Njerez

Në kërkim të besimit: Sinead O’Connor konvertohet në Islam

Bard Wilkinson, CNN -  “Kjo është për t’ju bërë me dije se jam krenare që jam bërë myslimane”, ka shkruar Sinead O’Connor  në rrjetin social Twitter. “Është një përmbyllje e natyrshme e çdo udhëtimi inteligjent teologjik. Të gjitha studimet të çojnë drejt Islamit. Gjë që i bën shkrimet e tjera të tepërta.”Këngëtarja irlandeze gjithashtu ka shtuar se i është dhënë një emër i ri dhe ai do të jetë  Shuhada’.  Ajo e gërmëzon emrin e ri, që do të thotë “ai që mban dëshminë” në gjuhën arabe, me një apostrof në fund. Shuhada’ vjen nga fjala arabe  ‘Shahada’, shpallja islamike e besimit në të cilën myslimani dëshmon besimin  se ka vetëm një Zot dhe se Muhamedi është profeti i fundit.

Emri ka edhe kuptimin “martirë” në gjuhën arabe. Vitin e kaluar O'Connor e ndryshoi emrin e saj në  Magda Davitt, një emër që e zgjodhi për të qenë “e lirë prej mallkimeve  prindërore”.  Këngëtarja e hitit të famshëm “Nothing Compares 2 U” e ka zëvendësuar foton e profilit të  saj në Twitter me një fotografi ku shkruhet “Vish hixhab, thjesht bëje”, bashkë me një logo të markës “Nike”.

Postimet e saj të fundit kanë përfshirë edhe këndimin e saj të thirrjes islame për lutje, Ezanin, e veshur me hixhab. “Shoqja ime e ngushtë, Elaine më dha hixhabin e parë dhe u emocionua shumë kur e vesha. Nuk do të postojë foto sepse është tejet personale. Dhe jam një plakë e shëmtuar, por jam një plagë shumë,  shumë, shumë e lumtur.”51-vjeçarja ka shkruar në Twitter së është shumë e lumtur dhe kërkon ndjesë nëse gërmëzon keq fjalët arabe,  në recitimin e Ezanit.  Megjithëse përqafimi i Islamit nga ana e saj ka shkaktuar shumë kritika dhe vërejtje anti-islamike, është mirëpritur gjerësisht nga myslimanët online.

“Selam dhe vazhdoni me punën e mirë”, ka thënë Immy Khan. “Keni 1.7 miliardë motra dhe vëllezër tani.” Gjatë javës Davitt ka shkruar në Twitter : “Falënderoj të gjithë vëllezërit dhe motrat e mia myslimane që kanë qenë kaq të sjellshëm për të më mirëpritur në Ummah (komuniteti mysliman) sot në këtë faqe. Nuk mund ta imagjinoni sesa shumë do të thotë për mua butësia juaj.”Këngëtarja e njohur zyrtarisht si O’Connor u bë lajm kur grisi një  fotografi të Papa Gjon Palit II gjatë një shfaqjeje televizive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më pas, ajo tha në një intervistë me Time se e kishte bërë këtë  për shkak të abuzimeve të kishës katolike me fëmijët. Ajo më pas u shugurua priftëreshë nga peshkopi i kishës periferike katolike latine “Tridentine” në Lurdë, Francë, më 1999-ën, ku mori emrin Nëna Bernadette Mary.

Kisha Katolike e anuloi shugurimin e këngëtares duke e quajtur në atë kohë “si të çuditshëm dhe absurd”. Më 2011-ën ajo kritikoi sërish kishën katolike mbi skandalin e abuzimeve seksuale me fëmijët, në një artikull për “Sunday Independent.”Ajo e cilësoi Vatikanin si “një çerdhe djajsh”, duke bërë thirrje për krijimin e një “kishe alternative”, ndërsa shprehte keqardhje se  “Krishti po vritet nga gënjeshtarët”, në Vatikan. Papa Françesku, në fillim të këtij gjatë vizitës  në Irlandë foli për turpin ndaj “krimeve të neveritshme” të abuzimit historik me fëmijët në kishën katolike dhe tha se zemërata është e justifikuar.

https://twitter.com/DrUmarAlQadri/status/1055550686388240389

Në vitin 2015, mamaja e katër fëmijëve postoi në faqen e Facebook-ut se kishte marrë  mbidozë me qetësues për shkak të një beteje kujdestarie për djalin e saj më të vogël, me muzikantin irlandez Donal Lunny.  Policia më vonë tha se e kishte lokalizuar O’Connor-in ndërsa ajo ishte jashtë rrezikut. Një vit më vonë, O’Connor u raportua e humbur në Çikago, kur nuk u kthye nga një shëtitje me biçikletë, por policia e gjeti një ditë më pas.

Vitin e kaluar, ajo postoi një video në lot, ndërsa fliste rreth sëmundjes mendore, që përhapi shqetësim mes miqve dhe familjarëve. Videoja e shfaqte teksa qante në një dhomë moteli dhe ankohej se familja e kishte braktisur  ndërsa ajo po përballej me problemet e shëndetit mendor. “Njerëzit që vuajnë nga sëmundjes mendore janë njerëzit më të brishtë në Tokë”,  thoshte O’Connor. “Duhet të kujdeseni për ne. Nuk jemi si të gjithë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë