Politike

Negociatat, Soreca: Të gjitha palët duhet të ulen që të bashkëpunojnë

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, në një prononcim të shkurtër për mediat ka komentuar sot kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman për çeljen e negociatave me Shqipërinë.
“Më lejoni të them fillimisht se jam shumë i kënaqur për këtë rezolutë kaq të rëndësishme që ka ndërmarrë Bundestagu. Bundestagu gjerman thjesht njohu ecurinë e mjaftueshme që kishte bërë Shqipëria, duke identifikuar po ashtu disa fusha që ishin identifikuar më parë në Shqipëri, kështu që nuk do flas për kushte të reja. Gjermania është një vend i rëndësishëm në BE për rolin që luan jo vetëm brenda BE, por edhe në arenën ndërkombëtare në politikën e jashtme. Kemi gjithë shtetet e tjera anëtare të BE që po vijojnë diskutimet e tyre në lidhje me vendimin që do të merret në tetor”, u shpreh ndër të tjera Soreca.
Po ashtu, ambasadori ka apeluar sërish sot aktorët politikë në vend për të bashkëpunuar mbi reformën zgjedhore.
“Dua shumë që të gjitha palët të ulen së bashku. Fakti që ne e kemi mirëpritur vendimin e udhëheqësit të opozitës për t’u bërë pjesë e tryezës së OSBE për reformën zgjedhore, ky është një hap i mirë, hap i parë, është e rëndësishme që të gjitha palët të kuptojnë që do duhet patjetër që të gjitha palët të bashkëpunojnë, se përgjegjësia është e përbashkët e të gjithëve.
Duhet të ulen e të zgjidhen problemet, reforma zgjedhore është një prej tyre, kjo çështje ka të bëjë me të qenit bashkë”, tha ndër të tjera ambasadori i BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë