Njerez

Në prag të Australian Open, Greta Thunberg i del kundër Federerit

E lindur më 3 Janar 2003, Greta u bë e njohur në mbarë botën falë aktivizimit të saj dhe fjalimit në dhjetor të 2018-ës, në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimaterike, të mbajtur në qytetin e Katovicës në Poloni. Ditët e fundit, aktivistja suedeze ka shprehur hapur mbështetjen për fushatën në rrjetet sociale, #RogerWakeUpNow, të nxitur nga një grup ekologësh zviceranë për të protestuar ndaj Roger Federer, imazhi kryesor i Credit Suisse, një institucion financiar që ka investuar (57 miliardë dollarë që prej vitit 2016) në industrinë fosile (qymyri dhe nafta).

Që nga viti 2009, Roger ka qenë fytyra kryesore e fushatave reklamuese të bankës dhe aktivistët po i kërkojnë atij të largohet, derisa investimet të destinohen për industri  me koncepte ekologjike. King Roger nuk ka komentuar ende, por me siguri në Australi, me rastin e Slamit të parë sezonal, çështja do të rikthehet në vëmendje. Sidomos në një vend të shkatërruar nga zjarret, që Greta dhe ndjekësit e saj ia atribuojnë ndryshimit të klimës.

Protesta nisi në vitin 2018, kur një grup aktivistësh sulmuan një degë të Credit Suisse në Lozanë dhe filluan të luanin tenis me klientët për t'i kërkuar sportistit të largohej. Institucioni ka hedhur në gjyq "pushtuesit" duke kërkuar që të dënohen me një gjobë prej 21 mijë e 600 frangash zvicerane. Vendimi pritet të jepet të hënën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë