Bota

Netanjahu: Izraeli rezervon të drejtën për vetëmbrojtje pas sulmit ndaj Iranit

Gazeta Si - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu u takua me ministrat e Jashtëm Annalena Baerbock të Gjermanisë dhe David Cameron të Britanisë në një vizitë në Jeruzalem dhe përsëriti se rezervon të drejtën për vetëmbrojtje pas sulmit me raketa dhe dronë iranian.

“Dua ta bëj të qartë, ne do të marrim vendimet tona dhe shteti i Izraelit do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur veten”, tha ai.

Netanjahu falënderoi ministrat për mbështetjen e tyre "të paprecedentë" në mbrojtjen kundër sulmit të Teheranit, tha zyra e tij në një shënim në “X”.

Ai gjithashtu i informoi ata për shkallën e ndihmave humanitare që hyjnë në Gaza, thuhet në deklaratë dhe hodhi poshtë plotësisht pretendimet e organizatave ndërkombëtare se Gaza po vuan nga uria.

Më herët, Cameron tha se është e qartë se Izraeli ka bërë plane për t’u hakmarrë ndaj sulmit iranian me dronë dhe raketa, të cilin Teherani e kreu si përgjigje ndaj një sulmi të dyshuar izraelit nga i cili u vranë zyrtarë ushtarakë në konsullatën iraniane në Siri më 1 prill.

Baerbock tha se përshkallëzimi “nuk do t’i shërbejë askujt, as sigurisë së Izraelit, as shumë prej dhjetëra pengjeve që ende po mbahen nga Hamasi [grupi i shpallur terrorist nga SHBA dhe BE], as popullsisë së përvuajtur në Gazë, as shumë njerëzve në Iran të cilët po vuajnë nën sundimin e regjimit, dhe as vendeve të treta në rajon, të cilat thjesht duan të jetojnë në paqe”.

Shumica dërrmuese e dronëve dhe raketave iraniane të lëshuara drejt Izraelit të shtunën u rrëzuan nga ky i fundit dhe aleatët e tij, dhe nuk shkaktuan viktima.

Por, Izraeli thotë se i duhet të hakmerret patjetër për ta ruajtur besueshmërinë e mbrojtjes së vet. Irani, në anën tjetër, thotë se kjo çështje është e mbyllur, por se do të hakmerret nëse Izraeli e sulmon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë