Biznes

Në Sarandë po ngre krye pakënaqësia e turoperatorëve

Një ligj i ri detyron hotelet afër zonave bregdetare të vendosin impiante private të përpunimit të ujërave të zeza. Turoperatorët përpos kostos financiare nuk janë të qartë se cilat kategori duhet të investojnë dhe përse duhet të vendosin impiant edhe hotelet që tashmë kanë kontrata me ujësjellësit e kanalizimeve...

Nga Gazeta ‘Si’- Një tjetër furi pakënaqësie po buron nga turoperatorët turistikë të vendit të cilët janë në valën e angazhimeve për pronotimet e verës. Një ligj i ri së fundmi po krijon kosto shtesë të mëdha për ta. Sipas këtij ligji, të gjitha subjektet e hotelerisë pranë zonave bregdetare, liqeneve apo lumenjve do të duhet që brenda tre muajve të vendosin impiante private të përpunimit të ujërave të zeza. Në të kundërt, bizneset rrezikojnë heqjen e licencës ose gjobë nga 15-26 mijë euro.

Ligji, i cili u jep atyre një afat kohor prej 90 ditësh, është kundërshtuar nga tur-operatorët turistikë të jugut të cilët kanë protestuar ditën e sotme(29 shkurt).

Arben Çipa,Kryetari i Shoqatës së Industrisë së Turizmit në Sarandë vëren për Gazetasi.al se përpos kostos së lartë financiare që shoqëron këtë vendim, ligji i ka futur operatorët turistikë në një qorrsokak.

Ata nuk janë ende të qartë se cilat kategori duhet të investojnë për vendosjen e impianteve dhe nuk dinë nëse ligji është në fuqi edhe për strukturat që tashmë kanë kontrata me ujësjellësit e kanalizimeve për derdhjen e ujrave të ndotura.

"Përpos kostos së lartë financiare që shoqëron këtë vendim, ligji i ka futur operatorët turistikë në një qorrsokak", citon Çipa

“Akti normativ i referohet faktit që gjithë subjektet që ndodhen afër bregdetit, liqeneve apo lumenjve do duhet të vendosin impiantin për trajtimin e ujërave të zeza.

Në këtë kuadër ne jemi dakord që nëse bëhet fjalë për akomodime që janë në breg të detit dhe nuk kanë lidhje me kanalin e ujërave të zeza, fenomeni sigurisht që do duhej trajtuar në njëfarë forme. Por nëse ky ligj është në fuqi për të gjithë ne e gjejmë shumë të pavend që të implementohet ky projekt.

Përse në momentin që ne jemi të lidhur me sistemin e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe paguajmë taksa duhet të vendosim një impiant të tillë?”, vijon Çipa për Gazetasi.al ndërsa shton se e vetmja gjë që mund të pranonin do të ishte një taksë shtesë në një periudhë të caktuar të sezonit ku ka mbingarkesë.

Një tjetër shqetësim për operatorët turistikë është edhe kostoja e implementimit të këtij impianti. Varësisht strukturës dhe kapacitetit të hotelit, implementimi i një impianti të tillë kushton nga 15 mijë deri në 80 mijë euro.

“Ky projekt ka kosto mbi kosto për funksionimin e tij. Nga analiza që ne po bëjmë dhe nga informacionet që po mbledhim në terren, rezulton se kostoja për vendosjen e tij është serioze.

Varësisht numrit të dhomave, duke llogaritur numrin e depozitave që duhen, përmasat e tyre, pompat si dhe konsumi që ato kërkojnë, përllogaritet një kosto shumë e lartë e cila kthehet në barrë për bizneset të cilat në këto kushte nuk e përballojnë dot”, vëren mandej ai për Gazetasi.al.

Vendosja e këtyre impianteve, sipas relacionit shpjegues të ligjit, u bë e domosdoshme për shkak të situatës emergjente nga shkarkimet e pakontrolluara në ujëra larëse dhe problemet me gropat septike të cilat krijonin një ambient të ndotur.

“Nëse krahasojmë parametrat e cilësisë së ujërave larëse në Shqipëri, vërehet se janë shumë të ulët në krahasim me shtetet e rajonit me turizëm të zhvilluar, si Greqia, Kroacia apo Italia.

Me rritjen e shpejtë të strukturave akomoduese në zonat bregdetare dhe rritjen e numrit të turistëve rrezikojmë që këto tregues të përkeqësohen gjatë vitit 2024, nëse subjektet tregtare dhe strukturat akomoduese nuk zbatojnë kërkesat e ligjit për trajtimin e ujërave të ndotura”, thuhet në të.

Foto ilustruese, derdhja e ujrave të zeza në det

Edhe objektet që janë duke u zhvilluar ose ndërtuar në këto zona kanë detyrimin të bëjnë vendosjen e impiantit përpara marrjes së certifikatës së përdorimit. Detyrimin për të vendosur impiantin ose sisteme individuale, me qëllim trajtimin e ujërave të ndotura sipas rregullave teknike e kanë edhe zhvilluesit e fshatrave turistike dhe agroturizmet. Nëse zhvilluesi i fshatit turistik nuk plotëson standardin e trajtimit të ujrave të ndotura atëherë në aktin normativ parashikohet dhe përjashtimi i tij nga e drejta për të marrë leje zhvillimi ose ndërtimi për 5 vjet.

Qeveria gjithashtu ka krijuar një Task Forcë që do të jetë në terren nëse është vendosur impianti  apo është zëvendësuar gropa septike me impiant.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë