Teknologji dhe Inovacion

Nga Apple te Google, teknologjia po nxiton të ndërtojë kufje VR dhe AR

"Realiteti i shtuar", një kategori që përfshin realitetin virtual (VR) dhe teknologjinë më të re të realitetit të shtuar (AR) prej disa kohësh ka qenë në qendër të vëmendjes në botën e teknologjisë. Pothuajse çdo kompani e madhe teknologjike po nxiton të zhvillojë një kufje VR ose AR, të bindura se ajo që ka qenë prej kohësh një treg i veçantë mund të jetë në prag të shndërrimit në diçka shumë më të madhe.

Meta, kompania mëmë e Facebook, ka shitur ndoshta 10 milionë pajisje Quest 2 në 18 muajt e fundit dhe do të lançojë Cambria, një kufje më të avancuar, më vonë këtë vit. Microsoft po prezanton HoloLens 2 për bizneset. Apple pritet të zbulojë kufjet e saj të para afër fundit të vitit dhe thuhet se tashmë ka një model më të avancuar gati. Google është duke punuar në një lloj syzesh të njohur si Iris. Dhe një mori kompanish teknologjike të nivelit të dytë, nga ByteDance tek Sony dhe Snap, po shesin ose zhvillojnë syze të tyre.

“Mendohet se brenda një dekade shitjet e syzeve VR dhe AR mund të rivalizojnë ato të smartfonëve në tregje”, thotë Jitesh Ubrani nga IDC (IDC shqyrton tregjet e konsumit sipas pajisjeve, aplikacioneve, rrjeteve dhe shërbimeve).

"Disa njerëz pyesin: "A mendoni se kjo do të jetë aq e madhe sa ato që krijuan smartfonët?", thotë Hugo Sëart nga Qualcomm, i cili prodhon çipa si për kufjet ashtu edhe për telefonat. "Unë mendoj se do të jetë më e madhe".

Kjo tregon mundësinë për të kontrolluar platformën tjetër të madhe. Apple dhe Google e kanë vendosur veten si pronarë të botës së smartfonëve, duke taksuar çdo blerje në dyqanin e tyre të aplikacioneve dhe duke vendosur rregulla për gjëra të tilla si reklamimi, në kurriz të kompanive të tilla si Facebook. Kushdo që fiton kontrollin e tregut të kufjeve do të fitojë një pozicion të mirë në industri.

"Do të jetë vala tjetër e madhe e teknologjisë dhe të gjithë duan të sigurohen që të marrin një pjesë të saj", thotë Ubrani,

Kërkimi për platformën e radhës vjen pasi shitja e telefonave inteligjentë ka rënë. Dërgesat e telefonave inteligjentë në Amerikë ranë nga kulmi prej 176 milion njësi në 2017 në 153 milion në 2021, sipas IDC. Modeli i reklamimit që ka fuqizuar kompani si Facebook dhe Google është nën sulmin e mbrojtësve të privatësisë. Në përgjigje, Mark Zuckerberg, shefi ekzekutiv i Metës, ka folur për të ardhmen e ndritshme në metaverse. Shefi i Microsoft-it, Satya Nadella, ka thënë se realiteti i shtuar do të jetë një nga tre teknologjitë që formësojnë të ardhmen (së bashku me inteligjencën artificiale dhe llogaritjen kuantike). Sundar Pichai, homologu i tij në Alphabet, kompania mëmë e Google, tha vitin e kaluar se AR do të ishte një "fushë kryesore investimi për ne".

Rreth 90% e kufjeve të shitura sot janë VR. Që kur bleu Oculus, një prodhues i kufjeve, për 2 miliardë dollarë në 2014-ën, Meta ka mbizotëruar tregun, me gati 80% të shitjeve të VR. Quest 2 ka qenë një sukses i madh që nga lansimi i tij në 2020, i ndihmuar nga izolimet dhe një çmim prej 299 dollarë. Krishtlindjet e kaluara, aplikacioni Quest për smartphone ishte më i shkarkuari në Amerikë. Rivalët më të vegjël si HTC, një firmë elektronike tajvaneze, dhe Valve, një zhvillues amerikan i lojërave, të cilat prodhojnë kufje VR të fokusuara në lojëra, janë duke u munduar gjithashtu të kenë një vend në botën e teknologjisë.

Strategjia VR e Metës sillet rreth reklamave, burimi i pasurisë së Facebook. Ajo po shet kufje sa më shpejt që të jetë e mundur për të krijuar një audiencë për reklamuesit, thotë George Jijiashvili nga Omdia, një firmë analistësh.

Ndërsa Meta rrit përpjekjet e saj në VR, të tjerët po eksperimentojnë me teknologjinë më të lidhur të AR. Ndryshe nga VR, që ju çon në një vend tjetër, AR është "i ankoruar në botën përreth jush", thotë Evan Spiegel, shefi i Snap. Aplikacioni i tij Snapchat ka ofruar prej kohësh filtra AR për telefonat inteligjentë, duke i lejuar përdoruesit të shndërrohen në personazhe vizatimorë ose të provojnë praktikisht produkte si rrobat dhe grimin me ndihmën e kamerës së telefonit të tyre. Snap tani po luan me harduerin, duke ndërtuar një grup prototip të "Spectacles" AR, të cilat u janë shpërndarë disa qindra zhvilluesve të softuerit.

Pavarësisht dominimit nga VR, AR është teknologjia që ngjall më shumë entuziazëm për adoptimin masiv në të ardhmen. Edhe me promovimin e ‘pamëshirshëm’ të Metës të koncerteve virtuale, takimeve në zyrë dhe më shumë, pak njerëz përdorin VR për diçka tjetër përveç lojërave: 90% e 2 miliardë dollarëve të shpenzuara për VR vitin e kaluar shkuan për lojëra. Tim Cook, shefi i Apple, ka kritikuar tendencën e VR për të "izoluar" përdoruesin.

Me këto skenare, kufjet mund të jenë pjesë e një ekosistemi më të gjerë të teknologjisë që tërheq vëmendjen e konsumatorëve dhe i largon nga telefonat inteligjentë që i kanë hipnotizuar ata prej disa kohësh tashmë. Me orë inteligjente, kufje inteligjente dhe, së shpejti, syze inteligjente, telefoni mund të bëhet një element i panevojshëm në jetën e njerëzve.

Një ditë, ju mund të harroni edhe që keni telefonin tuaj", thotë Nadella.

Burimi: The Economist. Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë