Biznes

Në klubin e Nanit, aty ku historia e Tironës do të shitet për 200 mijë euro

Sabina Veizaj- Brimë e quan Ai, atë kthinë ngjyrë blu.

Nuk kaloi shumë dhe erdhi i pari, pastaj i dyti, i treti dhe i katërti. U plotësua tavolina që prej 18 vjetësh ka mbishkrimin “e rezervuar”.

“Mos na merrni me kamer e as fotografi se gratë na dinë në bibliotekë duke lexuar”- tha një prej zotërinjve të tavolinës së rezervuar dhe shpërtheu e qeshura paskëtaj.

Nani duke i shërbyer profesorit

Nani na kishte treguar më parë gjatë  bisedës, se ajo tavolina, në të cilën nuk ulet kush veç tyre, është e besnikëve më të mëdhenjë që frekuentojnë ende klubin. “Ata janë profesorë doktorë, mjekë ligjorë, kardiologë. Janë miqtë e babës. Ata nuk ikin. Edhe 500 lekë të kenë, vijnë e harxhojnë këtu. Aty përveç tyre nuk ulet njeri, Zoti le të vijë, nuk e lejoj”-thotë Nani.

Me flokë të bardhë, pak më të gjatë se burrat tradicionalë i mbajnë zakonisht dhe i veshur me tuta sporti blu. Prej dialektit e kupton që është tiranas, por ai ta  konfirmon duke thënë se është prej 300 vjetësh në Tironë. “Duhet më shumë për të qenë tirons?” – pyet Nani në mënyrë retorike dhe të shpenguar.

Ajo që ai e quan brimë është një hapësirë sa një apartament dy dhoma e guzhinë në katin e parë të një pallati në zemër të Tiranës, mbrapa Ministrisë së Drejtësisë, pas një tuneli të vogël të krijuar mes qendrës së biznesit “Star” dhe pallatit ku qëndron klubi i tij Tirona (Zemra jonë).

Toka mbi të cilën është ndërtuar pallati është e familjes së Nanit, shtëpia e të cilit është shembur më 1988-ën. Klubin, Nani e ka blerë në vitin 1996 për 250 mijë lekë dhe vlera e tij është shumëfishuar për shkak të çuarjes përpara të traditës dhe historisë që ai ka nxitur dhe zhvilluar në  mjediset e brendshme të klubit.

“ Për gati 5 vjetë ime më ka jetuar në këtë  mjedis.”-thotë Nani.

I parë nga jashtë, Tirona të ngjan me një klub tifozash që mblidhen dhe qajnë hallet e sportit e unë u kuriozova dhe një ditë i trokitëm Nanit në derë, sëbashku me kolegun tim të sportit, Arditin.

Atë ditë kishte shumë njerëz dhe Nani me buzëqeshje na përcolli duke na ftuar të ktheheshim të nesërmen në 11 : 30.

Sapo hymë të nesërmen në Klub, brenda shpërthente era e plëncit. Dikush kishte porositur. Era e plëncit do të thoshte që Nani atë ditë do të kishte klientë të mirë në kuptimin e të ardhurave.

Sepse, siç na rrëfeu ai, ka 5 vjetë që puna ka rënë tepër në klub.

Po të ngresh sytë kur hyn aty, vëren se në tavan është pikturuar stema e ekipit të Tiranës dhe muret janë lyer me ngjyrat e Tiranës, në të katër faqet e murit qëndrojnë të varura 99 fotografi të Nanit me klientë të ndryshëm që kanë bujtur klubin. 60 të tjera thotë Nani janë nëpër sirtare. “Sapo vjetërohet njëra, zëvendësohet me një prej atyre të sirtarit. Por numri qëndron gjithmonë 99”. Edhe pse e pyeta pse 99, ai nuk na e tha nëse pas këtij numri fshihet ndonjë bestytni.

 “Shkoja kudo dhe shikoja lokal Tirana. Edhe kur shkoja në Durrës, lokal Tirana, pa kuptim fare. I them nonës, u bënë të gjithë tregtarë. Ne nuk mund të jemi? E hapim bar-kafe si fillim në vitin 2000. Kishim ujësjellësin afër dhe vinin punonjësit. Ata ishin 500 punëtorë. 25-30 punëtorë e pinin kafenë çdo ditë tek unë. Në fillim nisa vetë e më pas u afrua nëna. Kafetë të lodhnin shumë. Kur u afrua nëna mendova ta kthej në restorant. Këtë ekspresin që kemi këtu t’ia jap burrit të huaj, që mos ta thyej me sopatë, se këtu nuk do të pi më njeri kafe, i thashë nënës.” -na tregoi Nani.

Ai në atë kohë, në fillimet e bar-kafesë zgjohej në 5 e 30 të mëngjesit dhe ikte në 1 të natës. Sepse në orët e mbrëmjes i vinin shokët për birra.

“Kisha 50 arka me një birrë gjermane që nuk e kishte njeri. Ata vinin, pinin e iknin në 1 të natës. Unë mbaroja punët e loaklit e ikja në shtëpi e të nesërmen sërish në 5 e 30 të mëngjesit. Shumë e lodhshme”

“Më tha nëna, a e provojmë me qofte shtëpie? Po i thashë. Vinin punonjësit e Sigalit dhe hanin e pinin. Merrnin edhe verën 10 mijë lekë të vjetra. Nisi nëna me një furrnelë gazi, e vinte në banak dhe bënte qofte me qull, qofte sade, patëllxhana turshi,, tranguj, salçiçe, speca me gjiz, vezë  të ziera.”- thotë Nani e kjo menu nuk ka ndryshuar edhe pas 18 vjetësh.

“Njerëzit pëlqejnë autenticitetin, origjinalitetin dhe që ky lokal nuk ka ndryshuar veprimtarië dhe ka histori. Shiko fotografitë; Kadri Roshi, Fatos Nano, Bamir Topi, etj...”-nis e shpjegon Nani. Ai mban mend çdo histori të vetme që rrjedh nga ato foto ditën kur janë shkrepur.

Kadri Roshi dhe Nani

Kadri Roshi filloi të vinte vitet e fundit përpara se të vdiste, tregon Nani. “Shkonim edhe për peshk. Por në fund ishte i dobët, pa fuqi. Vinte, rrinte pak dhe largohej”

Nani dhe Fatos Nano

Kurse për Fatos Nanon, thotë se ishte klient i rregullt i klubit gjatë periudhës që ishte kryeministër. “Mbaj mend në 2012-ën ishte Panairi i Kulinarisë ku  5 loakle në Tiranë që gatuanin traditën; (Piazza, Pajtim Struga, lokali ynë, etj) prezantuam gatimet në sheshin përpara Pallatit të Kulturës. U afrua Fatos Nano dhe i tha nënës time; më ka marrë malli për byrekun me qumësht. Mori dy copa byrek dhe bisedoi me nënën”- kujton ai.

Duke treguar me gisht një tjetër fotografi Nani thotë: “Këtu jam me Bamir Topin. Bamiri vinte tre herë në javë në atë kohë.”

Nani, fotoja e xhaxhait lart me cigare

“Klientela me personazhet që shikoni nëpër mure është krijuar nga im at dhe xhaxhai. Babi im ka qenë punëtor dhe albitër ndërkombëtar, Haxhi Pëllumbi.  Lojëtar i Tiranës më 1955-ën. Kurse xhaxhai, Besnik Pëllumbi (Keçi) ballori i shquar i ekipit të Partizanit, i asaj skuadre të paharruar basketbolli, që bëri emër në vitet 60-të e 70-të të shekullit të kaluar.”

Faqet e murit bartin ditë të gëzuara e të trishtuara, aromë rakie e vere, data, ngjarje, të personazheve të njohur, e në kujtesën e Nanit ka plotë syresh të panjohur që i ka respektuar po njësoj kur i kanë bujtur në derën e klubit.

Haxhi Pëllumbi, babai i Nanit

“Çunat e rrugës Bardhyl kanë ardhur dje nga Shupali në 4 pasdite, kemi ardhur vetëm për plënc e kukurreca sepse jemi velur me mish fshati”-tregon Nani duke vazhduar-“Kisha një vit pa i parë.”

Ai rrëfen se ka shumë emigrantë që e dinë klubin dhe kur vijnë për pushime në Tiranë, vijnë çdo ditë në klub.

“Mbaj mend para disa kohësh që dikush kur erdhi në lokal, klient më mbeti 45 mijë lekë të vjetra. I kisha harruar. Ai kishte emigruar në Greqi. Një ditë mu shfaq në derë dhe më tha:-më bëj një birrë dhe hajde të të japë lekët se nuk duroja dot veten derisa të ti sillja. Lekët i ka sjellë pas një viti”-kujton Nani duke vazhduar me kujtimet e tij-“ Erdhi dikush një ditë dhe më tha; si ka mundësi që në mes të Tiranës klubi dhe unë të mos kem ardhur një herë? I thashë; më mirë vonë se kurrë. Ka të tjerë që nuk kanë ardhur kurrë dhe do të vdesin pa e njohur dhe pa e parë. Ti të paktën e pe”

Ne jemi ulur në tavolinën në të  djathtë të derës kryesore, ndërsa Nani më tregon foton e djalit të tij kur ishte 4 vjeç e gjysmë (tani 16 dhe luan me Tiranën) duke më thënë me bindje se në atë kohë bëhet njeriu tifoz. “Si mund ti thuash atij mos luaj për Tironën. Strazimiri, një shoku i tij, ka shkuar në basketboll tek Partizani, për 100 mijë lekë  të vjetramë tepër. Djali më tha që nuk i flet më sa të jetë jeta. E bën burri veten për lekë e të shesë fanellën më tha. Unë i thashë që ia fut kot sepse kështu kanë ardhur kohët, çdo gjë është bërë tregti. Fanellën e Tiranës kush nuk po e vesh. Ti do shkosh aty ku të kesh më shumë para.”

Mes fanatizmit për Tiranën, kulinarisë tradicionale tiranase që ka tërhequr figura publike dhe njerëz të zakonshëm, Nani ndjek me vëmendje edhe politikën, madje bën sarkazma të goditura për çdo politikan.

“Në këtë Klub ka ardhur edhe Ilir Meta që ne sot e kemi për President. Vinte edhe grupi i LSI-së. Vijnë një herë dhe më thonë firmose këtë kartën. Unë e firmosa dhe e vura bashkë me 20 të tjerat. Kam edhe të Kreshnik Spahiut, PDIU-së, etj, por në portofol kam kartën e PD-së. Por jo të asaj të sotshmes.”-tregon Nani.

Xhaxhait të Nanit, Basketbollistit Besnik Pëllumbi, më 1975-ën i merr fund karriera, pasi daja dënohet dhe asgjësohet nga regjimi, kështu që edhe të afërmit, përfshi atë vetë, vuajtën pasojat. Ai u detyrua të largohej nga Partizani dhe u transferua me punë në Pukë. Fillimisht ai u ngujua në shtepi për tre javë nga goditja psikologjike e më pas filloi punë në fermë e më pas në fabrikën e llullave.

“Vitet e fundit përpara se të ndahej nga jeta në mars 2004, rrinte në këtë tavolinë ku jemi ulur ne. Binte një shishe Ballantines, një Cola dhe 2 paketa LM. Nga pija vdiq”-tregon ai, duke e patur të pamundur të mos ketë mllef për politikën.

Ndërsa në pjesën e parë të lokalit ku qëndrojnë fotografitë, titulli i babit si arbitër i shquar, fanellat dhe  flamuri i Tiranës, në pjesën e dytë të lokalit ku qëndron edhe kuzhina në të cilën gatuhet, është sinori i Juventusit, ri nderur Flamuri shqiptar dhe ai amerikan.

Nani na shpie drejt frigoriferit dhe hap ngrirjen. Pranë mishit qëndron fotoja e kreut të Partisë Demokratike Lulëzim Basha. “Që kur ai e ngriu veten, qëndron i ngrirë këtu”- thotë serioz Nani dhe lëviz me dorën e majtë flokët e bardhë pas veshit, ndërsa me dorën e djathtë mbyll derën e sipërme të frigoriferit ku fotoja e Lulëzim Bashës për kushedi sa do të qëndrojë aty.

Ndërsa tek pjesa e sipërme e kuzhinës qëndron një foto e Presidentit Trump dhe në të djathtë një foto e kryeministrit Edi Rama me një papagall.

“Edi Rama ndihmon vajzën të gatuajë kur ajo lodhet. Ai është specialist në kuzhinë ( na ka zënë halli, ç’të bëjmë!) Sa unë është me moshë ai. Po të isha unë kryeministër do kënaqeshin njerëzit. Në fillim do vuanin pak, por pastaj do kënaqeshin. ”- thotë Nani dhe buzëqesh, teksa u shërben dy klinetëve dhe miqve të tij, njëri nga Fieri e tjetri nga Lushnja, ky i fundit ka ardhur për pushime nga Amerika.

Biznesi

Nani është i bindur se suksesi i klubit përveç traditës, historisë, qetësisë,(ku shumica e njerëzve që vijnë këtu takojnë njëri-tjetrin dhe bisedojnë) qëndron tek menuja tipike tironse. “Unë e kam të sigurt, po të kisha ndryshuar, do kisha mbaruar. Shko në jug për mish, në bregdet për peshk. Nuk hahet peshku në beton. Më janë lutur ta kthejë në restorant peshku dhe kam refuzuar në mënyrë absolute”-tregon Nani.  

Për të, vërtet njerëzit që mund të hyjnë në klubin e tij mund të mos kenë shumë lekë, “por po të hyjnë 50 veta me nga 2000 lekë të vjetra, ja doli dita.”- thotë ai.

Periudha më e mirë për Klubin ka qenë viti 2003, sipas Nanit. Ai bënte në atë kohë xhiro ditore 50 000 lekë (të reja) nga ora 11-30 e mëngjesit deri në 4 e 30 pasdite.

“Tani tregtia është zvogëluar. Rënia ka nisur pas 2012-ës. Në 2013 ka qenë një rënie që jam habitur, nuk më besohej. 60-70 % rënie. Dje përshembull me 2 tavolina bëra 102 mijë lekë të vjetra, është normale. Ndërsa sot, nëse bëj 30 mijë  lekë të vjetra, jam më i  lumturi në botë.”-thotë Nani. Sipas tij nuk ka më ditë të mira të parashikuara. Ditët e mira janë të rastësishme.

Ai e shpjegon këtë me rënien e ekonomisë. “Më përpara kishte lekë nëpër duar. Tani jo më. Një person me rrogën 250 mijë lekë të vjetra, çfarë mund të bëj  më përpara; të mbaj familjen apo të vij këtu tek unë?” Klubi aktualisht nuk i kalon 6 milion lekë në vit.

Nani ka punuar deri në vitet 90” si elektromekanik, më pas tregon se është marrë me punë private të ndryshme derisa hapi klubin.

Deri para pak kohësh besonte se gjërat në Shqipëri do të bëheshin mirë dhe puna në klub do t'i ecte si më parë, por ...

Vajza e Nanit është 24 vjeçe. Ajo është diplomuar në Universitetin e Arteve dhe aktualisht gatuan në Klub. “E ka trashëguar nga ime më gatimin, ashtu si nëna ime nga gjyshja ime. Por e ka mendjen të ikë. Ka shkuar dy herë në Suedi.”-thotë Nani, i cili mendon se për të ardhmen e fëmijëve është gati të bëjë gjithçka.

Historia e klubit të tij është vënë në shitje për 200 mijë euro.

Nani si shumë shqiptarë të tjerë të demoralizuar dhe dëshpëruar ka vendosur ta lërë Shqipërinë sëbashku me familjen.

“Para dy vjetësh ma këkrkuan 250 mijë euro klubin dhe bëra gafë. Mendova se do të përmirësoheshin gjërat. Tani mendoj të kundërtën. Ne do të shkojmë shumë shpejt në Suedi”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë