Treg

Në Shqipëri janë 173 mijë të papunë, Elbasani qarku që punëson më shumë

INSTAT raporton se numri i të papunëve vlerësohet të jetë 173 mijë persona, ndër të cilët 42,3 % janë femra dhe 57,7 % janë meshkuj.

Sipas analizës rajonale, në vitin 2018, qarqet me shkallë punësimi më të lartë për popullsinë 15-64 vjeç janë: Elbasani (61,5 %) dhe Korça (59,5 %). Ndërsa qarku me shkallë punësimi më të ulët eshte qarku Lezhë (45,6 %). Qarqet me shkallë papunësie më të lartë janë Qarku i Vlorës me 21,9 % dhe ai i Lezhës me 19,2 %.

Në vitin 2018, në qarkun e Tiranës, punësimi në bujqësi zë një përqindje shumë të vogël, gjithsej (7 %). Pjesa më e madhe e të punësuarve janë të angazhuar në sektorin e shërbimeve (66 %) dhe një peshë të konsiderueshme zë edhe industria (27 %).
Sektori i shërbimeve dhe sektori bujqësor kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve.

Pagat

Në vitin 2018, paga mesatare mujore bruto1 në Shqipëri është 50.589 lekë. Paga mesatare mujore bruto është mbi nivelin mesatar për aktivitetet ekonomike si: Aktivitetet Financiare dhe të sigurimit; Administrata publike dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale. Ndërsa aktivitetet ekonomike me pagë poshtë nivelit mesatar janë: Tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motorçikletave; transporti dhe magazinimi; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor; dhe Bujqësa, Silvikultura dhe Peshkimi.

Hendeku gjinor në paga është 10,7 %. Hendeku gjinor në paga është më i theksuar mes punonjësve që janë të punësuar në ndërmarrjet ekonomike që i përkasin grup-aktivitetit ekonomik; “Industria nxjerrëse; përpunuese; energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar; furnizimi me ujë; aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, rehabilitimit”. Për këtë grup-aktivitet, hendeku gjinor në paga është 35,1 %. Krahasuar me vitin e mëparshëm hendeku gjinor në paga për këtë grup aktivitetesh ka rënë me 0,5 pikë përqindje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë