Muzike

‘Ne jemi një’, ansamblet e Shqipërisë dhe Kosovës bashkohen për herë të parë për një koncert vëllazëror

Nga Gazeta Si - Ansambli Popullor në bashkëpunim me Ansamblin “Shota” të Kosovës do të vijnë mbrëmjen e së enjtes në një koncert vëllazëror, “Ne jemi një”, ku do të shpaloset bukur tradita jonë shqiptare e do të festohet kultura popullore.

Si një aset i çmuar, trashëgimia jonë e përbashkët do të kremtohet me valle e këngë popullore, nën idenë e violinistit Alban Tahiri, me udhëheqjen artistike nga Ansambli “Shota”, të Ylber Asllanaj, dirigjimin e Vladimir Hasimit, si dhe përkujdesin e koreografëve Brikena Aupaj dhe Alfrim Alshiqi.

Ideatori i koncertit, violinisti Alban Tahiri thotë për Gazetën “Si” se koncertet e mëparshme ka qenë secili ansambël (i joni dhe i Kosovës) më vete dhe dukej sikur konkurronim njëri-tjetrin.

“Ka qenë një ide e imja që të dy ansamblet i joni dhe i Shotës të shkriheshin në një. Ne më përpara kemi bërë koncerte të përbashkëta, por secili në programin e vet. D.m.th ata një këngë dhe ne një këngë. Orkestra jonë në një krah dhe e tyre në krahun tjetër. Të them të drejtën mua kjo gjë nuk më pëlqente se dukej sikur konkurronim njëri-tjetrin brenda një koncerti”, shprehet Tahiri për Gazetën “Si”.

Tahiri shprehet më tej se koncerti “Ne jemi një” pas performancës në Teatrin e Operës dhe Baletit, do të rrugëtojë edhe në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, i cili prej 5 netësh po shpalos folklorin mbarëkombëtar, trashëgiminë shpirtërore, etnomuzikore e etnografike nga shumë treva shqiptare.

“Ishte planifikuar që koncerti të luhej vetëm në Gjirokastër më datë  1 korrik, por ishte dëshira e drejtoreshës Abigeila Voshtina që ky koncert që titullohet ‘Ne Jemi Një’ të luhej dhe në Teatrin tonë që gumëzhin përditë e më tepër nga shfaqjet me nivel tashmë të lartë botëror, e më pas të shkonte në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, që është një ndër eventet më të rëndësishme të folklorit tonë”, vijon më tej Tahiri.

Violinisti Alban Tahiri

Ai shton më tej se artistët e këtij koncerti janë instrumentistë, këngëtarë e valltarë shumë të njohur të të dyja trupave.

“Duhet përmendur që një punë shumë të madhe ka bërë dhe koreografia jonë e valleve Brikena Jaupaj në ndërtimin e valleve dhe përshtatjen për të dyja trupat. Po ashtu një punë shumë të madhe ka bërë dhe udhëheqësi artistik i Ansamblit Shota, Ylber Asllanaj me orkestrimet e tij në pjesët e tyre që ne do t’i luajmë bashkërisht”.

Sipas tij e veçanta e këtij koncerti është se gjithçka që do këndohet apo kërcehet do jetë e përbashkët, d.m.th të dyja trupat janë të shkrira në një.

“Do këndojmë e kërcejmë së bashku këngë dhe valle nga të gjitha trojet e Shqiptarisë”, thotë ndër të tjera Tahiri.

Pjesë e programit do të jetë Vallja e Drenicës, vallja çame dhe pa diskutim vallja e bukur e Tiranës me gjithë ritet e dasmës, etj.

“Do jetë një tablo për t’u mos harruar. Do këndohen këngë nga më të bukurat për solistë dhe me kor të përbashkët. Jam i sigurt që do jetë një shfaqje që do të qëndrojë gjatë në memorien e njerëzve, por dhe të ne artisteve sepse për herë të parë ne po bashkojmë të dy Ansamblet tona në një të vetëm”, shprehet më tej violinisti.

Pas performancës mbrëmjen e sotme në Teatrin e Operës dhe Baletit, të dyja ansamblet me të njëjtin program do të ngjiten më 1 korrik edhe në skenën e hapur të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës.

Në Festivalin Folklorik Kombëtar, në skenën më të madhe të folkut dhe trashëgimisë kulturore, janë të përfshira të 12-të qarqet e vendit, ndërkohë performancat e artistëve po shtrihen jo vetëm në kala, por edhe në zona të ndryshme të qytetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë