Njerez

Në Kaliforni edhe murgeshat po kultivojnë kanabis, luten për fitime

Qarku Merced ndodhet në mes të Luginës Qendrore të Kalifornisë. Në pamje të parë duket si një vend normal me shtëpi që rreth e rrotull kanë të korra dhe të gjitha duken shtëpi të thjeshta.

Nuk ka asgjë të pazakontë përveç faktit se në një nga ato shtëpi jetojnë disa murgesha të cilat luten për begati ndërsa bekojnë bimët e kanabisit.

Këto gra janë "Motrat e Luginës", të njohura më mirë si Murgeshat Weed.

Të udhëhequra nga Motra Kate, të gjitha janë anëtare të një grupi të vetëshpallur murgeshash që identifikohen si shëruese dhe feministe. Ato nuk përfaqësojnë një fe zyrtare.

"Zgjodha një industri që është e ngatërruar", thotë Motra Kate.

Me “e ngatërruar” ajo u referohet të gjitha teknikave konfuze në ligjet që rrethojnë industrinë e kanabisit në Kaliforni.

Kalifornia është shteti i parë që legalizoi kanabisin mjekësore në vitin 1996 por ligji ka qenë me boshllëqe dhe ndryshon nga qyteti në qytet.

Edhe pse përdorimi i kanabisit është i ligjshëm në shtet, gati dy të tretat e qyteteve të Kalifornisë e kanë ndaluar përdorimin e kanabisit për biznes ndërsa qytete të tjera e kanë bërë shumë të vështirë për qytetarët që të marrin lejen për përdorimin e tij.

Joel Rodriguez thotë se normat e taksave dhe shpenzimet e përgjithshme po i lënë jashtë biznesit firmat e ligjshme të kanabisit.

Motrat e Luginës bien ndesh me ligjin me rritjen e 60 bimëve por thonë se policia e di dhe e ka lejuar.

“Ata e dinë se bëjmë bimë mjekësore dhe prandaj na lejojnë”.

Murgeshat kanë një shtëpi të dytë, të cilën e quajnë "abbey" dhe aty bëhet i gjithë prodhimi i ilaçeve.

Ato prodhojnë dhe shesin të gjitha ilaçet dhe vajrat e tyre me bazë kanabisi, një biznes që para pandemisë u sillte 1.2 milion dollarë në vit fitime.

Pavarësisht se luten dhe bekojnë çdo bimë, ato tani po bëjnë gjysmën e kësaj shume. Ato mund ti shesin bimët e tyre nëpërmjet dyqaneve por kjo nënkupton më shumë rregulla dhe burokraci.

32 km poshtë rrugës, në qendër të Merced, Joel Rodriguez, i cili drejton dyqanin lokal të kanabisit, po punon me rregulla por ai thotë se Kalifornia ka vendosur aq shumë taksa në zinxhirin e furnizimit me kanabis sa njerëzit po shtyhen të veprojnë në mënyrë të paligjshme.

Tarifa fillestare e aplikimit për një licencë me pakicë në Kaliforni është 1,000 dollarë.

Pas kësaj ka tarifa vjetore shtetërore dhe rregullatore që mund të shtojnë deri në dhjetëra mijëra dollarë në vit për bizneset e vogla dhe afër 100,000 dollarë për biznese më të mëdha.

Të operosh në mënyrë legale është shumë më e shtrenjtë se të operosh ilegalisht, duke vepruar si një nxitje për tregtarët.

Tregtia e paligjshme e kanabisit vlerësohet të jetë rreth 8 miliardë dollarë, afërsisht dy herë më e madhe se tregtia e ligjshme në Kaliforni në vitin 2021.

Një tregtar, i cili nuk donte të identifikohej me emër, thotë se mund të ofrojë një produkt më të mirë dhe të bëjë më shumë fitime duke punuar jashtë parametrave ligjorë.

"Thjesht përpjekja për të marrë atë licencë kushton rreth një milion dollarë", thotë ai.

Në të gjithë Kaliforninë, ata që dikur arrestonin njerëz për përdorim të kanabisit, tani përqafojnë bizneset legale.

"Ne duhet ta bëjmë pak më të lehtë për ata njerëz që po e bëjnë atë në mënyrë të ligjshme", thotë Ruben Chavez, shefi i Departamentit të Policisë në Luginën Qendrore.

Deri më tani këtë vit, Kalifornia ka marrë afro 580 milionë dollarë të ardhura nga taksat dhe shefi Ruben beson se lehtësimi i rregulloreve do të çonte në më shumë të ardhura për qytetin e tij dhe do të ndihmonte përpjekjet e departamentit të tij për të zhdukur tregtinë e paligjshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë