Lajme

Neni 491 për ekstradimin, LSI: BE në Tiranë dhe Euralius gënjejnë, më mirë të heshtin

Kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili ka akuzuar BE dhe Euralius se gënjejnë në lidhje me nenin 491 pika f për ekstradimin në Kodin e Procedurës Penale.

Vasili, duke reaguar përmes një postimi në faqen e tij në rrjetin Facebook në lidhje me sqarimin e Delegacionit të BE dhënë “Zërit të Amerikës” ka kërkuar që BE dhe Euralius është më mirë që të hështin, pasi “vazhdojnë për fat të keq të shpërdorojnë autoritetin e Europës lidhur me drejtësinë”.

Në reagimin e tij Vasili sqaron: “Për të gjitë opinionin publik duhet të jetë e qartë se Euralius gënjen kur thotë ka pasur disa variante për nenin 491. Ka pasur vetëm një variant të përgatitur nga grupi i ekspertëve të nivelit të lartë dhe të paraqitur në Kuvendin e Shqiperisë me firmën e një deputeteje”.

Vasili ka vijuar akuzat edhe ndaj Komisionit i Ligjeve, për të cilin thotë se “Në shkelje flagrante e ka ndryshuar nenin 491 të ardhur në Kuvend dhe ky ndryshim nuk gjendet asgjëkundi në procesverbalin e Komisionit të Ligjeve, që dokumenton ndryshimet që i bëhen projektligjit të propozuar dhe që më pas i paraqiten seancës plenare për votim. Ky është manipulim sa një mal”.

Vasili deklaron se “Vetëm BE në Tiranë dhe Euralius cuditërisht nuk e shohin dhe paskan marrë detyrën të bëjnë alibinë e këtij skandali”.

Në postimin e tij, deputeti i LSI ngre edhe disa pyetje drejtuar Delegacionit të BE dhe Euralius në Tiranë.

“Për llogari të kujt e bëjnë?

A e ndihmojne Shqipërinë duke bërë alibinë e manipulimit dhe shkeljes së ligjit?

Kush ia mbyll sytë për të parë pazarin e ligjeve me porosi?”

“BE në Tiranë dhe Euralius shënuan rekorde të errëta, negative dhe të dyshimta, kur bënë avokatinë dhe alibinë procesit thellësisht të inkriminuar të zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm me 69 vota. Kur BE në Tiranë dhe Euralius e kanë “të pamundur” të mbrojnë parimet bëjnë mirë të heshtin. Europa që shqiptarët njohin nuk është kjo e këtyre”- ka mbyllur reagimin e tij kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili.

https://www.facebook.com/petritvasil/posts/1858974207735736


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë