Njerez

Ner Kurti, kampioni i buzëqeshur i boksit që nuk fitoi “ndeshjen e fortë”

Buzëqeshja dhe humori i Skënder Kurtit do t’u mungojë të gjithëve. Neri, siç e thërrisnin të gjithë, ish-kampioni i mundjes dhe boksit, ish-trajner i Tiranës dhe Kombëtares në boks, u largua para kohe nga kjo jetë, në moshën 61-vjeçare. Nuk ia doli të fitonte “ndeshjen e fortë” me korinavirusin. Sporti shqiptar ka humbur një figurë të rëndësishme, një njeri të madh dhe tepër miqësor me të gjithë, sa që dukej se nuk kishte aspak lidhje me sportet e ashpra që ka ushtruar, mundjen dhe boksin.

Lajmi i ndarjes së tij nga jeta ka trishtuar gjithë botën e sportit, veçanërisht sportdashësit kryeqytetas. Më të trishtuar kanë qenë ata që kanë bërë sport dhe kanë punuar bashkë me të, sepse nuk mundën t’i jepnin nga afër lamtumirën në ceremoninë mortore. Kurti ka ushtruar sportin e mundjes dhe që nga viti 1992 edhe të boksit, kur ky sport u lejua në vendin tonë. Këto dy sporte i ka ushtruar fillimisht me Gardën e Republikës, që organizonte kampionate në atë kohë.

Skënder Kurti gjatë një aktiviteti. Gazeta Si, 6 prill 2020

Më pas, Kurti krijoi ekipin e Tiranës në boks dhe si trajner i tij ka fituar 3 tituj kampion dhe 2 Kupa të Republikës. Për shumë vite ka qenë ndihmëstrajner i Kombëtares së boksit. Bashkë me trajnerët Gjoni të Vllaznisë dhe Zeneli të Flamurtarit, kanë drejtuar Kombëtaren e boksit, pasi këto tri skuadra kishin boksierët më të mirë.

Ai që ka punuar më shumë me të, trajneri i Kombëtares së boksit, Zef Gjoni, duke folur për Gazeta Si, e përshkruan Skënder Kurtin si një njeri të madh në zemër, një njeri të dashur dhe të buzëqeshur gjithmonë, me të gjithë. “Qysh në vitin 1992, kur është hapur boksi në Shqipëri, unë isha trajneri Vllaznisë, kurse Skënder Kurti ishte trajner i Gardës së Republikës. Qysh atëherë dhe deri dje, kur mora lajmi e hidhur, nuk jam ndarë prej tij. U shkri Garda dhe Skënderi krijoi ekipin e Tiranës. Shumë suksese me këtë ekip, gjithmonë konkurrent i fortë. Gjithmonë lufta në boks ka qenë mes Vllaznisë, Tiranës dhe Flamurtarit. Ishim shokë dhe miq, por në garë ishim, si të thuash, “armiq”.

Skënder Kurti ishte një burrë që nuk duhet harruar kurrë. Një familjar i mirë, një shok i mirë, shok i dashtun. I njihte rregullat. Më ka prekur shumë lajmi, sepse kam qenë edhe pranë familjes së tij. Sapo të kalojë kjo situatë, kemi menduar me federatën dhe klubin e Tiranës që të bëjmë një aktivitet me boksierët më të mirë të Shqipërisë për nder të Skënder Kurtit. Nuk kishim mundësi të merrnim pjesë në ceremoninë e lamtumirës së tij dhe pas aktivitetit që kemi menduar, të gjithë sa bashku, t’i çojmë një kurorë me lule. Neri ishte shumë i mirë, i komunikueshëm me gjithkënd. Gjithmonë vihej re mungesa e tij, sepse kishte humor. Do të na mungojë shumë, shumë”, - tregon trajneri Zef Gjoni.

Zef Gjoni, trajneri i Kombëtares shqiptare të boksit. Gazeta Si, 6 prill 2020

Me vlerësim për figurën e Skënder Kurtit është shprehur edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta. “I admiruar nga të gjithë brezat e sportdashësve për rezultatet e tij në ring dhe pasionin e jashtëzakonshëm për sportin e dorezave, Ner Kurti gëzonte respektin e të gjithëve, veçanërisht të tironasve të mrekullueshëm që aq shumë e donin dhe i donte! Edhe në këto ditë të vështira i madhi Ner Kurti luftoi fort, si një kampion që nuk dorëzohet lehtë! Skënder Kurti ka luajtur me dhjetëra ndeshje boksi brenda dhe jashtë vendit”, shkruante Presidenti Ilir Meta pas lajmit për ndarjen nga jetë të kampionit të buzëqeshur të boksit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë