Muzike

Në kulmin e debatit të Ermonela Jahos, Inva Mula publikon këngë me dy reperë

Dy reperët e njohur, MC Kresha dhe Getoar Selimi kanë bashkuar forcat për një këngë të re, por në të përfshihet edhe një emër tërësisht jashtë industrisë së hip-hopit, sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare, Inva Mula.

Kënga, e cila mban titullin “Jemi njo” është publikuar të mërkurën në Youtube, ku ka arritur të marrë qindra klikime në një kohë fare të shkurtër. Bashkëpunimi mes tyre sjell një këngë, e cila ndërthuret me motive klasike dhe hip-hop.

Kjo këngë (bashkëpunim) që deri dje mund të mendohej i pamundur ku sopranoja me famë botërore u bashkohet dy reperëve dhe pritet të ketë sukses, publikohet në kulmin e debatit të sopranos Ermonela Jaho, e cila erdhi në Shqipëri për Akademinë Teatrale, një seri “masterclasesh” për të rinjtë artistë, por u zhgënjye nga sabotimi që iu bë nga ana e studentëve shqiptarë dhe pedagogëve.

Në heshtje është folur gjithnjë për një sfidë dhe rivalitet mes dy zërave më përfaqësues të muzikës operistike shqiptare, Inva Mula dhe Ermonela Jaho.

Inva Mula madje do të pyetej edhe në studiot televizive nëse ndien rivalitet me Ermonela Jahon që është në kulmin e karrierës, por ajo e ka mohuar kategorikisht një gjë të tillë.

“Ermonela është një artiste e shkëlqyer në të gjitha drejtimet dhe mënyra se si ajo po i përkushtohet skenës, mënyra si po imponohet në skenë është shembull për brezin e ri. Është rrugë që unë e kam bërë”, do të shprehej ajo.

Nga Violeta e Verdit, Inva Mula ka kaluar në dicka krejt të re, ku pas kaq viteve karrierë të paraqitet ndryshe tek publiku.

Dy ditë më parë, në një video në Instagram, reperi Ghetto ka përshkruar të gjithë rrugëtimin e këtij projekti muzikor, i cili ka filluar dy vite më parë si dhe dëshirën e fortë që Inva Mula të ishte pjesë e projektit.

“Duke pasur parasysh që Inva nuk është pjesë e industrisë tonë, është diçka krejt tjetër, e madhe dhe e kemi respektuar shumë, unë mendova që sigurisht do jetë e vështirë, por pak e çuditshme për Invën, por e dija shumë mirë që nëse e bëjmë ashtu siç unë dua dhe e mendoj do dalë, sigurisht do i pëlqejë dhe Invës dhe do e pranojë si ftesë”, shprehet Geasy.

Më tej, Geti ka sqaruar se përgatiti një demo për t’ia prezantuar Inva Mulës duke marrë një studente që të regjistronte pjesën e saj, në mënyrë që sopranoja të kishte një ide të qartë.

“Lashë një takim, ia prezantova Invës, i pëlqeu shumë, sigurisht që iu duk e çuditshme, por gjithmonë pozitive, por tipi i saj shumë kërkuese dhe guximtare pranoi dhe shkuam direkt ta provonim në studio si ide. Kemi bërë idenë e parë, Inva ishte… s’kam fjalë, kuptohet, spektakolare, dhe u bë si demo e parë dhe vazhduam projektin”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë