Futboll

Në lojë titulli kampion, derbi Tirana-Partizani ndez sot kryeqytetin

Gazeta Si – Derbi i sotëm i kryeqytetit, Tirana-Partizani, është pak më i veçantë se të tjerët. Është derbi që vendos shumë për titullin kampion të këtij sezoni, me Partizanin që vjen në rolin e ‘sfidantit’, pasi është 2 pikë prapa.

Një fitore e mundshme e Tiranës do ta thellonte diferencën në 5 pikë, që do të thotë se titulli do të mbetet bardheblu. Brazimi do të linte gjithçka të hapur, kurse fitorja e Partizanit do të thotë ndërrim vendesh në renditje mes dy skuadrave dhe më shumë shanse për të kuqtë, duke pasur parasysh anën morale dhe kalendarin.

Partizani feston fitoren e fundit ne derbi. Gazeta Si, 17 maj 2023

Shehi është i penalizuar nga mungesat në formacion, që janë jo pak, por tre: Behiratçe, Hila dhe Hasani. Tirana ka alternativa, por stoli do të jetë i varfër në këtë derbi. Trajneri është munduar të largojë presionin nga skuadra e tij, duke theksuar se titullin nuk mbyllet në derbin e sotëm.

Pak më i drejtpërdrejtë trajneri italian i Partizanit. Kolela e ka thënë qartë se vetëm fitorja ndaj Tiranës hihap çështjen e titullit. Të kuqtë vijnë në këtë ndeshje me një skuadër më të plotë dhe pa presion, pasi nuk kanë çfarë të humbasin.

Tifozëria pastaj ka pjesën e vet, sidomos ajo e Tiranës, që do të jetë në maxhorancë në ‘Air Albania’. Interesimi për bileta këtë herë, duke parë edhe situatën, ka qenë më i lartë se asnjëherë më parë. Tani fjalën e kanë dy skuadrat në fushë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë