqipërisë të jetë sërish italian. Ndoshta i plotësoshte dëshira. Një tjetër shkodran, edhe ai kapiten i Kombëtares, por shumë vite më parë, Rudi Vata, theksoi se e vetmja gjë pozitive ishin pikët, pasi gjithçka tjetër ishte e mërzitshme për t’u parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë