Lajme

Neni për ekstradimin, BE: Garanton ekzekutimin e një vendimi penal të huaj nga Shqipëria

Neni 491 - Mospranimi i kërkesës për ekstradim

  1. Nuk mund të jepet ekstradimi: pika f) kur personi i kërkuar është shtetas shqiptar dhe nuk ka marrëveshje që të parashikojë ndryshe;

Ky është neni i shumëdiskutuar dhe për të cilin opozita hedh akuza ndaj ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, se e ka ndryshuar për të mbrojtur vëllanë e tij, Agron Xhafaj, që të mos ekstradohet dhe të vuajë dënimin në Itali.

Delegacioni i BE në Tiranë sqaron për “Zërin e Amerikës”, nëse është ndryshuar apo jo ky nen, sic pretendon opozita.

“Ka patur variante të ndryshme rreth Nenit 491 (f) të Kodit të Procedurës Penale, që janë diskutuar nga Grupi i Punës për Rishikimin e Kodit të Procedurës Penale – pjesë e të cilit ka qenë edhe Euralius – deri në miratimin e ndryshimeve të Kodit më 30 mars 2017. Thelbi i varianteve të ndryshme mbeti i pandryshuar gjatë gjithë diskutimeve, përfshirë dhe variantin përfundimtar të miratuar të Nenit 491 (f) të Kodit. Ky nen i miratuar i Kodit të Procedurës Penale garanton se personi i cili është gjykuar dhe dënuar në mungesë ka mundësinë që të ketë një rishqyrtim të çështjes në prani të tij/saj përpara Gjykatës. Kjo masë është në përputhje me Standardet europiane të përcaktuara nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, Konventa Europiane për Ekstradimin dhe Vendimi kuadër i BE-së për Urdhër-arrestin europian. Kodi garanton se Shqipëria mund të ekzekutojë një vendim penal të huaj edhe nëse ekstradimi nuk është i mundur për arsyet e përcaktuara në Nenin 491 (f) të Kodit.”

Delegacioni i BE-së shton se “Shqipëria ka ratifikuar gjithashtu Konventën Europiane mbi Transferimin e Procedimit të Çështjeve Penale, një tjetër alternativë për ekstradimin, për rastet kur zbatohet Neni 491 (f) i Kodit”, përfundon shpjegimi i Delegacionit të BE-së dhënë “Zërit të Amerikës”.

Referuar akuzave të opozitës, Fatmir Xhafaj, në cilësinë e kryetarit të Komisionit parlamentar të Ligjeve ka ndërhyrë duke bërë një ndryshim që sipas saj mbron direkt vëllanë e tij, Agron Xhafaj, por kjo gjë është hedhur poshtë nga socialistët.

Pika që është shtuar në nenin për ekstradimet, dhe që është aktualisht në fuqi, parashikon se ekstradimi nuk mund të kryhet “kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit”.

Sipas opozitës një formulim i tillë i nenit “pamundëson ekstradimin e vëllait të ministrit, Agron Xhafaj të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë nga Gjykata Italiane e Kasacionit dhe pamundëson njohjen e vendimit nga drejtësia shqiptare në mënyrë që vëllai i tij Agron Xhafaj të mos bëjë asnjë ditë burg as në Shqipëri nga dënimi i tij nga drejtësia italiane për trafik droge”.

Ditët e fundit, opozita ka intensifikuar aksionin e saj, pasi ka publikuar një audio-përgjim ku pretendon së është vëllai i Xhafajt në një aferë trafiku droge, akuzon ministrin se po mbron Agron Xhafajn dhe kërkon largimin e menjëhershëm të tij Ministria e Brendshme.

Sot, opozita proteston para Ministrisë së Brendshme, të enjten pritet të mos lejojë zhvillimin normal të seancës plenare, nëse Xhafaj nuk jep dorëheqjen si ministër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë