Politike

Në tryezë me Ramën Kryeministër? Basha: Gati nëse procesi nis nga ndërkombëtarët

Lulzim Basha është i gatshëm që të ulet në tryezën e bisedimeve me Edi Ramën Kryeministër, por me kushtin që në të njëjtën tryezë të jetë edhe faktori ndërkombëtar. Këtë nënkuptoi kreu i PD-së në një intervistë dhënë për Ora News këtë të enjte.

“Unë dhe PD kemi dhënë dakordësinë tonë për një proces politik të propozuar nga faktori ndërkombëtar që opozita do të jepte kontributin e saj për daljen nga kriza. Refuzuesi i kësaj ka qenë Edi Rama. Pak rëndësi ka ulja apo jo me Edi Ramën. Por, është ai që i trembet pranisë së faktorit ndërkombëtar, sepse i trembet gjykimit të pavarur të atyre që duan të mirën e Shqipërisë”, deklaroi Basha.

Qëndrimi i Bashës është përsëritje e kërkesës së demokratëve për përfshirje të thellë të faktorit ndërkombëtar, jo vetëm në ndërmjetësimin e krizës, por edhe në realizimin e reformave. Opozita duket se nuk ka besim tek Rama dhe garancitë i kërkon nga ndërkombëtarët. Në këtë frymë u bë edhe propozimi nga Ivi Kaso që reformën zgjedhore ta drejtojë një strukturë ndërkombëtare e OSBE/ODIHR, BE dhe SHBA, ku mazhoranca dhe opozita do të kishin nga një përfaqësues.

Propozimi u prit me doza skepticizmi nga ambasadori i OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt, që tha se OSBE kishte për mandat vetëm rekomandimet dhe sugjerimet, jo vendimmarrjen. “Ajo u takon shqiptarëve”, tha Borchardt. Edhe Kryeministri Rama doli kundër këtij propozimi dhe thotë se politika shqiptare mund ta realizojë vetë këtë reformë.

Nga LSI, rivendosjen e dialogut politik si institucion e kërkoi zv.kryetari i kësaj force politike, Luan Rama. Në një dalje për mediat ai thotë se në lojë janë interesat e vendit dhe integrimit, që duhet të prevalojnë mbi gjithçka tjetër. Ai akuzoi Qeverinë se nuk ka vullnet për t’u ulur në dialog.

“Natyrisht është për të ardhur keq që vullnetit të mirë të shprehur nga opozita për t’u ulur në dialog, për t’i marrë të gjitha kushtet që duhet të përmbushë Shqipëria një për një, për të nxjerrë përgjegjësinë dhe për t’u angazhuar në plotësimin e tyre, ka gjetur një qëndrim refraktar dhe të papërgjegjshëm nga ana e Kryeministrit të vendit, i cili natyrisht, duke qenë përgjegjës për këtë situatë vazhdon të thellojë më shumë përgjegjshmërinë e vet duke reflektuar nga ana e tij mungesë vullneti për dialog, mungesë vullneti për të parë realisht situatën politike në vend dhe mbi të gjitha mungesë vullneti dhe angazhimi për të kapërcyer dhe për të zgjidhur krizën politike në vend”, deklaroi ai.

Por, ndryshe nga PD, që kushtëzon dialogun me praninë e ndërkombëtarëve, Lëvizja Socialiste për Integrim shprehet e gatshme të ulet në tryezën e dialogut pa asnjë kusht. “Të nisim nga puna për të reflektuar me përgjegjshmëri në përmbushje të të gjitha kushteve dhe detyrimeve që t’i çelim udhë integrimit europian të Shqipërisë”, përsëriti Rama.

Gjithsesi, një ditë më parë garanci nga komuniteti ndërkombëtar kërkoi edhe Monika Kryemadhi, e cila në një bashkëbisedim me gazetarët akuzoi Kryeministrin Edi Rama se nuk respekton marrëveshjet e nënshkruara me partitë e tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë