Bota

Nestlé shton sheqer në produktet që shet në vendet e varfra

Nestlé, kompania më e madhe në botë e mallrave të konsumit, shton sheqer dhe mjaltë në qumështin e foshnjave dhe produktet e drithërave të shitura në shumë vende më të varfra, në kundërshtim me udhëzimet ndërkombëtare që synojnë parandalimin e obezitetit dhe sëmundjeve kronike, zbulohet në një raport.

Aktivistët nga Public Eye, një organizatë hetimore zvicerane, dërguan mostra të produkteve të ushqimit për fëmijë të shitura në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine në një laborator belg për testim.

Rezultatet, dhe ekzaminimi i paketimit të produktit, zbuluan sheqer të shtuar në formën e sakarozës ose mjaltit në mostrat e Nido, një produkt qumështi i destinuar për përdorim për foshnjat e moshës një vjeç e lart, dhe Cerelac, drithëra që synon fëmijët e moshës nga gjashtë muaj deri në dy vjeç.

Laurent Gaberell, ekspert i bujqësisë dhe ushqimit i Public Eye, tha: "Nestlé duhet t'u japë fund këtyre standardeve të rrezikshme të dyfishta dhe të ndalojë shtimin e sheqerit në të gjitha produktet për fëmijët nën tre vjeç, në çdo pjesë të botës".

Obeziteti është gjithnjë e më një problem në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në Afrikë, numri i fëmijëve mbipeshë nën pesë vjeç është rritur me gati 23% që nga viti 2000. Në nivel global, më shumë se 1 miliard njerëz vuajnë nga obeziteti.

Nuk është gjithmonë e lehtë për konsumatorët në çdo vend të tregojnë nëse një produkt përmban sheqer të shtuar dhe sa është i pranishëm, bazuar vetëm në informacionin e printuar në paketim.

Udhëzimet e OBSH-së për rajonin evropian thonë se nuk duhet të lejohen sheqerna të shtuar ose agjentë ëmbëlsues në asnjë ushqim për fëmijët nën tre vjeç. Ndërsa asnjë udhëzim nuk është prodhuar në mënyrë specifike për rajone të tjera, studiuesit thonë se dokumenti evropian mbetet po aq i rëndësishëm edhe për pjesët e tjera të botës.

Mbretëria e Bashkuar rekomandon që fëmijët nën katër vjeç të shmangin ushqimin me sheqer artificial për shkak të rreziqeve në shtimin në peshë dhe prishjen e dhëmbëve. Udhëzimet e qeverisë amerikane rekomandojnë shmangien e ushqimeve dhe pijeve me sheqer të shtuar për fëmijët më të vegjël se dy vjeç.

Dr. Nigel Rollins, një oficer mjekësor në OBSH, tha se gjetjet përfaqësonin "një standard të dyfishtë, që nuk mund të justifikohet".

Testet mbi produktet Cerelac të shitura në Indi treguan, mesatarisht, më shumë se 2.7 g sheqer të shtuar për çdo pako.

Ndërkohë, testet mbi produktet nga marka Nido, e cila gjeneron në mbarë botën më shumë se 1 miliard dollarë, zbuluan ndryshime të konsiderueshme në nivelet e sheqerit.

Një zëdhënëse e Nestlé tha: "Ne besojmë në cilësinë ushqyese të produkteve tona për fëmijërinë e hershme dhe i japim përparësi përdorimit të përbërësve me cilësi të lartë të përshtatur për rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve."

Ajo deklaroi se brenda kategorisë "shumë të rregulluar" të ushqimit për fëmijë, Nestlé përputhej gjithmonë me "rregulloret lokale ose standardet ndërkombëtare, duke përfshirë kërkesat e etiketimit dhe pragjet për përmbajtjen e karbohidrateve që përfshin sheqernat".

Variacionet në receta vare nga faktorë duke përfshirë rregullimin dhe disponueshmërinë e përbërësve vendas, përmbylli ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë