Bota

Nën ethet e varianteve të reja, Europa shton kufizimet për udhëtimet

Europa ka njoftuar gjatë kësaj fundjave kufizime të reja të udhëtimeve, për të frenuar përhapjen e varianteve të reja të koronavirusit. Masat e reja vijnë teksa zyrtarët shëndetësorë kanë paralajmëruar se vaksinat kundër koronavirusit, që kanë nisur të shpërndahen në disa vende të botës, nuk do të ofrojnë mbrojtjen e duhur, veçanërisht ndaj mutacioneve të virusit, që shkaktuan një shpërthim të ri të infeksioneve në Brazil dhe Afrikë të Jugut.

Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Portugalia dhe Republika Çeke janë në mesin e shteteve të fundit që kanë njoftuar kufizime për uhdëtarët.

Franca do të mbyllë kufijtë e saj më 31 janar për njerëzit që vijnë nga shtetet që gjenden jashtë Bashkimit Europian, përfshirë edhe Shqipërin Kryeministri francez, Jean Castex njoftoi për këtë masë, teksa paralajmëroi për “rrezik të madh” nga variantet e reja të koronavirusit. Po ashtu, kushdo që udhëton nga shtetet e BE-së duhet të paraqesë një test negativ.

Dr.Anthony Fauci, eksperti kryesor i Qeverisë amerikane, tha më 29 janar se rritja e përhapjes së varianteve të reja të koronavirusit do të thotë që kompanitë e prodhimit të vaksinave duhet të jenë të gatshme të prodhojnë doza të reja, në mënyrë që të mund të përballen me krizën shëndetësore.

“Kjo është një thirrje për zgjim për të gjithë ne”, tha Fauci, duke shtuar se është e rëndësishme që njerëzit të vaksinohen sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që variante të reja të koronavirusit të mos zhvillohen.

Britania ka njoftuar se ka shtuar në listën e ndalimit të udhëtimit edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Burundin dhe Ruandën sepse ka frikë nga përhapja e variantit të virusit, që fillimisht u identifikua në Afrikën e Jugut.

Nga 30 janari, Gjermania po ashtu do të ndalojë shumicën e udhëtarëve nga shtetet që tashmë kanë raportuar raste me variantet e reja të virusit: Britania, Irlanda, Portugalia, Brazili, Afrika e Jugut, Lesoto dhe Esvatini.

Republika Çeke po ashtu ka ndaluar arritjen e udhëtarëve të huaj jo të domosdoshëm, por ka disa përjashtime.

Presidentja e Komisionit Europain, Ursula von der Leyen ka thënë se të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme “ duhet të dekurajohen”.

Megjithatë, blloku europian vazhdon të jetë kundër ndalesave të udhëtimeve apo mbylljes së kufijve kombëtare, pavarësisht se disa anëtarë të bllokut kanë shprehur qëndrimin e tyre për ndërmarrjen e veprimeve më të ashpra.

Portugalia, që ka lidhje të forta me Brazilin, ka parë rritje të madhe të rasteve të reja dhe këtë javë ka vendosur që të kufizojë udhëtimet e të huajve.

Belgjika ka ndërmarrë hapa të ngjashëm, duke thënë se kjo ndalesë do të jetë në fuqi deri më 1 mars.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë