Treg

Në nivelin më të ulët që nga korriku i 2021-shit, inflacioni në Europë ra në 2.4%

Nga Gazeta 'Si'-Inflacioni në Europë ka rënë shumë më tepër se sa pritej, në 2.4 për qind në nëntor, niveli më i ulët që nga korriku 2021.

Rënia e mprehtë e inflacionit nga 2.9 për qind që ishte një muaj më parë shton tensionet midis investitorëve që shpresojnë se normat do të ulen së shpejti dhe bankierëve qendrorë që kërkojnë të mbajnë të larta kostot e huamarrjes derisa rritja më e madhe e inflacionit për një brez të jetë zbutur përfundimisht.

Rënia e çmimeve të energjisë dhe rritja më e ulët e çmimeve të ushqimeve dhe shërbimeve ishin faktorët kryesorë të ngadalësimit të indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit, sipas të dhënave të publikuara të enjten nga Eurostat.

Ekonomistët e anketuar nga Reuters kishin pritur një ngadalësim më modest në 2.7 për qind. Rënia e inflacionit ka nxitur investitorët të vendosin bastet e tyre se kur Banka Qendrore Evropiane mund të fillojë të ulë normën e saj të depozitave që në prillin e ardhshëm.

Por presidentja e BQE-së, Christine Lagarde paralajmëroi këtë javë se "nuk ishte koha për të filluar shpalljen e fitores" në përpjekjen për të ulur inflacionin në 2 për qind. Ngadalësimi i rritjes së çmimeve të eurozonës nga kulmi i tij prej 10.6 për qind një vit më parë pritet t'u ofrojë njëfarë lehtësie konsumatorëve, me pagat që rriten më shpejt se çmimet, duke rritur fuqinë blerëse.

Megjithatë, kostoja e jetesës mbetet pothuajse 20 për qind më e lartë se përpara fillimit të rritjes së inflacionit tre vjet më parë.

Burimi: Financial Times/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë