Politike

Negociatat, Mogherini: Liderët e Ballkanit të tregojnë guxim!

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian Federica Mogherini i kërkoi BE-së të ruante një prani të fuqishme në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që rajoni të bëhej sa më parë pjesë e BE-së.

"Jam e bindur që nëse nuk e bëjmë këtë, do të pendohemi pas dy vjetësh", deklaroi Mogherini.

Në fjalimin e saj në konferencën vjetore të Ambasadorëve të BE në Bruksel, ajo vlerësoi se pranimi i Ballkanit Perëndimor në BE është një çështje që prek të gjithë kontinentin europian dhe se është e nevojshme si për Ballkanin ashtu edhe BE-në .

"Integrimi i Ballkanit është në interes të të gjithë BE-së . Të gjithë e dimë se është një proces i gjatë, i ndërlikuar, interesant dhe i gjallë i cili do të kërkojë shumë kohë, zgjidhje të shumë problemeve dhe angazhim politik të të gjitha palëve", deklaroi Mogherini.

Ajo dha shembullin e çështjes së emrit të Maqedonisë së Veriut, duke vlerësuar se ajo u arrit me angazhimin e Athinës dhe Shkupit dhe me mbështetje dhe inkurajim të vazhdueshëm të BE-së.

"E njëjta gjë vlen për tërë Ballkanin. Liderët e rajonit duhet të tregojnë guxim, udhëheqje dhe vendosmëri, si çdo ditë të vetme ”, theksoi Mogherini.

Në muajin tetor do të vendoset nëse do të hapen apo jo negociatat e BE-së me Shqipërinë. Deri më tani ambasadorët e huaj dhe KE publikisht ka lobuar më shumë për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut. Bundestagu gjerman, si Holanda, janë shprehur kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë. Kësaj liste sipas medieve të huaja i është shtuar edhe Franca.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë