Futboll

Nga 850 skuadra në botë, 57% shkarkuan trajnerin. Në Europë kryesojnë 3 vende Ballkani

Gazeta Si – Nuk ecën ekipi? Fajin e ka trajneri, të shkarkohet! Mbi 57% e skuadrave në gjithë botën kanë ndjekur rrugën e largimit të trajnerit gjatë sezonit që lamë pas, 2022-2023. Numri 423 i ‘Weekly Post’ të ‘CIES Football Observatory’ ka klasifikuar 60 kampionatet e nivelit elitar në gjithë botën, në bazë të përqindjes të trajnerëve që e nisën sezonin, por nuk e mbyllën atë në krye të një skuadre.

Nga 850 skuadra të analizuara në total, 487 kanë ndryshuar trajner gjatë sezonit, që do të thotë 57,3%.

Përqindja më e lartë është evidentuar në 3 kampionate të ish-Jugosllavisë (Bosnjë Hercegovinë, Maqedoni e Veriut dhe Serbi), 2 në Afrikë (Tunizi dhe Algjeri) dhe 1 në Amerikën qendrore (Kosta Rica). Në anën tjetër të klasifikimit janë India (vetëm 1 trajner i shkarkuar nga 11), Malta (3 nga 14) dhe Australia (3 nga 12).

Për 5 kampionatet më të forta të Europës, përqindja shkon nga 55% e Premier Ligës (11 nga 20) te ‘vetëm’ 35% e Serisë A (7 nga 20).

Klasifikimi ku ben pjese edhe Shqiperia. Gazeta Si, 13 qershor 2023

Në këtë klasifikim special edhe Shqipëria qëndron në vlera të larta përqindjeje, 70%. Në Superiore sezonin e fundit u larguan 7 trajnerë nga 10 skuadra që ka kampionati ynë. Ndërrimi është bërë mesatarisht pas 46.3 të ndeshjeve të sezonit. Në fakt, këtu duhet llogaritur edhe Erzeni, që e ndryshoi trajnerin javët e fundit, ku detyrën e Xhevahir Kapllanit e mori ndihmësi i tij Deliallisi, kështu që përqindja shkon në 80%.

Klubet që kanë ndryshuar trajner të paktën një herë gjatë sezonit, e kanë bërë lëvizjen e parë mesatarisht pas 45.4% të ndeshjeve, me një rekord negativ prej 24.6% të ndeshjeve nga trajneri që ka nisur sezonin në Rumani, e ndjekur nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Greqia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë