Politike

Negociatat, Cakaj: Shqipëria ka probleme, por kemi bërë reforma

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ishte i pranishëm këtë të martë në një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Integrimit ku ka folur në lidhje me procesin e anëtarësimit dhe kushtet e vendosura nga Këshilli i BE-së.

Ministri ka sqaruar se Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme i 26 qershorit të vitit 2018, ka kërkuar një performancë të shtuar të Shqipërisë në tre faktorë kyç: vazhdimin e procesit të Vettingut, ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë (SPAK, Byro Kombëtare e Hetimit) dhe shtimin e rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Sipas tij, kushtet e vendosura ndaj vendit tonë janë zbatuar dhe se Shqipëria është e gatshme të nisë procesin e negociimit.

Ministri shtoi se këtë vit është me rëndësi të angazhohet mbarë arsenali politik dhe diplomatik i vendit, me qëllim çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë.
Komisioni Evropian vlerëson largimin e 88 gjyqtarëve dhe prokurorëve nga vettingu. Vitin e kaluar vendimi i Këshillit është diktuar nga klima elektorale. Këtë vit është esenciale për Shqipërinë të mundësojë që rekomandimet e këshillit të shndërrohen në vullnet politik", - tha Cakaj.

Një arritje tjetër sipas tij, është ngritja e trupave të reja në drejtësi dhe për këtë, Komisioni ka vlerësuar zhvillimet e dhjetorit 2018, përkatësisht ngritjen e KLP, KLD dhe KED, gjë që ka hapur shtegun për vendosjen e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimeve brenda afateve të parapara ligjore.

“Në raport thuhet se Shqipëria ka bërë progresin e mjaftueshëm për të merituar hapjen e negociatave”, tha ministri Cakaj.

Ai sqaroi se, këtë vit është thelbësore për Shqipërinë që të angazhohet me gjithë arsenalin e saj politik dhe diplomatik për të mundësuar që rekomandimet teknike të Komisionit të shndërrohen në vullnet politik të Këshillit.

Pasi është pyetur nga deputetja Rudina Hajdari për vendet skeptike me Shqipërinë ai ka deklaruar se Shqipëria padyshim që është një vend problematik, por puna është sa reforma kemi bërë për këtë proces.

"Ju përmendët 5 shtete, Gjermaninë, Danimarkën, Holandën e të tjera. Ky është një perceptim i juaji. Problemi është se të gjitha këto vendet kanë problemet e tyre. Në një vend është problem shkalla e kriminalitetit, në një vend është pikëpyetja për zgjerimin e e BE-së.Qasja jonë ka qenë që pavarësisht qasjeve të tyre të kemi një plan komunikimi me secilin vend.  Ju përmendët dhe shqetësimin e krimit të organizuar. E para ky është një diskutim për hapjen e negociatave. Ky nuk është një diskutim për mbylljen e negociatave. Shqipëria padyshim që është një vend problematik, por puna është sa reforma kemi bërë për këtë proces. Ne jemi në situatën ku jemi duke kryer Vettingun. Meritat e Shqipërisë nuk vihen në pikëpyetje. Shkalla e krimit të organizuar mund të vlerësohet ndryshe nga vende të ndryshme. Në muajin tetor do të vendoset nëse do të hapen apo jo negociatat e BE-së me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Deri më tani ambasadorët e huaj dhe KE publikisht ka lobuar më shumë për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut se me vendin tonë. Bundestagu gjerman, dhe Holanda, janë shprehur kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë. Kësaj liste sipas medieve të huaja i është shtuar edhe Franca e Greqia", deklaroi ai.

Cakaj u pyet edhe në lidhje me deklaratat e kryeministrit grek, Mitsotakis në lidhje me çështjen e minoritetit. Duke mos preferuar që të jap komente mbi këtë deklaratë, ministri në detyrë theksoi çështja e minoritetit në Shqipëri është e qartë dhe se qeveria shqiptare ka nisur kontaktet me qeverinë e re greke me qëllim heqjen e barrierave të integrimit.

“Me qeverinë e mëparshme greke kemi pasur proces aktiv komunikimi e nuk ka pasur barriera për integrimit. Dhe me qeverinë aktuale jemi në kontakte, por Shqipëria është ne pozicionin që duhet të marrë mbështetje politike për të pasur një vendim në tetor. Nuk mund të komentoj mbi motivet apo llogarite e çfarëdo lideri. Situata e minoritetit grek në vend është publike dhe e shumë e qartë”, tha Cakaj.

Kjo seancë dëgjimore u kërkua nga Rudina Hajdari, kryetare e komisionit parlamentar të integrimit. I pyetur nga Hajdari se a do të ndiqen të gjitha rrugët institucionale dhe rrugët ligjore për reformën zgjedhore, dhe a "mendoni se kjo reformë që do jetë kusht kryesor për Shqipërinë, mendoni se duhet të ndodhë jashtë kuadrit institucional", Cakaj u përgjigj: Reforma zgjedhore ka qenë një element me rëndësi në shërbim të hapjes së negociatave por nuk ka qenë kusht formal. Shqipëria nuk ka asnjë problem me plotësimin e kushteve për hapjen e negociatave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë