Bota

Netanjahu: Do të luftojmë të vetëm dhe me thonj në luftën kundër Hamasit

Gazeta Si - Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, tha të enjten se kërcënimi i Shteteve të Bashkuara për ta pezulluar furnizimin me disa armë, nuk do ta parandalojë Izraelin nga vazhdimi i luftës së tij në Rripin e Gazës, duke lënë të kuptohet se ai mund ta pushtojë qytetin e mbipopulluar Rafah.

Në një komunikatë për media të enjten, Netanjahu tha se “nëse na duhet qëndrojmë të vetëm, do të qëndrojmë të vetëm. Nëse detyrohemi, ne do të luftojmë me thonjtë e gishtërinjve tanë. Por, ne kemi shumë më shumë se vetëm thonj”.

Edhe zëdhënësi i lartë i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, u përpoq ta ulë rëndësinë e ndikimit në praktikë të mungesës së furnizimit me armë nga SHBA-ja.

“Ushtria ka municione për misionet që i ka planifikuar, edhe për misionet në Rafah, gjithashtu. Ne kemi çfarë na nevojitet”, tha Hagari.

Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka bërë thirrje vazhdimisht Izraelit të mos e pushtojë Rafahun, duke shprehur frikë se një gjë e tillë do ta thellonte katastrofën humanitare në enklavën palestineze.

Të mërkurën, Biden tha se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i japin Izraelit armë për të kryer ofensivë në Rafah, duke e rritur trysninë ndaj Netanyahut.

Izraeli vazhdimisht ka kërcënuar se do ta pushtojë Rafahun, ku rreth 1.3 milion palestinezë – mbi gjysma e popullsisë – kanë kërkuar strehim.

Ky qytet, në jug të Gazës, është gjithashtu edhe qendra kryesore e operacioneve humanitare, të cilat janë penguar jashtëzakonisht shumë nga mbyllja e dy pikëkalimeve kryesore të Gazës këtë fundjavë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë