Analize

Covid-19/ Kostoja në Europë për shërimin e një pacienti. Në Maqedoni është 2628 euro. Po në Shqipëri?

 Kur pandemia e koronavirusit gjunjëzoi Italinë në mars, mjekët anëmbanë vendit fqinj ngritën të njëjtin alarm: mbingarkimin e sistemit shëndetësor.  Megjithatë, me kalimin e muajve, autoritetet italiane, por edhe ato në mbarë botën kanë zbuluar se kostoja e një pacienti të infektuar më Covid-19 është një problem po aq i madh.

Në vendin tonë, koronavirusi i ri ka prekur më shumë 6400 persona, me shumë se 3300 prej tyre që janë rikuperuar. Pjesa më e madhe a atyre që kanë rënë në kontakt më virusin, janë rikuperuar të izoluar në shtëpi, duke u trajtuar me paracetamol, vitamina dhe kombinim antibiotikësh. Nga 2870 raste aktive, vetëm 122 pacientë po trajtohen në Spitalin Infektiv dhe Shefqet Ndroqi, 19 prej të cilëve janë në terapi intensive dhe 3 të intubuar.  Kjo në fakt është ndër shifrat më të larta të pacientëve të shtruar në spital për shkak të Covid-19, edhe pse është më e ulët se të infektuarit që po trajtohen në klinika në vendet fqinje. Por sa është kostoja e trajtimit të një pacienti me Covid-19?

Spitali Infektiv në Tiranë. Gazeta "Si"

Kjo është një pyetje që Gazeta "Si" ia ka drejtuar disa herë Ministrisë së Shëndetësisë, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Në Maqedoninë e Veriut, autoritetet kanë qënë të hapura më publikun, duke zbuluar se trajtimi një pacienti të infektuar i kushton sistemit shëndetësor mijëra euro. Duke filluar nga diagnostikimi përmes testit, shërbimet klinike, ilacet dhe dy testet tjera deri në shërimin e plotë, kostoja mesatare arrin në 2,628 euro për një pacient. Këto të dhëna të Ministrisë së Shëndetësisë janë përllogaritur në 13 ditë qëndrim në spital. Pacienti nuk paguan asnjë kosto.

Maqedonia e Veriut ka 11 054 pacientë të diagnostikuar. Prej tyre 2 285 pacientë ose 20,8% e në trajtim spitalor dhe 8 720 pacientë ose 78,1% kurim shtëpiak. Ndërkaq, miliona euro janë shpenzuar edhe për testimet masive të dyshuarve me simptoma dhe personave tjerë të kontaktit. Deri më tani janë realizuar mbi 110 mijë teste tamponë, që i kanë kushtuar shtetit i kanë kushtuar mbi 6,2 milionë euro, ndërkohë që Shqipëria ka realizuar deri më tani rreth 46 mijë tamponë.

Kostoja e një pacienti me Covid-19 është e ngjashme me ato të vendevë të tjera në Europë. Në Spanjë, kostoja e shërimit të një pacienti është 2200 euro, në Francë 2500 euro, aq sa në Itali, në Angli rreth 3 mijë euro, në SHBA 1300 dollarë, ndërsa në Gjermani 3200 euro. Në SHBA pacientët i mbulojnë vetë kostot, ndërsa në pjesën më të madhe të vendeve europiane i mbulon shteti, me kusht që pacientët të jenë të siguaruar.

Megjithatë, mediat amerikane thonë se kostoja e trajtimit të një pacienti në terapi intensive ose të intubuar mund të shkojë deri në 9 mijë dollarë.

Kura e trajtimit të pacientëve ndryshon nga vendi në vend. Për një pacient që nuk konsiderohet në gjendje kritike dhe vetëm me simptoma të lehta si temperaturë, vështirësi në frymëmarrje dhe kollë, mjekët këshillojnë kura të lehta. Por për të prekurit në spital kura përbëhet kryesisht nga barna që luftojnë pneumoninë, infeksionet e ndryshme si ato bakteriale, kompleks për forcimin e imunitetit dhe kortikosteroid anti-inflamator.  Ata në gjendje të rëndë po trajtohen me medikamente si Remedisiviri, ilaçi kundër Ebolas, çmimi i të cilit është rritur ndjeshëm muajt e fundit.

Megjithatë, përtej numrit të ndryshëm të të prekurve, ka diçka që i bashkon vendet e Ballkanit: të gjitha sistemet shëndetësore të rajonit po përpiqen me vështirësi të sigurojnë pajisjet më të rëndësishme në një mjedis shoqëror, ekonomik dhe politik në ndryshim të shpejtë. Një problem i vazhdueshëm që çon në rritjen e kostos së një pacienti me Covid-19 është rritja e çmimeve. Në kushte normale, kostoja e një shtrati në terapi intensive është rreth 30.000 $. Por, me rritjen e kërkesës globale dhe të çmimeve, sigurimi i materialeve u shndërrua në një garë të ethshme.

Vendet e rajonit i janë kthyer diplomacisë për sigurimin e furnizimeve, nëpërmjet marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe.

Përtej ndikimit të menjëhershëm për çmimet e pajisjeve dhe kërkesën për to, po dalin edhe sfida afatmesme sa i takon financimit të shëndetësisë duke qenë se të ardhurat spitalore po bien dhe burimet e financimit për sistemet shëndetësore me fonde publike po tkurren. Spitaleve në mbarë rajonin u është dashur të pezullojnë ose të kufizojnë procedurat që mund të presin, të cilat janë një burim i rëndësishëm të ardhurash. Ende nuk ka dalë një analizë e hollësishme e ndikimit në rajon, por ka të ngjarë që kjo humbje e të ardhurave do t’i rëndojë problemet me detyrimet e prapambetura dhe me borxhin për shumë ofrues të kujdesit shëndetësor. Edhe kjo po ashtu ka çuar në rritje të kostos të pacientëve që po trajtohen në spitale,

Për më tepër, duke pasur parasysh tkurrjen ekonomike dhe rritjen e papunësisë, burimet e financimit janë ngushtuar dhe do të ngushtohen më shumë.

Edhe me masat agresive të mbajtjes së distancës sociale, vendet e rajonit kanë qenë të detyruara të përgatiten për një rritje të madhe të numrit të rasteve në vjeshtë, duke hapur nga një ose dy klinika shtesë për të infektuarit me koronavirus.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë