Lajme

Negociatat, Gjermania: “JO”-ja do të destabilizonte Shqipërinë, Austria: Të hapen sa më shpejt

Rreth një muaj para se vendet e BE të marrin vendimin për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë, një thirrje e fuqishme mbështetjeje vjen nga Gjermania.

Këshilli Gjerman për Politikat e Jashtme publikoi një raport, në të cilin vlerësohet se pavarësisht sfidave ende të rëndësishme me të cilat përballet vendi ynë, "asnjë shtet tjetër në rajon nuk ka bërë aq sa Shqipëria për të merituar hapjen e negociatave".

Sipas këtij raporti, një ndër pikat më të rëndësishme në të cilën ka përparuar Shqipëria është reforma në drejtësi. "Duhet të pranojme se asnjë vend tjetër në rajon nuk ka bërë një përpjekje serioze për të reformuar rrënjësisht sistemin e drejtësisë. Ky është një proces i pandalshëm dhe që krijon themelin për sukses në fusha të tjera kyçe, siç është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar", theksohet në dokument.

Raporti vijon duke thënë se dhënia e një drite jeshile për hapjen e negociatave është shumë e rëndësishme edhe për vetë interesat e Berlinit zyrtar.

"Një "jo" nga Berlini jo vetëm që do të destabilizonte Shqipërinë, por do të kishte një ndikim negativ në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor - dhe kështu do të kundërshtonte interesat e sigurisë të Gjermanisë. Në të kundërt, një "po" do të ishte një sinjal i qartë se Gjermania dhe BE, po shpërblejnë përpjekjet e Shqipërisë për të reformuar - edhe nëse ende duhet të kapërcejnë shumë pengesa përpara pranimit", shkruhet që në preambulën e këtij dokumenti.

Në këtë drejtim, vlerësohet gjithashtu vokacioni i qartë pro-perëndimor i vendit tonë, që sipas këtij Këshilli, është shumë i rëndësishëm të shpërblehet, për të krijuar një vijë ndarëse nga vendet e Ballkanit, që vazhdojnë të flirtojnë me Rusinë, siç ndodh vazhdimisht me Serbinë.

Duke komentuar edhe fenomenin shqetësues të azilkërkuesve, Këshilli Gjerman për Politikat e Jashtme nënvizon se hapja e negociatave do t'i jepte një perspektivë të qartë të rinjve shqiptarë, duke ndihmuar në zgjidhjen e këtij problemi.

Nga ana tjetër, raporti flet me tone kritike mbi kulturën politike në vendin tonë, duke sulmuar bojkotet parlamentare dhe protestat e organizuara gjatë javëve të fundit.

"Ajo që mungon është një kulturë politike që njeh kompromiset jo si një dobësi, por si një element qendror i demokracisë. Në të kaluarën, kjo ka zvarritur reformat dhe pengoi funksionimin e institucioneve demokratike. Për shembull, në vitin 2017, PD bojkotoi punën parlamentare për disa muaj, një mekanizem i përbashkët për debatin politik në Shqipëri", shkruhet midis të tjerash.

Këshilli Gjerman për Politikat e Jashtme është një strukturë që përfshin mbi 2 500 figura të rëndësishme të jetës politike dhe akademike në Gjermani dhe ka ndikim në jetën politike gjermane.

Nga ana tjetër edhe fqinji i gjermanëve, Austria ka bërë apel për hapjen sa më të shpejtë të negociatave me Shqipërinë.

"Kushdo që dëshiron të shmangë konfliktet në lagjen tonë në Ballkanin Perëndimor dhe për të ndihmuar në stabilizimin e nevojshëm për vendet në rajon, duhet dhënë një ofertë e besueshme e perspektivës evropiane", tha politikani konservator, Kancelari Federal i Austrisë Sebastian Kurz, për "Welt am Sonntag".

Ai shtoi se Austria mbështet Serbinë dhe Malin e Zi "në progresin e aderimit". BE po kryen tashmë negociatat e pranimit me të dyja vendet.

"Dhe me Shqipërinë dhe Maqedoninë duhet të hapim shpejt bisedimet e pranimit. Sa më të këqija janë perspektivat për anëtarësim, aq më të mëdha janë mundësitë për ndikim nga vende si Turqia apo Rusia", - paralajmëroi Kurz.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë