Ekspozite

Në një bahçe tiranase… Një shekull kryeqytet nën magjinë e pikturës

Nga Luljeta Nelallari - Në një bahçe tiranase, në një rrugicë të vjetër të saj, e pikërisht mu në qendër të kryeqytetit, të shpërfaqen motivet e Tiranës së dikurshme me shtëpi private, larg pallateve shumëkatëshe, pamje të ndryshme nga qyteti, zona të harruara, por edhe Tirana e ditëve të fundit...

Ky mozaik tablosh nga artistët më në zë është ekspozuar për publikun nga artisti Shpend Bengu me rastin e 100-vjetorit të Tiranës si kryeqytet. E konceptuar si një galeri e hapur në natyrë, ekspozita “Tirana e artit të tre karantinave”, ka pasqyruar qytetin e Tiranës, nga viti i largët 1935 deri në vitin 2020, në vilën e dy artistëve, kompozitorit të ndjerë Selim Ishmaku edhe këngëtares Marina Grabovari.

Janë vepra të realizuara gjatë një shekulli, të cilat i janë besuar kuratorit Shpend Bengu, në këtë iniciativë të tijën, të pambështetur nga institucionet.

Në ambientet e atij oborri endesh dhe magjepsesh nëpër piktura mbresëlënëse të qytetit të Tiranës, ku nuk mungojnë ngjyrat dhe optimizmi edhe pse shumë prej tyre janë realizuar në kohë pandemie dhe kanë pasqyruar gjendjen me të cilën u përball njerëzimi. E veçanta e kësaj ekspozite është se pikturat vijnë edhe nga artistë shqiptarë që performojnë jashtë vendit, duke sjellë një tablo më të gjerë.

Por pse ekspozita vjen pikërisht me këtë titull? Artisti dhe kuratori i ekspozitës, Shpend Bengu, thotë për Gazetën “Si” se ekspozita vjen në përshtatje të karantinës globale me të cilën po përballemi, por ai e sheh karantinën në Shqipëri dhe në një koncept më të gjerë.

“Duke ia përshtatur karantinës, mendova ta quaj arti i tre karantinave: kemi karantinën e parë që ishte karantina 50-vjeçare që ishte sistemi i kaluar diktatorial, që izoloi totalisht shqiptarët nga bota. Brenda kësaj karantine ishte dhe një karantinë tjetër. Ishte karantina që iu bë fëmijëve të të persekutuarve, të cilëve nuk iu dha e drejta për të ndjekur arsimin e lartë në arte, një karantinë lokale, një pjesë e këtyre fëmijëve janë pjestarë të ekspozitës sime, kurse e treta që gjendemi është botërore", shprehet kuratori Shpend Bengu për Gazetën "Si".

Bengu rrëfen për Gazetën “Si” edhe idenë se si lindi kjo ekspozitë në këtë periudhë jo shumë të favorshme për artin.

“Synimi ishte që unë t’i dhuroja diçka qytetit tim të lindjes, Tiranës, me rastin e 100-vjetorit të shpalljes kryeqytet në kohë karantine. Doja t’i jepja një mundësi publikut shqiptar për t’u shkëputur sadopak nga gjendja e trishtueshme që ka kapur jo vetëm publikun shqiptar, por publikun e gjithë botës. Fillimisht ideja ka lindur gjatë karantinës nga një mikesha ime, Anila Zajmi, e cila është edhe pjesëtare në këtë ekspozitë, që më propozoi për të hapur një ekspozitë të përbashkët bashkë me Shaqir Veselin. Por projekti u zgjerua, mendova ta hap për shumë të tjerë”, shprehet më tej Bengu.

Pikturë e realizuar nga artisti Shpend Bengu

Artisti thotë se në këtë ekspozitë të madhe i është dashur edhe të vendosë kritere dhe t’i përzgjedhë kronologjikisht pikturat.

“Si kurator i kësaj ekspozite fillova të bëj planin dhe vendosa të vë disa kritere dhe vendosa që në këtë ekspozitë do të paraqiteshin ato imazhe, të cilat i përkisnin trashëgimisë materiale dhe jomateriale të qytetit të Tiranës. Vendosa që të ketë një përzgjedhje kronologjike sipas moshës së autorëve. Ekspozita këtu fillon që nga pikturat më të hershme deri në vitin 2020. Kronologjikisht janë të gjithë brezat, gjeneratat që nga fillesat e artit pamor shqiptar deri në ditët e sotme. Është një ambient i një oborri normal, që konceptua në parametrat e një galerie të hapur në natyrë në kushtet e pandemisë”, ndërsa shton se ka bërë një guidë nëpër Tiranë për përzgjedhjen e vendit se ku do të hapej.   

“Puna ka filluar nga unë personalisht, por edhe nga miqtë e mi, kanë ndihmuar dhe piktorë të tjerë, punë në formë grupi”, shton më tej Bengu.

Në një punë intensive që është përshkruar nga emocionet, ai veçon dhe miqtë e tij piktorë, të cilët performojnë jashtë vendit dhe që i janë bashkuar kësaj nisme.  

“Pjesa më emocionuese ishte kur familjet e atyre autorëve që nuk jetojmë më, më sollën punët e tyre origjinale. Një faktor tjetër interesant ishte se kjo pandemi nuk ndaloi as miqtë e mi, as autorët shqiptarë që performojnë jashtë shtetit të sjellin punimet e tyre, p.sh Bujar Zela nga Vjena, Besnik Trungu nga Gjermania, Aleksandër Bezhani nga Athina, pra, ka marrë dhe karakter ndërkombëtar, një artist tjetër sjell izolimin e Amerikës në karantinë, etj.

Një pikturë interesante që Bengu veçon është pikërisht sahati i Tiranës, punim i artistit Dashamir Vaqarri.  

Pikturë e realizuar nga Dashamir Vaqarri

“Një nga kriteret e mia ishte që t’i largohesha imazhit klishe për Tiranën, por është për t’u theksuar sahati, sepse është punimi i Dashamir Vaqarrit që është i 2020-s, me anë të cilit Vaqarri mori titullin doktor për Arte, doktoratura e parë për Arte në botë, në Britaninë e Madhe.

Bengu thotë se “një realitet tjetër pikturash sjellin gjerenata e re që nuk përdor laps dhe penel klasik, dhe përçon rrymën e re të impresionizmit digjital”.  

Artisti Shpend Bengu duke folur për pikturat e gjeneratës së re

Në këtë ekspozitë Tirana u shfaq shumëdisiplinore, jo vetëm me pikturë, pasi në ditën e hapjes nuk kanë munguar dhe forma të tjera të artit si poezia, dokumentari, filmi.

Sa u përket pritshmërive, kuratori Bengu thotë se ishin të jashtëzakonshme.

“Pritshmëritë kanë qenë të jashtëzakonshme, ia arrita të marr shpërblimin e publikut dhe ta angazhoj publikun”, përfundon ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë