Drejtësia

Nën akuzë për fshehje pasurie, Prokuroria e Durrësit çon në gjyq dosjen ndaj ish-kreut të Prokurorisë Tiranë, Petrit Fusha

Gazeta Si - Prokuroria e Durrësit ka mbyllur hetimet hetimet dhe ka dërguar në gjyq dosjen ndaj ish-prokurorit dhe ish-drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha.

Fusha akuzohet për “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë, i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik, ose i çdo personi që ka detyrim ligjor për deklarim”.

Më herët ndaj tij është çelur një regjistrim penal, fakt që ka shërbyer më pas me marrjen në cilësinë e të pandehurit.

Nga hetimi i çështjes, del se Petrit Fusha, në deklaratat periodike vjetore dhe gjatë procesit të rivlerësimit, ka deklaruar rrethana të rreme në lidhje me pasuritë që ai disponon dhe që kishte në pronësi, për mënyrën e fitimit të pronësisë mbi këto objekte dhe sipërfaqe toke.

Po ashtu, thuhet se ai ka kryer veprime fiktive në lidhje me dhënien me qira të disa objekteve në pronësi të tij, pasi ka rezultuar se qiramarrësit nuk kanë pasur aftësi financiare për të paguar të ardhurat nga qiraja.

Mes të tjerash, Petrit Fusha nuk ka deklaruar shpenzime të kryera në lojërat e fatit gjatë viteve 2010 deri në 2016, shpenzime që kapin vlera të konsiderueshme financiare.

Dosja ndaj Fushës ishte fillimisht në SPAK, por më pas u kalua në kompetencë të Prokurorisë së Durrësit.

Petrit Fusha dha dorëheqjen nga detyra i prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme pas më shumë se tre dekadash në shërbim.

Fusha është ish-prokuror që u largua nga sistemi i drejtësisë me dorëheqje, duke mos pranuar të përballet me procesin e Vettingut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë