Politike

Negociatat, shtyhet vendimi edhe 72 orë ankth

Deri në mesditën e së martës, Shqipëria nuk shikonte dritë në fund të tunelit për hapjen e negociatave. Drafti drejtuar Këshillit të ministrave të BE-së nga presidenca finlandeze, propozonte shkëputjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut e cila e vetme mund të fitonte një PO. Drafti mbërriti në Bruksel vetëm dy orë përpara mbledhjes së ministrave të Jashtëm të BE-së . Aty parashikohej që Shqipërisë t’i kërkohej të përmbushë kushtet e nevojshme para se të fillojë procesi, porse Maqedonia do të avanconte. I gjithë ky skenar duket se u bë për ta lënë Francën të izoluar, pasi ajo vazhdon të mbajë qëndrim të palëkundur kundër të dyja vendeve.

Në këtë rast humbte Shqipëria por të paktën Maqedonia si një “shuplakë” ndaj Makron do të shkëputej. Pra një gjysmë fitore për BE por jo për Shqipërinë. Edhe kryeministri Rama gjatë komunikimit me publikun në rrjete sociale e parandiente se tuneli i negociatave ku ishim futur po errësohej, për t’i mbajtur optimist shqiptarët tha se : “dielli do të lind sërish në 19 tetor”. Por ky skenar fatkeq për vendin tonë duket se është refuzuar nga shumica e vendeve anëtare gjatë mbledhjes së ministrave të BE-së. Përplasjet gjatë këtij takimi kanë qenë aq të ashpra, sa ministrat e vendeve anëtare nuk kanë marrë një vendim për hapjen e negociatave as për Maqedoninë e Veriut.

Vendimi do të merret në Këshillin Evropian të enjten dhe të premten në Bruksel nga krerët e shteteve të vendeve anëtare në BE. Në një konferencë për shtyp pas takimit, ministrja e jashtme finlandeze Tytti Tuppurainen dhe komisionari i Zgjerimit, Johannes Hahn thanë se vendimi do të jetë së bashku nga të dyja vendet, pavarësisht propozimit të presidencës finlandeze. “Ky propozim është refuzuar nga vendet e tjera anëtare. Në bëmë më të mirët e mundshme dhe gjithë sa kishim në dorë për të arritur një marrëveshje. Shkupi dhe Tirana duhet të qëndrojnë pozitive por liderët e BE-së kanë shumë probleme të mëdha si Brexit”, tha Tuppurainen.

Ministrja finlandeze tha se është hera e parë që vendimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të diskutohet në nivelin e saj më të lartë. “Nuk kemi marrë një vendim sot, çështja e integrimit të dy vendeve do të diskutohet së bashku. Ne bëmë më të mirën e mundshme për të arritur një marrëveshje për fillimin e bisedimeve të pranimit”, tha ajo. Ndërkohë Hahn tha se 25 vende nga 27 janë pro hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Hahn nuk e fshehu frikën për një përgjigje negative duke deklaruar se deri më tani nga 27 vende që ka Unioni janë siguruar 25 “Po” për negociatat. “Nuk duhet të surprizohemi nëse fuqi të tjera brenda Europës do të bëhen me të fuqishme se BE. Të dyja vendet i kanë plotësuar kushtet e vendosura nga Komisioni dhe Këshilli. Jam besimplotë se vendimi do jetë pozitiv, shumica e vendeve nuk kanë preferuar ta ndajnë Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut.25 vende anëtare nga 27 janë pro hapjes së negociatave me Shqipërinë”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër Hahn kujtoi se vendimi përfundimtar i vendeve anëtare përmban dhe elementë politik, dhe këtë tha ai “nuk duhet ta harrojmë”. Lincenzo Amendola, ministri për Çështjet Europiane të Italisë tha gjithashtu se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të ecin në të njëjtin rrugëtim për çeljen e negociatave. “Nuk ka mundësi për t’i ndarë. Qëllimi është të vazhdojë të diskutohet. Të dyja vendet kanë të drejtë për hapjen e negociata. Konkluzionet nuk do jenë unifikuese. Ne e kemi thënë qëndrimin tonë se Tiranës i duhen hapur negociata dhe vizita e Kryeministrit Conte sot në Shqipëri e konfirmon këtë”, tha ai, teksa sot ministrat në Jashtëm të Bashkimit Europian ishin mbledhur në Luksemburg për të dalë me një vendim të shumëpritur për vendin tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë