Njerez

“Ne të gjithë duhet të luftojmë për një punë më të mirë”

Ndonjëherë drejtorët e kompanive të mëdha vetofrohen për të treguar përvojat e tyre për brezin e ri, çfarë duhet të bëjnë, si të sfidojnë kohën dhe të marrin frytet e një pune të mirë. Një ndër to është Winnie Byanyima, drejtoresha ekzekutive e organizatës joqeveritare Oxfam International”. Sipas saj, sfida më e madhe e qeverive në ditët e sotme është krijimi i vendeve të punës cilësore që mund të përmirësojnë jetën e miliona njerëzve në mbarë botën.

Nga Winnie Byanyima - Paraqita një video muajin e kaluar që tregonte për pabarazinë e taksave dhe “luftën” që ndërmarrin shumë njerëz çdo ditë për të gjetur punën e duhur për ta. U habita kur pashë se vetëm në një ditë kishte arritur 18 milionë ndjekës, por kuptova se njerëzit janë të interesuar për të ditur më shumë rreth iniciativave që duhet të marrin.
Rreth 60 për qind e mendimeve u mblodhën nga njerëzit që ishin në moshën 30-vjeçare. Ndjehem optimiste për faktin se kishte shumë të rinj që ishin interesuar. Ndonjëherë realizimi i punëve të mira ndodh thjesht nga natyra, por ky nuk është një faktor i përgjithshëm. Udhëheqësit e qeverive duhet të krijojnë mjedisin e duhur politik, ligjor dhe ekonomik që të përmirësojnë jetën e miliona njerëzve në mbarë botën.
Sot, 193 milionë njerëz gjenden të papunë dhe 1.4 miliardë punojnë të pasiguruar, ndërsa 300 milionë të tjerë jetojnë përgjithësisht në varfëri ekstreme, duke përfshirë edhe 40% të punëtorëve në vendet në zhvillim. Fitimet e miliarderëve gjatë vitit të kaluar u rritën me 2.5 miliardë dollarë në ditë, ndërsa pjesa tjetër e njerëzimit u varfëruan.

Kapitalizmi është bërë gjithashtu një nga shkaktarët përse ka kaq shumë pabarazi në botë. Shoqëritë tona po humbasin shpresën se të gjithë qytetarët mund të jetojnë nëpërmjet të ardhurave shumë të mira. Ne jemi duke humbur besimin se institucionet tona demokratike, gjithë kohës ushqejnë pasiguri dhe populizëm.
Një nga veprimet më të fuqishme që qeveritë mund të ndërmarrin është të trajtojnë fillimisht pabarazinë gjinore, duke krijuar mundësi punësimi në shumë fusha të shoqërisë si arsimi, politika, ekonomia. Kjo nuk është diçka e pamundur. Për shembull Islanda është bërë kohët e fundit vendi i parë në botë që ka ligjërisht paga të barabarta si për burrat ashtu dhe për gratë.
Përgjithësisht në të gjithë botën burrat kontrollojnë dyfishin e pasurisë së grave dhe 86% të kompanive botërore. Në mënyrë disi proprocionale, gratë përgjithësisht janë larguar nga pozicionet drejtuese. Qeveritë mund ta ndryshojnë këtë duke ofruar shërbime publike ku mund të drejtojnë gratë, të tilla si shëndetësia, arsimi, shërbime të tjera sociale.
Tashmë ne duhet të paguajmë për gjithçka dhe kjo është e padrejtë. Ulja e taksave u kushton vendeve në zhvillim 170 miliardë dollarë në vit, por nëse ulim një taksë me 1% për çdo familje, ato mund të mbledhin para mjaftueshëm për të edukuar fëmijën e tyre në mënyrë të rregullt.

Nismat tatimore si këto mund të ndryshojmë ekonominë. Hulumtimet në gjashtë vende me të ardhura të mesme tregojnë se investimi i 2% për Produktin e Brendshëm Bruto në shërbimet shëndetësore mund të ulë papunësinë me 3%. Nëse njerëzit do të kenë punë të garantuar, siç rekomandohet nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, kjo do të ishte zgjidhja për të gjithë njerëzit në botë. Kjo do të jetë tepër e rëndësishme sidomos tani që tregjet e punës po tkurren nga teknologjia. Rreth 45% e vendeve të punës në SHBA dhe 56% në Azinë Juglindore janë të rrezikuara nga inteligjenca artificiale dhe robotika, të cilat edhe pse do të krijojnë vende të reja pune do të mbyllin edhe shumë të tjera.
Tashmë njerëzit duhet të ndihmohen për të fituar aftësi të reja; kjo do t’i ndihmonte, por vetëm kjo nuk mjafton. Ne duhet të luftojmë gjithmonë për të pasur një punë më të mirë.
Qeveritë tona duhet të krijojnë ligje që u sjellin dobi më shumë njerëzve të thjeshtë se sa elitës. Ligje që sjellin një arsim cilësor të pranueshëm, të financuar për të gjithë nga publiku, paguhen duke tatuar të pasurin në mënyrë të drejtë. Kjo nuk do të ndodhë vetë ose me "magjinë e tregut", por me edukimin e brezit të ri. /BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë