Lajme

“Negociatat”, Rama: Rraskapitëse, kundërshtia më e madhe vjen nga opozita, jo nga vendet e BE

Në lidhje me hapjen e negociatave, Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Kuvendi se pengesa më e madhe nuk vjen nga vendet e BE, por nga opozita në vendin tonë.

“Rraskapitëse të mendosh, se për këtë objektiv të madh kombëtar kundërshtia më e madhe vjen nga brenda familjes politike këtu. Pengesa më e lartë është këtu në Shqipëri, as në Berlin, as në Paris, as në Hagë dhe as në ndonjë vend tjetër të BE.

Është sekëlldi e madhe, ndjen turp, jo të mendosh, por të provosh baltën e prodhuar në vend për qëllime të turpshme dhe të kuptosh se asnjë nga deputetët gjermanë apo holandezë nuk iu afrohet as te gishti i vogël i këmbës në kundërshti, deputetëve të opozitës”- u shpreh Rama para deputetëve të shumicës.

Rama i drejtoi edhe një pyetje kreut të opozitës “ Është e pabesueshme se c'i punojnë këta Shqipërisë në gjuhë të huaj. Këta e dinë atë që di edhe unë, që në Gjermani e kanë humbur betejën dhe prandaj kisha një pyetje. Nëse do kishte kurajo të dilte këtu e të thoshte ky që po mundohet të lobojë për Shqipërinë, çfarë ju tha atyre faktmbledhësve nga Holanda në drekë, kur vajti atje i paftuar? Ndërkohë që për hir të së vërtetës qëndrimi i Tabakut dhe në mos gaboj i Gjoshës ishte korrekt”.

Më herët, opozita braktisi seancën pas fjalës së kreut të PD Basha, ku vijoi akuzat ndaj ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj në lidhje me dënimin e vëllait të tij në Itali, nën akuzën për trafik droge.

Në lidhje me akuzat e PD ndaj ministrit Xhafaj, Rama u shpreh se me baltën që hedh opozita kërkon të pengojë celjen e negociatave dhe cështja është e njohur edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Rama foli në Kuvend edhe për arrestimin e Arber Çekajt, pronarit të firmës “Arbi Garden” ku u sekuestruan 613 kg kokainë. Kryeministri theksoi se ra në pranga një eksponent i rëndësishëm i trafikut të drogës, por ai nuk është i vetmi dhe e vërteta mund të vonojë por do të dalë.

“Historia e kokainës së kapur së fundi nuk ka nisur dje dhe arrestimi i atij personit, është e lidhur me një histori që ka filluar më parë, dhe të cilën Prokuroria e Krimeve të Rënda duhet ta kishte hetuar më pare. E vërteta e lidhur me trafikun e kokainës, me operacionin që çoi në pranga një eksponent të rëndësishëm, por jo të vetmin e trafikut, me taposjen e kanalit të hetimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda do të dalë, mund të vonojë por do të dalë" tha Rama


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë