Frika nga tërmetet e fuqishme që goditën sot Shqipërinë ka bërë që të gjithë banorët të dalin jashtë banesave, pavarësisht se mund të ishin në gjumë apo duke bërë dush. I tillë duket të jetë rasti i disa qytetarëve që kanë dalë të tmerruar në rrugë, me peshqir, robdeshambër apo të mbathura.
Sikur të mos mjaftonte kjo, një dasmë është ndërprerë nga lëkundjet e forta të tërmetit në zonën e Astirit në kryeqytet.
Një prej dasmorëve ka treguar për mediat se në momentin e tërmetit ata kanë nxituar të futen poshtë tavolinave.
"Jemi futur poshtë tavolinave. Nxituam të nxjerrim fëmijët jashtë. Njerëzit u përqendruan te dasma pastaj", tha dasmori.
Nga ana tjetër, një video e siguruar nga kamerat e nje prej lokaleve ka fiksuar momentin kur lëkundjet e fuqishme shkundën vendin. Në video duket se si personat qe ndodheshin në lokal, kane braktisur ne panik tavolinat dhe larguar me vrap.
Disa banorë në zonën e Don Boskos në kryeqytet kanë mbetur të bllokuar në ashensor në momentin kur ka rënë tërmeti. Por ato nuk kanë pësuar dëmtime të rënda pasi pas përfundimit të lëkundjeve janë dërguar në Spitalin e Traumës për të marrë edhe ndihmën e parë mjekësore.
Po ashtu tre persona kanë mbetur të plagosur pasi janë hedhur nga pallati ku banonin. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Astirit në kryeqytet. Mësohet se për të shpëtuar nga dëmet e tërmetit, banorë të zonës janë hedhur nga ballkoni dhe kanë mbetur të plagosur.
Është dashur nderhyrja e ambulancës për t'u dhënë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.